Prokurori i Fierit, Çlirim Sino u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove sa i përket disa problemeve të pasurisë dhe iu kërkuan shpjegime mbi disa dosje. Sino kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Prokurori i Fierit Çlirim Sino u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove në lidhje me një bilanc negativ prej 2 milion lekësh në blerjen e një makine në vitin 2015, një bilanc negativ shkaktuar nga transaksionet mes llogarive të biznesit të bashkëshortes dhe llogarive të saj personale. Prokurorit iu kërkuan shpjegime edhe në lidhje me çështje të nxjerra nga një raport negativ i DSIK-së dhe kërkesa për shpjegime në lidhje me dosjet e hetuara prej tij.
Sino, që u hetua nga një trupë e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici dhe u mbrojt në seancë nga avokatja Antoneta Sevdari, i kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.
Sevdari këmbënguli se disa nga pasuritë e Sinos nuk ishin objekt i vetingut për shkak të kohës kur ishin vënë, por po ashtu tha se prokurori kishte sjellë prova edhe për këto raste. Ndërsa u pranuan disa pasaktësi në deklarime, Sevdari arsyetoi se mënyra e deklarimit të kursimeve nga Sino dëshmonte pakësimin apo shtimin e pasurisë. Vetë prokurori dha shpjegime sa i përket dosjeve që kishte hetuar, ndërsa tha se KPK pas hetimeve kishte rrëzuar raportin negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Çlirim Sino e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Fier prej një dekade e gjysmë.
Pasuria
Relatori Hamitaj tha gjatë seancës se përgjithësisht pasuritë e prokurorit ishin ndihmuar nga dhurimet prej prindërve, që kishin përfituar nga një kontratë sipërmarrje mbi tokën e tyre. Hamitaj tha se për një apartament dhe një shumë 20 mijë euro dhuratë nuk u gjetën probleme.
Por relatori vuri në dukje se blerja e një makine në vitin 2015 i kishte krijuar prokurorit një bilanc negativ prej 2 milion lekësh. Sipas relatimit KPK nuk kishte pranuar si të ardhura të ligjshme paratë e fituara nga shitja e tre makinave të mëparshme. Hamitaj tha se nuk ishin paguar tatimet për fitimin e nxjerrë nga këto transaksione dhe po ashtu shtoi se ato ishin transaksione jo të logjikshme. Sipas tij makinat e vjetra ishin shitur me çmim më të lartë se sa ishin blerë dhe pa marrë në konsideratë amortizimin e tyre.
Sevdari që lexoi në KPK qëndrimin sa i përket hetimit të pasurisë, këmbënguli se shitja më shtrejt e makinave nuk kishte qenë e palogjikshme. Ajo tha se një prej makinave ishte e vit prodhimit 1983 dhe se tashmë kishte në treg një vlerë mjaft më të madhe si relike. Ajo po ashtu tha se KPK nuk kishte marrë parasysh shpenzimet që subjekti kishte bërë në makina, që kishin rritur çmimin e tyre.
Sipas Sevdari nëse shumat llogariteshin sëbashku prokurori nuk kishte pasur detyrim të paguante tatime. Ajo i kërkoi KPK që si të ardhura të ligjshme të konsideroheshin shumat e shpenzuara në makina.
Në bilancin negativ në vitin 2015 ndikonin edhe të ardhurat e llogaritura nga puna e bashkëshortes. Sevdari tha se KPK kishte llogaritur gabim shumën duke e përpjesëtuar atë muaj për muaj. Ky qëndrim solli debat me Hamitaj që e cilësoi jo serioze pretendimin, duke qenë se subjekti nuk kishte sjellë një version të tijin se si këto para do duhej të llogariteshin. Hamitaj këmbënguli se ishte subjekti që kishte barrë e provës dhe se duhej të kishte paraqitur një version të tij të të ardhurave sipas muajve.
KPK vuri në dukje gjatë relatimit se kishte hasur në disa pasaktësi dhe mosdeklarime të Sinos. Hamitaj vuri në dukje ndër të tjera edhe problemet e gjetura në mosdeklarimin e plotë të gjendjes cash.
Sevdari në fjalën e saj tha se këto probleme lidheshin kryesisht me “mënyrën e veçantë” që Sino kishte përdorur në deklarime. Ajo tha se në deklaratat e pasurisë Sino i paraqet blerjen e makinës si “pakësim të pasurisë” edhe pse në këtë rast pasuria është shtuar dhe shitjet e makinave si shtim të pasurisë. Ajo tha se kjo linte të kuptohej se në këtë rast subjekti po u referohej në fakt likuiditeteve që pakësoheshin në blerje dhe shtoheshin në shitje.
Ajo tha se nëse analiza bëhej mbi këtë arsyetim atëherë gjendja cash dhe në llogari bankare përputhej me deklarimet e subjektit.
Por Hamitaj në seksionin e pyetjeve e cilësoi këtë si një “analizë leksiko-psikologjike të deklarimeve” dhe la të kuptohej se ajo nuk ishte e mjaftueshme si shpjegim. Ai tha se vetë KPK kishte marrë parasysh si gabime disa nga deklarimet, por tha se kërkohej që shpjegimi të ishte i qartë.
Një apartament në Vlorë që bashkëshortja kishte marrë si dhuratë nga prindërit e saj dhe që rezultonin sipas KPK-së me mungesë burimesh, pasi nuk kishin dokumentuar të ardhurat nga puna në emigracion.
Sevdari tha se kjo pasuri ishte marrë nga bashkëshortja dy vjet para martese dhe kërkoi që KPK të merrte në konsideratë precedentët e vendosur në KPA për këto pasuri. Ajo shtoi se subjekti kishte sjellë të dhëna për të ardhurat e prindërve të bashkëshortes edhe pse ato ishin të limituara për shkak të kohës, por që tregonin se ato kishin pasur mundësi ekonomike të bënin dhuratën.
KPK vuri në dukje se ishin gjetur disa mosdeklarime të llogarive bankare të bashkëshortes së subjektit dhe një llogari e vajzës së tij. Një pjesë e këtyre llogarive kishin të dhëna bashkëlidhur me deklaratë veting, por të tjera nuk ishin deklaruar.
Sevdari tha se llogaritë e padeklaruara ishin të biznesit të bashkëshortes dhe se subjekti nuk kishte pasur detyrim t’i deklaronte ato. Ajo tha se mosdeklarimi i disa llogarive personale ishte një gabim, por tha se fakti që të dhënat e tyre i ishin bashkëngjitur deklarimit tregonte që kjo nuk ishte bërë për t’i fshehur.
KPK pretendoi se bashkëshortët nuk kishin pasur të ardhura të ligjshme për të krijuar një shumë prej 43 mijë eurosh, që ishte përdorur më pas në blerjen e një apartamenti në vitin 2017 në një resort turistik në Vlorë. KPK u fokusua te krijimi i kësaj llogarie dhe dyshimet se apartamenti ishte blerë më lirë.
Sevdari kundërshtoi këtë gjetje, ndërsa tha se kishte pasur një gabim në bilancet e biznesit dhe vuri në dukje se bashkëshortja e prokurorit kishte tërhequr nga biznesi i saj i regjistruar si person fizik shuma më të mëdha në vitet 2012 dhe 2013. Ajo tha se KPK nuk mund të hetonte përtej deklaratës veting dhe viti 2017 nuk ishte objekt hetimi, por tha se kishin sjellë kontrata të ngjashme që tregonin se apartamentet në zonë ishin shitur me çmime edhe më të lira. Ajo tha se paratë e përdoruara për krijimin e llogarisë ishin dukshëm të tërhequra nga llogaritë e biznesit dhe se nuk mund të kishte dyshime për burimin e tyre. Sino nga ana e tij tha se gjetjet në kriterin e pasurisë vinin për shkak të pasaktësive të tij në deklarime.
Figura dhe profesionalizmi
Sino u përball me një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Raporti siç tha Hamitaj ngrite dyshime për kontakte të papërshtatshme dhe përfshirjen në korrupsion pasiv.
Hamitaj vuri në dukje se KPK kishte hetuar mbi materialet e klasifikuar, kishte gjetur në disa raste se çështjet e përmendura nuk kishin qenë në hetim nga subjekti dhe se ai nuk mund të kishte pasur ndikim në to. Ai megjithatë tha se subjektit i ishin kërkuar shpjegime në lidhje me një prej çështjet e përmendura. Siç doli në seancë Sino kishte kërkuar 2 vjet e 6 muaj burg ndaj një personi të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe kanosje, por gjykata kishte dhënë ndaj personit 5 vjet burg. Hamitaj tha se nuk u gjetën shkelje nga prokurori. Sipas tij edhe pse dënimi i kërkuar prej tij ishte më i ulët se ai i dhënë nga gjykata, ishte brenda kërkesave të ligjit përkatës.
Sino që foli vetë sa i përket figurës tha se raporti i DSIK-së ishte i pabazuar dhe tha se vetë KPK e kishte rrëzuar si raport. Ai tha se në dosje përmendej si kontakt i papërshtatshëm një person me inicialet “A.I”, por që tha se ai ishte “armiku i tij”. Sino tha se dyshonte që personi në fjalë kishte hedhur eksploziv në banesën e tij.
Sa i përket profesionalizmit Hamitaj vuri në dukje hetimin e një sërë dosjesh kryesisht për aksidente rrugore, në të cilat ishin gjetur probleme të hetimeve. Hamitaj tha se në disa raste gjykata kishte kthyer pas vendimet e prokurorit për hetime të paplota dhe vendime mosfillimi pa ekspertizë.
Sino kundërshtoi këto probleme. Ai tha se hetimet ishin kryer dhe se ai kishte zbatuar vendimet e gjykatave, por përfundimet kishin qenë të njëjta.
Megjithatë relatori vuri në dukje se në disa raste Sino nuk kishte ndjekur urdhrin e gjykatës për të caktuar ekspertë të ndryshëm. Hamitaj lexoi vendimin e gjykatës që specifikonte se kërkohej akt eskpertimi nga një grup tjetër ekspertësh dhe shtoi se Sino nuk e kishte zbatuar këtë vendim.
Sino këmbënguli se kishte pasur fakte të plota për rastin dhe se caktimi i ekspertëve nuk ishte një detyrim, por Hamitaj tha se nuk vinte në dyshim faktet, por këmbënguljen e prokurorit te dy ekspertë në disa raste për të cilat ishin marrë vendime pushimi hetimesh. Sino këmbënguli se kishte përmbushur detyrimet që lindin nga vendimi i gjykatës.
Hamitaj tha se bazuar në disa shkrime në media ishin marrë nga KPK edhe dosjet e hetimit të Elton Metaj, i cili pasi u lirua nga burgu vrau ish-bashkëshorten dhe ajo për aksidentin me pasojë vdekjen e një fëmije në vitin 2012. Hamitaj tha se ishin kërkuar shpjegime prokurorit mbi hetimet në të dy rastet dhe vendimmarrjen e tij në to.
Sino pretendoi se rasti i parë i ishte shkaktuar shqetësim në mënyrë të padrejtë. Ai tha se i kuptonte akuzat nga familja e viktimës për shkak të situatës së tyre, por këmbënguli se puna e tij kishte qenë e plotë. Sino tha se hetimet e tij ishin të plota dhe kishin sjellë izolimin e personit në fjalë. Sipas tij një hetim i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të cilin e paraqiti si provë e kishte gjetur punën e tij të plotë edhe pse siç tha ai në trajtimin e çështjes ishin gjetur probleme, por që i përkisnin ish-gjyqtarit që kishte marrë vendimin dhe prokurorit që kishte ndjekur ekzekutimin e vendimit.
Sino këmbënguli se kishte hetuar plotësisht aksidentin e të mitur dhe tha se nga hetimet kishte rezultuar vetëm përgjegjësi morale e nënës, që kishte lejuar foshnjën të futej poshtë makinës.
Në fund të fjalës së tij Sino falënderoi KPK për hetimin dhe kërkoi konfirmim në detyrë. Vendimi do të jepet në datën 6 korrik.