Komisioni ngriti dyshime për favorizim të një shoqërie ndërtuese në shmangien e detyrimeve tatimore nëpërmjet një kontrate për shitblerjen e apartamentit që zotëron prokurori Leonard Filopati, si dhe për favorizimin e një të pandehuri. Filopati pretendoi se nuk ishte në dijeni për ndryshimin e çmimit në kontratën përfundimtare dhe dha shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij.
Prokurori i Tiranës, Leonard Filopati u përball të hënën më 4 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për gjetjet për pasurinë dhe profesionalizmin. Filopati e cilësoi të pabazuar analizën financiare të KPK-së si dhe kundërshtoi një raport negativ të DSIK si antiligjor dhe fyes.
Filopati dha gjithashtu shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij, përfshirë edhe një çështje për të cilën kishte marrë vërejtje.
Trupa e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për Filopatin kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Leonard Filopati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2005. Në vitin 2012 është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Matit, ku e ka ushtruar funksionin deri në vitin 2016. Në vijim ka shërbyer pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe së fundmi është caktuar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në seancën dëgjimore, Filopati u paraqit me dy përfaqësues ligjorë, avokaten Romina Zano dhe avokatin Ermir Beta.
Gjetjet për pasurinë
Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 84 m2 të porositur për çmimin 70 mijë euro, Filopati ka deklaruar kursime në shumën 20 mijë euro dhe një kredi 50 mijë euro. Relatorja Bekteshi sqaroi se në kontratën e sipërmarrjes të vitit 2007 është përcaktuar se vlera 28 mijë euro është likujduar menjëherë, ndërsa diferenca do të shlyhej me kredi.
Bekteshi deklaroi se prej analizës financiare ka rezultuar se subjekti ka pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e shumës 20 mijë euro. Po ashtu, është konfirmuar se Filopati ka marrë një kredi 51 mijë euro, ku vlera 50 mijë euro është përcaktuar për blerje apartamenti, ndërsa 1000 euro për një kartë krediti.
Në kontratën e shitblerjes së vitit 2008 është përcaktuar se është shlyer i gjithë çmimi i apartamentit. Ndërkohë, një pjesë e kredisë në shumën 8400 euro rezulton se është tërhequr pasi është nënshkruar kontrata e shitblerjes. Sipas relatores Bekteshi, subjekti ka deklaruar se kishin mbetur pa u kryer një pjesë e punimeve dhe për këtë arsye e ka shlyer më vonë vlerën 8400 euro që është mbajtur si garanci.
Në vijim Komisioni konstaton mospërputhje të vlerës së çmimit të apartamentit në kontratën e porosisë me atë të shitblerjes së vitit 2008, pasi në këtë të fundit është shënuar vlera 33 mijë e 780 euro. Sipas Bekteshit, kjo situatë ngre dyshime se çmimi më i vogël në kontratën e shitblerjes mund të jetë vendosur me qëllim ndihmesën e palës shitëse për shmangien e shlyerjes së një pjese të detyrimeve.
“Duket se është favorizuar shoqëria ndërtuese pasi çmimi në kontratën e shitjes është më i vogël”, pohoi Bekteshi.
Në analizën financiare është konsideruar si shpenzim vlera 70 mijë euro e pretenduar edhe nga prokurori Filopati, ku është konstatuar pamundësi financiare në shumën rreth 1.2 milionë lekë, për shkak të moskonsiderimit të pjesës së kredisë 8400 të tërhequr pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes së vitit 2008.
Sipas Bekteshit, shoqëria ndërtuese nuk ka vendosur në dispozicion dokumente lidhur me pagesat e kryera, duke u jusitifkuar me kohën e largët. Filopati u pyet në seancë nga relatorja Bekteshi për mënyrën e shlyerjes së kësteve dhe subjekti u shpreh se pagesat ishin kryer në cash, gjithmonë kur ishin tërhequr nga banka shumat e disponuara dhe kredia.
Prokurori Filopati theksoi se apartamentin e kishte blerë para fillimit të detyrës. “Duhen edhe 14 vjet që të bëhet i imi,” deklaroi ai duke iu referuar shlyerjes së kësteve të kredisë.
I pyetur nga kryesuesja Firdes Shuli për mospërputhjet e çmimit të apartamentit, subjekti deklaroi se e kishte mësuar një gjë të tillë gjatë hetimit administrativ. “Jam ndjerë i revoltuar kur e kam mësuar. Nëse do të më duhet ta shes do të paguaj më shumë detyrime,” pohoi Filopati dhe shtoi se nënshkrimi që gjendej pranë emrit të tij në kontratë kishte ngjashmëri me nënshkrimin e vërtetë, por theksoi do të donte të dinte nëse ishte ose jo firma e tij.
Filopati e cilësoi të gabuar përllogaritjen e KPK që ka nxjerrë balancë negative në shumën rreth 1.2 milion lekë për blerjen e apartamentit, duke theksuar se nuk është konsideruar gjendja që ishte në bankë. Subjekti deklaroi se në Shqipëri është e ulët shkalla e besimit tek ndërtuesit dhe për këtë arsye kishte mbajtur një vlerë pa e shlyer deri në përfundimin e gjithë punimeve.
Avokatja Romina Zano evidentoi se balanca negative për apartamentin është e njëjtë me pjesën e kredisë 8400 euro të shlyer pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, që nuk është konsideruar prej KPK-së në analizën financiare.
Nga hetimi i burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një automjeti tip “Volksvagen Golf”, për çmimin 4500 euro, ka rezultuar se subjekti ka shitur një tjetër autoveturë më shtrenjtë nga sa e ka blerë dhe nuk ka paguar detyrimet tatimore për fitimin e siguruar. Megjithëse në analizë është përfshirë vetëm vlera e mjetit të shitur, subjekti ka rezultuar se ka pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e makinës së re.
Bekteshi bëri me dije se nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në shumën 470 mijë lekë për periudhën 2006-2012 dhe pamundësi financiare 241 mijë lekë në 2014-ën.
Filopati e cilësoi të gabuar analizën e Komisionit, duke pretenduar se kishte përllogaritje të të njëjtave vlera nga dy herë. Po ashtu, ai kërkoi që për periudhat e udhëtimeve jashtë shtetit, të mos konsiderohej edhe shpenzimi jetik në Shqipëri. “Mundësitë e mia financiare kanë qenë më të mëdha nga sa kam shpenzuar”, deklaroi prokurori Filopati.
Profesionalizmi dhe figura
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Filopati. Ndërsa në raportin e dytë janë ngritur dyshime për disa çështje të hetuara nga subjekti, si dhe është ndryshuar qëndrimi duke konstatuar papërshtatshmërinë e tij për të vijuar detyrën. Në raport është evidentuar edhe një masë disiplinore “verejtje me paralajmërim për largim nga detyra” e dhënë prej ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Bekteshi sqaroi se pas hetimeve të kryera nga Komisioni, nuk janë gjetur probleme në kriterin e figurës, ndërsa gjetjet e DSIK janë vlerësuar në drejtim të kriterit profesional.
Bekteshi u ndal gjatë në çështjet e referuara nga DSIK, ku nga sa u relatua, subjekti kishte pasur qëndrime të ndryshme nga drejtuesi i prokurorisë në vlerësimin e disa ngjarjeve dhe për kualifikimin e veprave penale.
Një çështje e regjistruar në Prokurorinë e Matit për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kur Filopati e ushtronte detyrën atje, është pushuar nga një prokuror tjetër. Drejtuesi i prokurorisë ia ka caktuar çështjen subjektit, i cili e ka çuar për gjykim por gjykata e ka rrëzuar.
Bekteshi sqaroi se Filopati ka kryer kërkesë për dorëheqje për shkakun se nuk mund të jetë i paanshëm për shkak të ndikimit të drejtuesit. Për këtë rast subjekti kë bërë ankesë në Prokurorinë e Përgjithshme që ka vendosur ta zëvendësojë me drejtuesin.
Prokurori Filopati e cilësoi raportin e DSIK-së antiligjor dhe fyes. Ai deklaroi se në pjesën më të madhe të çështjeve të trajtuara bëhej fjalë për pretendime të drejtuesit të Prokurorisë Mat, kur kishte punuar atje. Sipas tij, megjithëse më parë drejtuesi i prokurorisë ka pasur më shumë kompetenca, sërish prokurori i çështjes ishte i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij.
Lidhur me çështjen e sipërcituar, subjekti shpjegoi se më parë i ishte caktuar për hetim një kolegeje e cila kishte pasur qëndrim ndryshe nga drejtuesi për kualifikimin e veprave penale dhe për këtë arsye i ishte caktuar atij për vijim e hetimeve. FIlopati pretendoi se drejtuesi e kishte ofenduar dhe pas kësaj kishte kryer kërkesën për dorëheqje. Ai theksoi se gjithçka ndodhte për shkak të egos së drejtuesit që donte të nënshtronte prokurorët e thjeshtë.
Në tre çështje ku është hetuar për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe kanosje, subjekti nuk e ka analizuar këtë të fundit në vendimarrjet e tij megjithëse e ka përmendur. “Ka deklaruar se vepra penale e kanosjes përthithet nga dhuna në familje”, pohoi Bekteshi.
Për një prej këtyre çështjeve është vendosur masa disiplinore ndaj prokurorit Filopati. Bekteshi sqaroi se ndaj të proceduarit ishte regjistruar procedim penal për vjedhje të energjisë elektrike, armëmbatje pa leje dhe dhunë në familje, megjithëse në kallëzim ishte referuar edhe kanosja.
I pandehuri ka kërkuar masë sigurie detyrim paraqitje që është pranuar nga subjekti dhe gjykata. Por, drejtuesi i prokurorisë së Matit ka bërë ankesë pasi subjekti ka hequr akuzën e armëmbajtjes pa leje duke u bazuar në ndryshimin e deklarimit nga babai i të arrestuarit. “Duket se ka favorizim të të pandehurit me ndryshimin e masës së sigurisë”, pohoi Bekteshi.
Sipas Filopatit, i pandehuri ishte shtetas britanik me kombësi shqiptare dhe se kishte krijuar familje në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në vendlindje kishte një vajzë që jetonte në shtëpinë e prindërve, me të cilën bashkëjetonte. Subjekti sqaroi se i pandehuri kishte ardhur për pushimet e Vitit të Ri së bashku me fëmijët e mitur që nuk dinin asnjë fjalë shqip dhe pasi nuk kishte pranuar ta merrte bashkëjetuesen me vete në Angli, kishte pasur debat mes tyre. Bashkëjetuesja e kishte denoncuar duke treguar dhe vendin ku gjendeshin armët dhe kishte deklaruar se ato ishin blerë nga i pandehuri.
Megjithëse babai i të ndaluarit kishte deklaruar fillimisht se nuk e dinte se të kujt ishin armët, më vonë kishte deklaruar se ishin të tijat. Prokurori Filopati deklaroi se armët kishin qenë të ndryshkura dhe se nuk mund të kishte arsye që i pandehuri t’i kishte blerë, ndërkohë që kishte të prerë edhe biletën e kthimit.
Subjekti sqaroi se babai i të arrestuarit shkonte çdo mëngjes në prokurori së bashku me dy nipërit e mitur që kërkonin të atin dhe bazuar në këto rrethana ishte vendosur lehtësimi i masës së sigurisë. Filopati pohoi se Gjykata e Apelit kishte dhënë dënim alternativ për këtë person, duke e lehtësuar edhe më shumë pozitën e tij.
Subjekti dha shpjegime edhe për një rast kur është ndryshuar akuza nga “vjedhje me dhunë”, në “vjedhje”. Prokurori Filopati deklaroi se ndryshimi i kualifikimit të veprës penale kishte ardhur gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatë, pasi i dëmtuari kishte ndryshuar deklarimet e tij. Ai shpjegoi se i dëmtuari ishte një pensionist që e kishin grabitur pasi kishte marrë pensionin. Sipas deklarimeve të para ai kishte pohuar se autori e kishte shtyrë duke e rrëzuar dhe i kishte marrë sasinë e parave, kurse në gjykatë kishte ndryshuar qëndrim duke deklaruar se vetëm i kishte marrë vlerën që kishte me vete.
Në fund të seancës, prokurori kërkoi që të administroheshin disa prova të reja dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 6 korrik, në orën 09:45. /BIRN/