Nga Mark Hollingsworth
“Spectator”
Më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, një grup i përzgjedhur oligarkësh morën pjesë në një takim privat me presidentin Putin në Sallën e Shën Katerinës në Kremlin. Me sa duket arsyeja ishte sqarimi se si qeveria do t’i ndihmonte bankat ruse shtetërore, që do të vendoseshin nën sanksionet e SHBA-së, veçanërisht “Sberbank” dhe “VTB Group”.
Zëvendëskryeministri rus Andrey Belousov, u kërkoi oligarkëve dhe drejtuesve të korporatave të mëdha të vazhdonin të bashkëpunonin me bankat që do të vendoseshin nën sanksionet e Perëndimit. Ai u tha ndër të tjera, se besimi tek sistemi bankar ishte vendimtar për një vend, ku kaosi financiar ka shkatërruar historikisht kursimet dhe jetesën e njerëzve.
Në mesin e të pranishmëve ndodhej edhe miliarderi rus Dmitry Mazepin, më i njohur në Britaninë e Madhe për sponsorizimin e ekipit të Formula 1, Haas, ku djali i tij Nikita ka qenë një nga pilotët. Mazepin ishte midis miliarderëve të tjerë të pasur dhe të plotfuqishëm, si Alexey Miller i “Gazprom” dhe Igor Sechin i “Rosneft”.
Shumë shpejt ai e kuptoi se sanksione nuk do të vendoseshin vetëm ndaj bankave ruse, por edhe ndaj oligarkëve. Dhe kishte të drejtë. Dy javë më vonë, më 9 mars, Mazepin u përfshi në listën e biznesmenëve të sanksionuar nga BE, dhe shumë shpejt asetet e tij nëpër bankat e Perëndimit u bllokuan nga Britania, Kanadaja dhe Zvicra.
Vendosja nën sanksione e kleptokratëve të Putinit, që e kanë financuar makinerinë e tij të luftës, është diçka e mirë-dokumentuar. Por ajo që dihet më pak, janë hapat e tyre të fshehta për të anashkaluar sanksionet, duke fshehur dhe transferuar pronësinë e kompanive të tyre tek të afërm dhe bashkëpunëtorë në biznes, duke anashkaluar kësisoj edhe ndikimin e ngrirjes së aseteve.
Dhe duket se entet rregullatore në Perëndim, e kanë harruar faktin se këta oligarkë janë të aftë në shfrytëzimin e boshllëqeve ligjore. Vetëm disa ditë pasi u vendos nën sanksione, Mazepin i shiti aksionet e tij në shumicë në kompaninë gjigante të plehrave kimike “Uralchem”, duke ia transferuar pronësinë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij të vjetër, Dmitry Tatyanin dhe Dmitry Konyaev.
Të tre kishin qenë partnerë biznesi që nga viti 2007 kur u themelua “Uralchem”, dhe ishin bërë shumë miq. Tatyanin, kreu i çështjeve ligjore të kompanisë, u bë pronari i 48 për qind të aksioneve të “Basic Chemical Uralchem”, ndërsa Konyaev, ish-drejtor i tregtisë, mori 4 për qind të aksioneve.
Nga data 21 mars e në vazhdim, miliarderi Mazepin nuk ishte më pronari i shumicës së kompanisë, dhe kishte hequr dorë nga pozicionet drejtuese në “Uralchem”, e cila zotëron fabrikën “Uralkali”, prodhuesja më e madhe e potasit në botë. Po ashtu, u ndryshua me shpejtësi edhe struktura e pronësisë së dy fabrikave të tij në Riga të Letonisë.
Papritur, bashkëpronare ishte një kompani zvicerane e quajtur “Svizraa”, dhe përfituesi ishte një individ i quajtur Bhidwal Aamer Atta, kombësia e të cilit nuk përmendet në dokumentet zyrtare të korporatës. Duke e transferuar pronësinë e bizneseve të tij tek dy partnerët e tij më të ngushtë, efekti ndëshkues ndaj Mazepin për besnikërinë e tij ndaj Putinit, duket të jetë i kufizuar.
Edhe miliarderët e tjerë që janë në listën e sanksioneve, i kanë transferuar pasuritë e tyre tek familjarët. Ish-bankieri Andrey Melnichenko, me një pasuri prej rreth 16 miliardë dollarësh, pronar i kompanisë së plehrave kimike “EuroChem” dhe i prodhuesit të qymyrit “SUEK”, u sanksionua nga Zvicra më 4 mars.
Miliarderi mund të jetë informuar në kohë për sanksione të tjera që do të vendoseshin, pasi më 8 mars dha dorëheqjen si përfitues i instituti financiar në Qipro, që mbante 90 për qind të aksioneve të tij në “EuroChem’, me vlerë miliarda dollarë.
Përfituesi e re ishte një familjare e afër, bashkëshortja e tij, Aleksandra, një ish-modele dhe këngëtare serbe. Të nesërmen multi-miliarderi rus u sanksionua nga BE dhe javën e ardhshme nga Britania e Madhe. Çuditërisht, “EuroChem” fitoi më pas një tender nga qeveria zvicerane, pasi enti i saj rregullator, përgjegjës për monitorimin e sanksioneve kundër Rusisë, u informua për strukturën e re të pronësisë.
Për pasojë, “EuroChem” nuk ishte më një kompani në sanksione, dhe ju zhbllokuan llogaritë e saj bankare. Por në fillim të këtij muaji, Bashkimi Evropian e kuptoi se Melnichenko po merrte një trajtim të favorshëm. Më 3 qershor, ajo vendosi nën sanksione edhe gruan e miliarderit.
Një javë më vonë, edhe Zvicra futi në listën e zezë zonjën Melnichenko, duke këmbëngulur që “EuroChem” të siguronte prova se është në përputhje me sanksionet e vendosura ndaj pronarit të saj të ri. Edhe Alexey Mordashev, me një pasuri rreth 21.2 miliardë dollarë, pronar i “Severstal”, kompania më e madhe ruse e çelikut dhe minierave, ia transferoi bashkëshortes së tij asetet me vlerë miliarda euro.
Më 28 shkurt, 4 ditë pas pushtimit të Ukrainës, Mordashev u vendos nën sanksionet e BE-së dhe më vonë të Britanisë, SHBA-së dhe Zvicrës. Por dosjet e korporatave në Londër, tregojnë se në mars miliarderi pro-Putinit transferoi në heshtje aksione me vlerë 1.1 miliardë dollarësh nga kompaninë e tij “Nordgold” tek gruaja e tij, Marina Mordashev.
Po ashtu, ai e transferoi pjesën më të madhe të aksioneve të tij të pronësisë tek konglomerati në fushën e turizmit “TUI”, në një kompani në Karaibe të quajtur “Ondero Ltd”, e cila kontrollohet gjithashtu nga bashkëshortja e tij Marina. Këta oligarkë nuk kanë shkelur asnjë ligj, por transferimi i pronësisë tek një i afërm apo mik, shkon rrezikshëm afër shkeljes së ligjit.
Një aspekt problematik lidhet me kontrollin e një aseti, veçanërisht pasi një oligark i sanksionuar e ka shitur pronësinë e tij. “Një person i caktuar mund të mbajë kontrollin mbi kompaninë edhe pas shitjes, pra edhe pa pasur të drejta formale votimi apo të drejtë për të emëruar drejtorë.
Ai mund të vendosë të emëruar prej tij ose pronarë përfaqësues, të cilët do të veprojnë në përputhje me dëshirat e tij. Në këto rrethana, vetë kompania trajtohet si subjekt i sanksioneve. Rrjedhimisht, është e paligjshme që kompanitë e tjera të bëjnë biznes me të”- thotë Robert Dalling, mbështetës i sanksioneve, dhe partner në kompaninë konsulente “Jenner and Block”.
Prandaj thekson ai është shumë e rëndësishme që bizneset të shohin nëse kompanitë e zotëruara më parë nga persona të sanksionuar, mund të jenë ende të kontrolluara prej tyre. Nëse po, marrëdhënia mund të duhet të ndërpritet.
Të tre oligarkët, Mazepin, Melnichenko dhe Mordashev, janë të zemëruar me vendosjen e sanksioneve, dhe kanë ngritur padi në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, për të anuluar atë që ata i konsiderojnë si masa ndëshkuese. Ata pretendojnë se është e padrejtë t’i fajësosh për luftën e Putinit, dhe nuk ka “asnjë justifikim” për të qenë objekt i sanksioneve.
Por pavarësisht nga protestat e tyre, këta oligarkë kanë gjetur mënyrën për t’iu shmangur sanksioneve, dhe transferuar pasurinë dhe asetet e tyre tek një i afërm apo bashkëpunëtor i besuar. Sanksionet mund të dëmtojnë në dukje kleptokratët e Putinit. Por në botën e fshehtë të pronësisë së aseteve, oligarkët e gjejnë shpeshherë një rrugëdalje.
Shënim:Mark Hollingsworth, është autor i librit “Londongrad:Nga Rusia me para, historia e brendshme e oligarkëve”.