Nga Boldnews.al
Gjykata e Apelit të Tiranës pritet të shqyrtojë në 18 Korrik çështjen “Geron Xhafaj”, në një proces që duket i paracaktuar, me së paku dy elementë të dyshimtë-nxitimin për zhvillimin e seancës dhe mungesën e shortit për caktimin e trupës gjykuese.
Hetimi që nisën në vitin 2018 ish-Krimet e Rënda për përfshirje në trafik narkotikësh të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të Ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, përfundoi me dënimin e denoncuesve publikë të skandalit.
Gjyqtari i shkallës së parë të Tiranës, Artan Gjermëni, i dorëhequr së fundmi nga sistemi dhe që njihet për lidhje të forta me Partinë Socialiste ku militon Fatmir Xhafaj, vendosi në Dhjetor të vitit 2019 dënimin me 1 vit burgim për deputetin demokrat, Ervin Salianji dhe 100 orë punë publike për gazetarin Jetmir Olldashi.
Edhe Albert Veliu, personi që ka regjistruar bisedën për trafik narkotikësh me Agron (Geron) Xhafaj, u dënua gjithashtu me 3 vjet burgim, në mungesë.
Vendimi i Gjermënit u ankimua në Gjykatën e Apelit. Salianji dhe Olldashi kanë paraqitur argumentat se si i gjithë procesi hetimor e më tej ai gjyqësor është shoqëruar nga manipulimi i rëndomtë i provave në favor të trafikantit të dënuar në Itali, Agron (Geron) Xhafaj.
Dyshimet në Apel
Ankimi i Salianjit dhe gazetarit Olldashi është regjistruar në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit në 19 Shkurt 2020 dhe gjyqtar relator u caktua Shkëlqim Mustafa.
Pas shkarkimit të Mustafës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), çështja rishortohet në janar 2021 dhe gjyqtar relator caktohet Edlira Petri.
Gjyqtarja Petri është bashkëshorte e kreut në detyrë të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe të dy njihen për raportet e ngushta miqësore me Fatmir Xhafaj.
Në 23 Maj 2022, gjyqtarja Petri njofton palët se ka caktuar datën 4 Korrik për të zhvilluar procesin gjyqësor.
Ky vendim i gjyqtares Petri ngre dyshime të forta për një proces të paracaktuar.
Nxitimi
Gjykata e Apelit të Tiranës, ashtu si edhe i gjithë sistemi gjyqësor, është përfshirë nga një bllokim për shkak të largimit të një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh si pasojë e procesit të Vetingut.
Për këtë arsye, gjykata e Apelit ka përcaktuar zhvillimin e çështjeve sipas prioriteteve. Në listë prioritare janë dosjet penale me persona të arrestuar. Rasti “Geron Xhafaj” nuk përfshihet në këtë listë, pasi asnjë prej të pandehurve nuk është në arrest.
Për çështjet jo-prioritare, gjykata e Apelit ka ndjekur një rrjedhë normale të shqyrtimit të dosjeve dhe aktualisht trupat po zhvillojnë procese që i përkasin vitit 2017.
Dosja “Geron Xhafaj” ka përfunduar në vitin 2020 dhe është ende larg shqyrtimit normal të dosjeve në Gjykatën e Apelit.
Fakti që gjyqtarja Edlira Petri e ka përfshirë në “listë prioritare”, krijon dyshimin e parë se çështja është e paracaktuar.
Mungesë shorti
Në 6-mujorin e parë të vitit 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka emëruar disa gjyqtarë të rinj në Gjykatën e Apelit.
Për këtë arsye, Këshilli i Gjykatës ka zhvilluar procedurën e ri-shortimit të dosjeve, për të cilat ende nuk kishte nisur shqyrtimi gjyqësor.
Procedurat e ri-shortimit janë zhvilluar në Janar, Prill dhe Qershor 2022. Në të tre këto procedura, gjyqtarja Edlira Petri nuk e ka përfshirë dosjen “Geron Xhafaj” në procesin e ri-shortimit.
Ky është dyshimi i dytë mbi një vendim të paracaktuar, pasi gjyqtarja Petri duket se ka bërë gjithçka për ta mbajtur vetë këtë çështje, duke shmangur rregullat e përgjithshme të shortit.
7 pyetje për Gjykatën e Apelit
Bazuar në këto të dhëna, redaksia e “Boldneës.al”, në mbështetje të ligjit “Për informimin publik”, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit Tiranë informacion zyrtar për më së paku 7 pyetje.
E njëjta kërkesë i është vënë në dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor, si struktura që qeveris sistemin e gjykatave.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të hedhin dritë më së miri mbi “shkeljet e rënda proceduriale”, por edhe “njëanshmëri” nga trupa gjyqësore.
Pyetjet
- Cili është Vendimi i Këshillit të Gjykatës dhe kriteret që ka përdorur Këshilli i Gjykatës për të përcaktuar ngarkesën e gjyqtarëve të rinj (në tre rastet e rishortimit në Janar, Prill dhe Qershor 2022)? Ju lutemi të na vini në dispozicion një kopje të Vendimit
- Cila është Metodologjia në të cilën është bazuar procedura e rishortimit të dosjeve. psh, vitet që i përkasin, lloji i çështjeve (penale, civile, etj), për tre procedurat e rishortimit të zhvilluar në Janar, Prill dhe Qershor 2022?
- Si gjendet i pasqyruar ky rishqyrtim në dosjet që i janë nënshtruar një procedure të tillë?
– Po nëse rishortimi nuk ka ndryshuar gjyqtarin e mëpashëm, si rezulton e pasqyruar në sistemin RIV (sistemin elektronik)?
- A ka lista të përcaktuara përjashtuese nga gjyqtarët se cilat dosje nuk ka dërguar për rishortim?
– Nëse po, cili ka qenë kriteri i përjashtimit?
- Dosja penale në ngarkim të të pandehurve Ervin Salianji e të tjerë për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, ai është nënshtruar ndonjëherë rishortimit që nga viti 2019 e deri në qershor 2022?
– Nëse po, ku e gjen pasqyrimin rishortimi i kësaj dosjeje. Ju lutem, të na vini në dispozicion një kopje të tij?
– Nëse nuk është rishortuar kjo dosje, për cilat arsye? Cili ka qenë kriteri i përjashtimit?
- Çështjet penale të kujt viteve po shqyrton aktualisht Gjykata e Apelit Tiranë? Këto çështje janë me persona të arrestuar apo me persona të hetuar në gjendje të lirë?
- Gjyqtarja Edlira Petri, a ka çështje të tjera penale të regjistruara para çështjes “Prokuroria kundër Ervin Salianji e të tjerë”?
– Nëse po, a janë të gjithë të pandehurit e këtyre dosjeve në gjendje të lirë apo ka të arrestuar (duke mbajtur në vëmendje afatet proceduriale të paraburgimit, për të cilat Gjykata e Apelit Tiranë i ka konsideruar si prioritare në përcaktimin e radhës së gjykimeve?
Redaksia e “Boldnews.al” është në pritje të përgjigjeve mbi këto pyetje.