Banka e Shqipërisë ka publikuar normat e reja tavan të interesit të kredisë konsumatore për gjysmën e dytë të vitit 2022.
Norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në Lekë, për shumat deri në 200 mijë Lekë është ulur në 136.58%, nga 171.41% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë Lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) do të jetë 18.26%, nga 19.55% që kishte qenë për 6-mujorin e parë.
Për kartat e kreditit, NEI maksimal do të jetë 26.21%, nga 27.21% që kishte qenë për 6-mujorin e parë të vitit.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Ulje të ndjeshme NEI maksimal ka pësuar edhe për kreditë në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë Lekë. Tavani për këto kredi është ulur në 25.89%, nga 38.79% që kishte qenë në 6-mujorin e parë. Për ovedraftet në këtë interval, NEI maksimal është ulur në 16.47%, nga 16.75% që kishte qenë në 6-mujorin e parë.
Për produktet dhe shumat ku numri i kredive të disbursuara në 6-mujorin e mëparshëm është më pak se 1 mijë, Banka e Shqipërisë nuk do të aplikojë treguesine NEI-t maksimal. Për këtë arsye, ky tregues nuk është vendosur për disa nga produktet dhe shumat e parashikuara në rregullore, si për kartat e kreditit deri në vlerën 2 milionë Lekë dhe për të gjitha kategoritë e kredisë konsumatore në intervalin mes dy milionë dhe 10 milionë Lekë.
Vitin e kaluar, Shqipëria iu bashkua vendeve që aplikojnë një normë maksimale efektive interesi. Arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.
Sipas ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare” që hynë në fuqi më 31 dhjetor 2021, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj.
Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
NEI mesatar i kredive të dhëna në 6-mujorin I 2022, për kreditë me këste deri në 200 mijë Lekë ka rezultuar 102.44%, për overdraftet 13.7% dhe për kartat e kreditit 20.69%. Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë Lekë norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 19.42%, ndërsa për overdraftet 12.35%.
NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.
Burimet nga sektori i mikrofinancës shprehen se ulja e NEI-t maksimal, sidomos për shumat mbi 200 mijë Lekë, do të ketë një ndikim negativ për institucionet e mikrofinancës. Me një tavan prej 25.89%, për IFJB-të bëhet më e vështirë të konkurrojnë me bankat, duke qenë se këto institucione kanë kosto më të larta të sigurimit të fondeve.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar institucionet financiare jo banka raportuan një rezultat financiar pozitiv prej 3.66 miliardë Lekësh ose 30.5 milionë Eurosh.
Fitimi neto i këtij sektori është rritur me 57% krahasuar me një vit më parë. Në pjesën më të madhe, kjo shpjegohet shpërndarjen e dividendit nga banka tregtare, të cilat kanë si aksionarë institucione financiare jobanka. Por, megjithatë, ndikim pozitiv në rritjen e fitimeve të sektorit ka dhënë edhe rritja e fitimeve të disa prej institucioneve kryesore të kredidhënies dhe mikrokredisë, si Fondi Besa, Iute Credit Albania, Kredo Finance dhe Micro Credit Albania.
Normat tavan të interesit mund të ndikojë në uljen përfitueshmërinë e institucioneve të mikrofinancës, por ndoshta edhe do të sjellë ndryshme në strukturën e produkteve, duke i orientuar drejt rritjes së shumës minimale të huasë dhe zgjatjes së maturitetit, me qëllim zbutjen e normës efektive të interesit.
Rregullorja që ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa).
Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të zgjatur të procesit të rekuperimit. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cënon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo etike biznesi, sidomos nga mbledhësit e borxheve të këqija./Monitor/