Nga Basir Çollaku
Krim, pushtet, mafia. Qeverisje qendrore dhe lokale, sipërmarrës, trafikantë. Të gjithë bashkë në një portofol. Policia nën shërbim të ortakërisë së shtetarëve me botën e paligjshme. Artur Krasniqi, rrëfimi i oficerit për të pathënat e dosjeve të mëdha. Dhjetë muaj në arrest shtëpie, pa marrë asnjë deklarim nga prokurorët specialë. Tendenca dhe njënashmëria e hetimit. Rasti unik për të bërë vizitë mjekësore në gjendje të rënduar, me vendim gjykate. Zyrtarë vendorë dhe qendrorë, drejtues partie, institcionesh dhe agjencish të zbatimit të ligjit, të gjithë nën regjinë hetimore të Partisë. Skenar i policisë për të inkriminuar të miturit e oficerit të akuzuar, për të përplasur e provokuar vëllavrasje me familjarët. Dijenia dhe përkulja e Minsitrisë së Brendshme.
Procedimi penal nr. 238, dosja “552” e quajtur ndryshe nëna e dosjes së famshme 339, aty ku nisën telashet me rrezik të madh për agjentin. Kokaina, heroina, ndërtimet e paligjshme, bota e trafiqeve që kontrollon çdo pushtet. SPAK-u i dorëzuar, anemik dhe me pafuqi ekstreme për të hetuar njerëzit e duhur, ata që kanë bërë veprat e rënda, anëtarë të krimit të organizuar. Të penduarit e antimafies italiane dhe amnistia nga Krimet e Rënda dhe SPAK për emrat afër dhe në shërbim të qeverisë. Fshehja e dokumentave nga prokurorët e SPAK, moshetim për shumë emra ndonëse provat janë të dukshme nëpër arkiva e fashikuj hetimorë. Ndëshkimi profesional. Presioni dhe kanosja nga ish-drejtori përgjithshëm, Ardi Veliu për të qëndruar larg dosjes “339”. Njëherësh dhe për laboratorin e heroinës në Has. Kapitullimi në ministri dhe dorëzimi para bandave. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, një zyrë ku emërimet e shkarkimet nuk i bëjnë titullarët. Blerja e informacioneve në polici nga trafikantët. Kanosja për jetën dhe familjarët. Ofertë 100 mijë euro nga bandat për të larguar oficerin nga detyra… Sot në orën 18:00, rrëfimi oficerit Artur Krasniqi dhënë gazetarit Basir Çollaku për “Shijak Televizion”. Është vetëm fillimi..
Intervista e oficerit të policisë Artur Krasniqi, Akuzuar në dosjen “SHPIRTI”
Të pathënat e dosjes “339” dhe “552”
Jemi me Artur Krasniqin një oficer policie për shumë vite i akuzuar, marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Por ka shumë gjëra të cilat nuk kanë marrë përgjigjet e duhura, si njëanshmëria, mungesë provash dhe faktesh, të cilat nuk janë bërë prezente në seancat gjyqsore. Tendenca në hetime lë për të dëshëruar. Ka nisur prej katër vitesh dhe ne nuk kemi ende një rezultat. Krasniqi do të rrëfejë procesin e deritanishëm, ku do të tregohet si dhe përse është mbërritur deri në këtë gjendje të hetimit, problemet e prodhura nga porositës me pushtet.
Zoti Krasniqi, jemi në këtë bisedë, në banesën tuaj, pasi jeni në arrest shtëpie, për të treguar atë që ka ndodhur me çështjen tuaj. Një oficer me karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, me detyra të shumta në disa qarqe, në shumë sektorë të vështirë. Por gjendeni prej një viti, saktësishtt prej katër vitesh, në një proces nën një trysni, tani nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, në dosjen “Shpirti” ku janë 31 të pandehur, por janë veçuar.
Puna juaj në Policinë e Shtetit dhe si erdhët në këtë çështje, episode, ngjarje, dosje?
Unë kam filluar herët në Policinë e Shtetit, por dua të ndaloj te ngjarja lidhur edhe me akuzën. Unë kam filluar në Komisariatin e Policisë Kavajë, në fund të prillit të vitit 2016, me detyrën e specialistit në sektorin e luftës ndaj narkotikëve dhe trafiqeve, në seksionin e krimit të organizuar në komisariat. Ishte hera e parë për mua që merresha me hetimin, pasi në karrierën time të mëparshme kisha punuar si ekspert kriminalist, si ekspert i policisë shkencore në disa drejtori, por për arsye shëndetësore u tërhoqa dhe u afrova pranë banimit, duke u transferuar në Kavajë.
Nisët punë në këtë sektor?
Po. Konstatuam se kishim disa mangësi si në burime njerëzore, ashtu edhe në logjistikë. Kisha një hapësirë shumë të gjerë, që duhej kontrolluar, por isha i vetëm. Kishim 34 kilometër vijë bregdetarë që duhej mbajtur nën kontroll, duke shtuar edhe trafiqet, nëse kujtoni, jemi në periudhën e të quajturave mushkonja
Kishin nisur të fluturonin me ngarkesa narkotike..?
Kishim sinjalizime, sidomos në zonën e Vilëbashtovës, që ishte shumë me risk, ishim shumë të shpërndarë.
Një ngarkesë e konsiderueshme?
Një ngarkesë tepër e lartë.
Burime njerëzore të kufizuara?
Kishim kontigjent të madh në zonë, që është një kontigjent aktiv, njihej me kohë që në vitet ‘90 me trafiqet ..
Të skeduar…?
Ishin rreth 70-80 persona të tillë, kishim edhe pjesën e kultivimit, pjesën e malsisë së Kavajës, unë isha rishtas në këtë sektor, kishim edhe frikën e dekonspirimit nga strukturat e policisë, një problem prezent edhe ky. Siç e kujtoni 2016-a, ishte tmerri I atyre që donin të punonin në polici ndershmërisht.
Dhe vimë në pjesën si jeni marrë i pandehur nga SPAK, për shpërdorim detyre..?
Po. E nsisim me këtë. Unë me datë 2 korrik rreth orës 5 e 30 të mëngjesit..
Të vitit..?
Të vitit 2021, më kanë ardhur disa punonjës policie rreth 10 persona, kanë hyrë brenda në oborrin e banesës, në orën 5 e 30 të mëngjesit.
Nuk kishit dijeni?
Jo, nuk kisha asnjë dijeni, familjarët u gjendën të tmerruar. Unë kam qenë vetë oficer policie, por nuk ia uroj asnjë kolegu ti ndodhë kjo, të paktën padrejtësisht.
Është një orë që procedurialisht, nuk lejohet hyrja në banesë përjashtuar raste flagrance?
Jo nuk lejohet, është e vërtetë. Kërkova të respektonin orarin, sipas vendimit të gjykatës dhe u treguan korrekt, pavarësisht se kishte mes tyre që kërkonin të kryheshin veprime dhe jashtë orarit, të filmohej, madje jepnin urdhëra që të merresha unë dhe dërgohesha në Tiranë.
Për të bërë show?
Po, për të bërë shoë, Ardi Veliu me strukturat e tij, për të bërë shoë dhe propogandë, pavarësisht nëse kishte apo jo prova. U kërkova zotërinjve të repsektonin një vendim gjykate, që përcaktonte se për mua kishte një masë arresti në shtëpi, ekzekutoni vendimin. U thashë se atij eprori që kërkon të japë urdhëra të tjerë, të marrë një vendim gjykate, ta sjellë atë dhe pastaj të ekzekutohet vendimi i gjykatës.
Si vepruan?
U detyruan të zbatojnë dhe ekzekutojnë vendimin e gjykatës dhe zbatuan procedurën e përcaktuar
Të bënë të ditur arsyen e ndalimit, të kësaj mase arresti?
Mora vendimin dhe shoh se akuzohesha sipas deklarimeve të dhëna nga dy shtetas me status të penduari, Fiqeret Seferi dhe Ferhat Ajdini
Dy perspona të ndaluar…?
E bukura është se në ato akte, konstatoj dhe pjesë aktesh të përpiluar nga ana ime. Informacionet e mia të referuara nga unë dhe deklarimet e shtetasve me shumë interes për hetimin që unë i kisha marrë. Shkojmë në seancë dhe unë bashkë me avokatin, i kërkojmë gjyqtares së seancës dhe prokurorit të mësojmë se cili është oficeri i policisë gjyqësore që ka referuar këto akte të procedimit penal nr 238, të vitit 2016 referuar tek Krimet e Rënda, akt që kisha referuar unë. Konkretisht bëhej fjalë për datën 23 tetor të vitit 2016, kur unë kisha referuar për shtetasit Fiqeret Seferi dhe Ferhat Ajdini dhe disa shtetas të tjerë, persona të tjerë për trafik narkotikësh në bashkëpunim. Ishte një hetim me metoda proaktive dhe ky procedim ishte regjistruar me nr. 238 të vitit 2016 te Krimet e Rënda.
Dhe e pranuan?
Fakt është se prokurorët e mohuan, ose saktësisht e fshehën, bënë të paditurin, e fshehën këtë fakt. Dhe sot e kësaj dite ata nuk përmendin asnjë akt që unë kam referuar në këtë procedim penal, asnjë akt
A janë aty nëpër dosje, nëpër fashikuj..?
Sigurisht që janë, janë nëpër fashikujt e tyre, unë i kam në një kopje dhe i kam paraqitur sërish në gjykatë. Por janë akte që ata u fshehin autorësinë dhe thonë nga oficerë të policisë gjyqsore Kavajë. Përse nuk e vendosin emrin tim? Unë jam person në hetim që më ke marrë nën akuzë dhe më mban fshehur emrin tim, përse? A nuk është tendencioze kjo?!!
Dokumentet janë dhe janë të firmosur, a ka gjurmë?
Janë sigurisht, janë në Prokurori, kanë qenë të Krimet e Rënda. Kjo që kam marrë unë është pjesë e fashikullit hetimor. Ata i bëjnë prezent, por nuk përmendin as nuk thonë emrin tim. Nuk përmendin faktin se këto akte proceduriale janë prodhuar e përpiluar nga ana ime, nuk përmendet në asnjë vend.
Kjo është thelbësore si tregues i kryerjes ose moskryerjes së veprimeve?
Po jua shpjegoj siç ka ndodhur. Në muajin gusht rreth datës shtatë apo tetë, na informojnë, konkretisht eprori im, Dritan Muça, ish-shefi i seksionit të krimit të organizuar, më thotë se është kapur në Itali një skaf me dy shtetas, Ferhat Ajdini dhe Fiqiri Seferi. Atë informacion, ia kishin dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e kishte një informacion të ardhur nga pala italiane, siç kishte Guardia di Finnanzza, që bashkpunonim ne në Durrës. Në informacion, na jepeshin të dhënat e personave, kush janë personat dhe gomonia, që ishte gjetur e braktisur. Dhe në gomone nuk ishin kapur sende të paligjshme, personat ishin kapur në një lokal diku më larg dhe këtë informacion ata na e sollën ne, për të mësuar kush ishin personat dhe çfarë përfaqësonin. Këtë informacion e kishim dërguar ne, unë e kam përpiluar me eprorin tim dhe ia kam dërguar Drejtorisë së Përgjithshme. Se kush janë këto persona, çarë përfaqësojnë në zonën ku jetojnë dhe aktivitetin e tyre kriminal që nga vitit 90-të. E kemi përpiluar dhe ia kemi dërguar Drejtorisë së Përgjithshme dhe me sa di unë, i është përcjellë edhe palës italiane dhe është përdorur si material për procedimin e tyre.
Më pas..?
Përveç kësaj më datë 11, ne kemi bërë veprime në terren, kemi kryer veprime kordinuese me stacionin e policisë në Spille, ku është krehur e gjithë zona, bregu i detit. Eshtë marrë informacion nëse kishte varka apo gomone të vjedhura, apo të braktisura, për persona që mund të kishin lëvizur në atë zonë. Eshtë përpiluar plan masash për luftën ndaj trafiqeve. Janë thirrur shtetas të ndryshëm në komisariat për intervista, janë intervistuar për të bërë verifikimet. Janë bërë verifikime, janë përpiluar akte policore, lidhur me veprimtarinë e këtyre shtetasve, janë mbajtur në vëzhgim, është kontrolluar territori. Janë verifikuar edhe lidhjet e tyre famijare, janë mbajtur në vëzhgim dhe mjediset që ata frekuentonin, siç kanë qenë në atë kohë. Ferhat Ajdini kishte një sallë që kishim informacion se mund ta përdorte, është mbajtur në vëzhgim në distancë, është kontrolluar me shërbime rendi, janë bërë shumë veprime policore.
Të gjitha këto veprime në dijeni të eprorëve tuaj?
Patjetër, në bashkëpunim. Të gjithë veprimet janë bërë me urdhër të eprorëve. Më datën 11, kur shtetasi Seferi ishte kthyer nga Italia, është shoqëruar nga policia e kufirit në Portin e Durrësit, në vitin 2016 ka ndodhur. Është shoqëruar dhe mbajtur për dy tre orë , është intervistuar nga oficerët e policisë në atë drejtori, në Drejtorinë e Kufirit dhe më pas, para se të lihej i lirë, shefi i komisariatit dhe shefi i seksionit tim, Dritan Muça, më merr në telefon dhe më thotë: Artur, shiko se ka vajtur patrulla e policisë në drejtorinë rajonale të kufirit në Durrës, për të marrë një shtetas, pikërisht Fiqiret Seferin dhe do ta marrësh, ta intervistosh për qëllimin tonë të punës, për atë që na interesonte ne, se ne e dinim se çfarë përfaqësonte. Pasi kishim të dhëna se këta persona po merreshin me aktivitet të paligjshëm narkotik dhe ishin të dhëna që ne po i verifikonim. Sepse unë tre muaj kisha që kisha nisur në Kavajë dhe nuk i njihja dhe nuk punoja dot me të gjithë. Sepse duhet të dija me kë punoja, se shumë punojnë në polici, por pak punojnë për të.
Erdhi..?
Rreth orës dy vijnë. Më njofton salla, se ka ardhur personi i shoqëruar. U them ma sillni sipër dhe e marr e intervistoj rreth një orë e gjysëm. E marr, e provokoj, pyetjet tona profesionale ashtu si ndodh në polici. Në asnjë moment, në asnjë rrethanë, shtetasi nuk ka deklaruar para meje, se ai është marrë me aktivitet kriminal të trafikut të narkotikëve, që e fakton dhe me deklarimet e dhëna për palën italiane. Italianët, ndër të tjera e kanë pyetur nëse i ke treguar Arturit se me çfarë merresh dhe ai u përgjigjet, jo, asgjë . Pala italiane sërish e ka provokuar i ke dhënë gjë Arturit dhe ai sërish përgjgijet se jo, nuk i kam dhënë asgjë.
Por vjen akuza?
Dhe rezulton se Prokuroria ndaj meje ngre akuzë, se paskam pasur dijeni dhe e kam lejuar trafikimin dhe aktivitetin e tij kriminal, kundrejt marrjes së shpërblimit për vete dhe për të tjerët. Kur ai konkretisht thotë që as kam marrë apo dhënë asgjë.
Po prokuroria ku e bazon pretendimin e saj?
Nuk e di. Në deklarimet e tij, ai flet edhe për një oficer tjetër, një shef tjetër, që nuk ka lidhje me seksionin tim. Sipas dëshmisë i paska dhënë gjoja 6 mijë euro që mua më duket absurd, një Mondi, Mondi dhe mua më duket absurd ky fakt.
Përse?
Sepse mua më është dhënë një urdhër për ta shoqëruar dhe intervsituar, nuk më është dhënë urdhër për ta arrestuar as për ta ndaluar. Kam përpiluar intervistën, ai ka dhënë një alibi, që për mmua krijonte shumë dyshime, një alibi që nuk është aspak bindëse, sepse nuk mund të shkosh i pirë me një gomone me pesë litra benzinë në Itali. Por nejse, këto janë deklarimet e tij, është një alibi e njëjtë me atë që ka përdorur në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Durrës.
Pasi morët deklarimin si vepruat?
Është marrë intervistimi policor, që merret në bazë të fashikullit policor.
E dokumentuat?
Sigurisht, është dosje drejtimi që mbahet nga eprori im, siç ishte në atë kohë e parashikuar.
Dhe pastaj e shoqëruat?
Dhe për fatin e mire, këtë intervistë të tij e kisha të ruajtur edhe në USB, siç kisha dhe akte të tjera policore që lidheshin me këtë episod. Pasi mbarova intervistën kam vënë në dijeni eprorin dhe e kam pyetur se çfarë duhet të bëj. I sqaroj se çfarë ka ndodhur, çfarë ka deklaruar dhe më është dhënë urdhëri shoqëroje për më poshtë dhe vazhdo . Çdo gjë është bërë sipas urdhërit dhe kjo rezulton edhe në librat e shoqërimit të Komisariatit të policisë Kavajë. Dhe çfarë ndodh më e bukura. Për këto episode, prokuroria i mëshon me të madhe faktit, se unë nuk kam vepruar për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit. Kanë bërë rreth 300 fletë në fashikull, pa asnjë lidhje, se unë nuk kam kryer veprime proceduriale për kalim të paligjshëm të kufirit ndaj këtyre dy shtetasve. Kur kjo vepër penale, me urdhër 557 të drejtorit të përgjithshëm të vitit 2014, është e normuar që këto veprime për veprën penale sipas 297 të Kodit penal, kryehen nga oficeri policisë gjyqsore në sektorin e hetimit në Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit. Është vepër e tyre, objekt i punës së tyre. Dhe po të ishte me këtë standard që unë kam marrë dijeni, por nuk kam vepruar, para meje e kanë marrë oficerët e Drejtorisë Rajonale të Kufirit, përse nuk kanë vepruar, por e kanë lejuar të dalë nga dhomat e shoqërimit dhe ta marrim ne.
Përse?
Shiko se çfarë ka ndodhur. Ka debatuar eprori im me ta dhe u ka thënë se kjo është një vepër penale që ndiqet nga ju, ndaj hajdeni dhe merreni dhe kryeni veprimet ju, sepse ne nuk kryejmë veprime për këtë vepër penale. Kanë ardhur nga Drejtoria e Kufirit Durrës, e kanë marrë dhe kanë kryer veprime në orën 7 dhe kjo është e pasqyruar në informacionin e referimit që ka bërë oficeri i policisë gjyqësore atje.
Është e dokumentuar dhe kjo ju ngarkohet ju sot si mosveprim?
Kjo është e dokumentuar dhe kjo është tendencioze nga ana e prokurorëve. Sepse mjaftonte vetëm një shkresë drejtuar drejtorit të përgjithshëm të policisë, ku ti kërkohej të saktësonte se vepra penale, sipas nenit 297 të Kodit Penal, kalimi paligjshëm i kufirit nga kush është detyrim të hetohet, ta ndjekë të kryejë veprime proceduriale për të. Kjo do të saktësonte qartë përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor.
A kanë sjellë prova, fakte, dëshmi prokurorët, për të provuar mosveprimin tuaj?
Shih çfarë ka ndodhur. Ashtu si me personin e parë, ka ndodhur edhe me Ferhat Ajdinin, që ka ardhur me datë 31, rreth tre javë më pas dhe këta i kanë marrë deklarimet dhe kanë kryer veprimet proceduriale ndaj tij. Pastaj e ka marrë Kavaja dhe e kanë sjell të marr unë dekalrimet për pjesën tonë të punës, si oficer i antidrogës për pjesën e Kavajës. Përse për të parin vepruan ndryshe dhe për të dytin ndryshe? Nëse do kishte mosveprime nga ana ime për këtë episod.
Me dy mënyra veprimesh..?
Ndërsa në rastin e dytë me 21 tetor 2016, unë sapo isha kthyer nga leja e zakonshme më informon sërish eprori im, se është kapur gomonia me lëndë narkotike e braktisur, ndërsa personat nuk janë gjendur. Na kishte sjellë pala italiane informacion ku jepeshin të dhënat e varkës dhe personi që ishte pronar. E kemi marrë, kemi bërë shoqërimin e tij, kemi marrë deklarimet e tij me shumë interes, që na lidhte këtë person, me personat që kishin trafikuar lëndën narkotike në Itali
Si vepruat?
Menjëherë, ngaqë ishte me shumë interes, kemi bërë materialet përkatëse, kontroll banesash, shpallje në kërkim dhe kemi bërë aktin e referimit. Kemi dërguar në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë me datë 24 procedimin penal, që është regjistruar me nr 238 në vitin 2016 nga kjo Prokurori.
Dhe 238 kanë themelet e 339?
Kjo është edhe diçka tjetër këtu. Procedimin 339, e kam nisur rreth dy tre javë më pas. Rreth një muaj sapo kisha nisur një procedim të Kavajës, 552, që ishte si të thuash nëna e 339-tës. Sepse nga ajo doli dhe lindi 339-ta. Pastaj më 24 nëntor 2017, transferohem sërish ekspert kriminalist. Duke parë situatën, duke parë pamundësinë për të punuar, jam ndjerë realisht i tradhtuar
Ua keni thënë këtë eprorëve?
Unë kam punuar me forca operacionale edhe në terren, por isha me shpenzimet e mia. Asnjë lek nuk kam marrë nga shteti, asnjë lek. Kam punuar dy tre muaj me forcat operacionale që vinin nga Tirana, jo pak, por shumë persona, me shpenzimet e mia. Asnjë lek nuk kam marrë nga shteti. E dini përse? Sepse nuk bëja dot veprime në kartotekë, as në zyrë tjetër, sepse më dilnin dhe më shiteshin informacionet.
Keni pasur episode ku ju është shitur informacioni?
Kemi pasur. Kam vënë në dijeni eprorin tim. Kemi marrë masa për t’i shmangur. Kishim veprime operacionale e policore, që duhej ti regjistronim në Tiranë dhe jo në Kavajë, sepse këtu shiteshin, dekponspiroheshin. Na kishte ndodhur që dilnin të dhënat dhe detyroheshim të drejtoheshim te Drejtoria e Tiranës.
Gjendja juaj proceduriale ?
Të shpjegojmë rastin e episodit të dytë, sepse është puna ime, janë informacionet e mia…U verifikua që këta dy shtetas. Të shpjegoj rastin konkret të episodit të dytë, siç pretendon edhe Prokuroria. Janë deklarimet që kam marrë unë dhe këta prokurorë të Krimeve të Rënda, ia dërguan palës italiane dhe ata proceduan ndaj këtyre dy shtetasve, në bazë të këtyre materialeve. U lidhën autorët me lëndën narkotike dhe prokurorët thonë nuk ke vepruar.
Pas punës së bërë nga ju u zbuluan autorët ndërsa ju akuzoheni për mosveprim?
Këta mburren dhe bëjnë shou nëpër media me punën time dhe unë jam në këtë situatë. Shih çfarë ka ndodhur . Po me 339-ën, e njëjta gjë. Të shpjegoj një gjë. Ekzekutohen masat e sigurimit. I dërgoj një prokurori një mesazh. Nuk shpresoj as dekorata as shpërblim, por shih kur të më transferojnë apo më internojnë i them. Mos ki merak më tha, se nuk do të merret askush me ty. Pa kaluar muaji, internohem në Shkodër, në Vaun e Dejës.
Sepse kishit prekur..?
Tani atë pjesën e të prekurit e dinë ata më mirë se unë se çfarë kisha prekur, sepse janë pasojat e saj që po vuaj edhe sot. Të të them për episodin e tretë. Unë isha transferuar më 21 dhjetor të vitit 2016. Dosjet i kisha referuar dhe nuk më ishin deleguar detyra, isha shkëputur nga hetimi. Po si është e mundur, nëse është një prokurori profesionale e paanshme, si është e mundur që këta prokurorë, duke pasur dy muaj hetim me metoda proaktive, këta dy shtetas marrin skaf në Itali, e fusin në grykëderdhjen e Shkumbinit, e mbajnë shtatë ditë aty, pa rënë në sy nga policia kufitare, që e ka nën kontroll vijën bregdetare, së paku dy herë në ditë mbikëqyrjen e asaj zone, paskan shkuar edhe në Memaliaj, paskan parë edhe plantacionet me canabis, paskan transportuar nga atje dhe e kanë sjellë këtu. Kanë lëvizur nga atje këtu dhe si ka mundësi, që nuk kanë rënë në interceptim nga ana e prokurorëve?!!!
Nuk ka transkriptime të përgjimeve të bëra?
Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Unë e kam referuar për metoda proaktive, nuk di se çfarë ka ndodhur me ta në këtë procedim. Po si ka mundësi, që prokurorëve u paska shpëtuar kjo.??!! Nuk ka hetim për këtë, nuk ka ndjekje penale për këtë?!!
Eshtë një urdhër i pakryer, i pazbatuar?
Pasojat që kanë ardhur, kanë ardhur për shkak të mosveprimit të tyre. Nëse do të kishin vepruar, përse do të vepronte pala italiane. Ua kam dërguar aktet para dy muajve dhe ata nuk kanë vepruar. Përse nuk kanë vepruar?
Dhe prokurorët e harrojnë këtë veprim sipas jush?
Jo. E fshehin se unë për ta jam një peshk, pasi po të kërkosh aty në atë dosje ka aq shumë peshkaqenë..
Të gjithë këto veprime kanë qënë të konsultuara dhe në dijeni por edhe me urdhër të eprorëve tuaj, si dhe materialet e përcjella nga autoritetet tona, tek italianët?
Eshtë bashkëpunimi ynë, që e kemi kryer me ta. Dhe nuk mund ta mohojë askush, sepse janë fakte të administruarta në fashikull nga ana proceduriale. Kemi edhe anën policore. Shih çfarë ka ndodhur. Unë kam prodhuar punë policore, për të dy shtetasit, për lidhjet familjare apo shoqërore të tyre, për interesin e hetimit. Këto gjëra nuk janë administruar fare nga prokurorët. Nuk e di arsyen. Por kanë administruar të dhëna të tjera.
Të pjesshme..?
Të përiluara nga çeta e policëve në Kavajë, të diktuara nga dhëndri i tij, Sali Skura, kundër meje dhe familjarëve të mi, djemve të mi. Djalin 15 vjeç, ma kanë bërë shpërndarës droge, djalin 18 vjeç, ma kanë bërë shpërndarës droge, mua më kanë bërë shpërndarës droge.
Ku bazoheni në këtë pretendim ku referoheni?
Ta shpjegoj se çfarë ka ndodhur. Këto veprime kanë ndodhur pasi unë u largova nga detyra e specialistit të SHÇBA, në vitin 2020. Kanë ndodhur sepse unë kisha referuar akte proceduriale ndaj tyre në maj të vitit 2020. Vetëm një muaj pasi unë jam larguar nga detyra, në shenjë hakmarrjeje, kanë përpiluar akte proceduriale mbi fakte të rreme. Janë akte proceduriale të përpiluara në bazë të një informacioni apo një raport shërbimi, përpiluar në shenjë hakmarrjeje nga një officer policie, të cilin unë e kam çuar në ndjekje penale për shëprdorim detyre dhe korrupsion. Dhe ai merret i mirëqenë, jepet urdhër për të bërë akte proceduriale dhe janë referuar në prokurori. Është pranuar dhe lejuar kjo shkelje nga eprori tij, nga shefi i seksionit dhe shefi komisariatit, ndoshta është dhe diktuar.
Është porositur?
Ndërkohë mua më kanë bërë kontingjent policie, shpërndarës droge mua dhe fëmijët, në shenjë hakmarrjeje po nga këta oficerë policie që unë kam referuar për ndjekje penale. Është referim që ende fle prej dy vitesh në prokurorinë e Kavajës. Ende nuk i kanë vënë emër, është procedimi nr. 162 vitit 2020, që ata ende nuk i vënë emër, as e pushojnë, por as e dërgojnë dot në gjykatë.
Në ngarkim tuajin dhe fëmijëve tuaj për shpërndarje droge çfarë faktesh dhe provash kishin akuzuesit?
Unë ia di për nder kësaj gjykate, se mora disa të dhëna nga fundi i tetorit të vitit 2021, kur mora një kopje të akteve në gjykatë, të dërguara nga Prokuroria. Dhe në këto akte ndodheshin informacionet, e kam të shënuar se çfarë kanë bërë këta prokurorë . Atëherë shih çfarë ka ndodhur…Më datë 28 /10/2021 kemi tërhequr kopjet e akteve në gjykatë. Aty jam njohur me të dhëna që kjo prokurori ka bërë për mua dhe familjarët e mi. I kishin administruar të dhënat ga komisariati i policisë Kavajë, të dhëna policore në ngarkimin tim dhe të fëmijëve të mi të përpiluara nga Sali Skura me vartësit e tij. Këto informacione policore, unë nuk do i mësoja kurrë, nëse nuk do të merrja aktet në gjykatë. Sepse nesër, nëse do të kërkoja të rikthehesha në detyrë, nuk mund të ndodhte, sepse do të më thonin se ka të dhëna për ty. Ndërsa këtu, unë mësova me detaje se çfarë kanë bërë në shenjë hakmarrjeje çeta e policëve në Kavajë, për të cilët unë kam bërë kallëzim penal.
Dhe çfarë ka ndodhur?
Po si është e mundur që unë bëj kallzim dhe pas tre javësh prodhohen informacione dhe akte policore ndaj meje?! Si është e mundur kjo?!
Dhe me kallzimin tuaj çfarë është bërë?
Me kallzimin tim prokuroria e Shkallës së Parë Kavajë nuk ka bërë asgjë. Kanë ndodhur çudira. Më datë 3 maj 2020, ndodhi një konflikt mes kushërinjve të mi për një automjet. Më vë në dijeni im vëlla dhe unë marr shefin e komsariatit Sali Skura dhe e vë në dijeni se ka një konflikt, ndaj duhen dërguar forcat policore për të menaxhaur që mos rëndohej situata. Bëra informacion edhe drejtorit tim të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme për të mbajtur nën kontroll dhe menaxhuar situatën, që të mos vriteshin njerëzit.
Çfarë reagimi bënë?
Çfarë bënë zoti Sali dhe çeta e tij. Përpilojnë informacione të rreme të dhëna të rreme, sikur unë kisha qenë pjesë e konfliktit, sikur unë kisha nxjerrë armën, gjëra këto të fabrikuara qëllimisht për hakmarrje. Dhe pasi unë largohem nga detyra, me kërkesën time, këto trima shkojnë dhe prodhojnë në bazë të fakteve të rreme edhe akte proceduriale, duke më vënë në konflikt mua babanë tim, vëllanë tim, sikur unë dhe këto të dy duam të vrasim tre kushërinjt tanë, lidhur me sherrin e tokës që nuk kishte asnjë lidhje
E dërguan në prokurori?
Po, e dërgojnë në prokurori dhe prokuroria në 15 qershor të 2020 e regjistron si kallëzim dhe më datë 30 qershor vendos mosfillimin. Pasi mësova për këto veprime dhe akte rreth meje, kam kërkuar nga Prokuroria e Kavajës të marr kopje të akteve. Rreth datës 28 dhjetor na është dhënë përgjgije, duke më dhënë kopje të akteve. Kam marrë të afërmit e mi dhe i kam pyetur të thonë nëse unë kam qenë pjesë e këtij konflikti të pretenduar, cili ka qenë konflkti dhe çfarë marrëdhëniesh kemi ne me njëri-tjetrin. Ata kanë konfirmuar se nuk ka asnjë lidhje me konfliktin dhe marrëdhëniet tona janë shumë të mira, por është një tendencë e policisë së Kavajës për të na futur në sherr
Si vepruat?
Mora këto të dhëna dhe i bëj informacion drejtorit të SHÇBA, Muhamet Rrumbullaku e vë në dijeni për këto zhvillime dhe hetime të kryera nga komisariati i policisë dhe drejtohem me kallëzim më datë 17 mars, për 7 oficerë të policisë së komisariatit Kavajë, për veprimet arbitrare të kryera ndaj meje dhe familjarëve të mi dhe dy djemve të mi. Prokuroria dy javë më pas, më 2 prill vendos mosfillimin e çështjes penale, për arsye se nuk ka prova dhe fakte. Me datë 7 kam bërë ankimim por ende nuk kam sot, pas pesë jasvësh, asnjë dijeni se çfarë po ndodh me kallëzimin dhe ankimimin.
Ankime në institucione të tjera?
Po kam bërë ankesë dhe te Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Institucionit të Mbrojtjes Kundër Diskriminimit, për këtë vendim skandaloz të prokurorisë, ndonëse kam paraqitur prova bindëse. Të lejosh dhe tolerosh një institucion të prodhojë fakte dhe prova të rreme, duke dëmtuar fëmijët. Fëmijët e mi kanë barrë këto të pavërteta, ata e ndjejnë peshën e kësaj. Kanë rënë në mësime, janë shokuar dhe kanë kaluar një gjendje të rëndë psikologjike.
Ju përmendët se një nga dosjet problematike me regaim të fortë mund të ketë qenë dhe dosja 339, apo dosja tjetër e nisur prej jush që ishte nëna e saj, 552?
Tani janë dhe disa gjera që nuk mund të thuhen. Por unë si oficer i policisë gjyqësore, kisha marrë disa të dhëna operative me shumë interes dhe bëra një material. Fillimisht parandalues, në muajin gusht të vitit 2016, material parandalues për të mbajtur në përgjim këta persona. Por ky material, nuk u pranua nga Prokuroria për t’u marre në përgjim aso kohe, ndonëse ishte 283/2 prodhim e shitje në bashkëpunim.
Si vepruat më pas?
Më vonë, jam ulur e kam bërë një referim edhe për 238 të vitit 2016, bëj një referim të ri, dhe për çështjen e Kavajës. Sepse kishte shumë të dhëna dhe ishte shumë aktiv në territor dhe me mirëkuptimin e prokurorit të rrethit, e filluam procedimin penal. U regjistrua me numër 552. Filluam me mjete proaktive dhe na dolën gjëra me shumë, shumë interes, për hetimin. Por duke parë tkurrjen apo ndoshta trembjen e prokurores së çështjes, apo edhe disa zyrtarëve në polici, e kemi bërë referimin e komisaritatit Kavajë, te Krimet e Rënda, pa treguar sepse menduam se do kishte trembje apo shqetësime.
E referuat te Krimet e Rënda, çfarë ndodhi?
Po ashtu menduam me eprorin tim, sepse kishte të dhëna me shumë interes për hetimin, pavarësisht se atje dështoi dhe e dinë ata vetë, përse ndodhi kështu. Kemi mbajtur disa javë, duke kryer veprime proceduriale me këtë dhe në fund të vitit 552 u tërhoq nga Krimet e Rënda. Më pas, jam shkëputur nga çështja. Madje nga prokurori i çështjes, më është kërkuar në atë kohë, të komandohesha atje. Por unë nuk pranova. Duke parë që kishte edhe shumë thika pas shpine. Ai ishte i pakënaqur me punën e oficerëve të tij në atë kohë dhe mund të merrej një urdhër komandimi për mua, por unë e refuzova atë pjesë.
Gjithë këto muaj në arrest shpie, në hetim, sa herë jeni marrë në pyetje nga Prokuroria dhe kur keni dhënë deklarimet tuaja para apo gjatë hetimit?
Nga prokurorët e çështjes jam vënë në dijeni që në tetor të vitit 2019, me të dhënat e të penduarve, deklarimet e tyre, si për mua edhe për shumë të tjerë. Ndërsa për mua kanë vepruar në këtë mënyrë, për të tjerët jo. Janë liruar dhe e dinë ata përse ka ndodhur kështu.
Liruar?
Madje ka disa të tjerë që janë në rrethana shumë herë më të rënduara se unë, por ata ecin..
Janë veçuar ata që janë akuzuar për trafik droge dhe jo ju për shpërdorim detyre. Deklarimet tuaja kur janë dhënë?
Unë deklarimin tim nuk e kam dhënë akoma. Hetimi është mbyllur, është çuar në gjykim. Pres të jap deklarimin tim dhe s’e jap dot, sepse nuk po bëhet asnjë seance gjyqësore me gjyqtarin paraprak, sepse në 12 seanca 10 janë shtyrë.
Sa ka zgjatur hetimi?
Hetimi ka zgjatur rreth gjashtë muaj. Realisht sipas materialeve unë jam marrë në hetim me 23 qershor 2016, sipas kopjes së akteve të marra në gjykatë. Më datë 30 qershor të vitit 2021 është marrë masë arresti shtëpiak pa më marrë asnjë deklarim, as vënë në dijeni. Çfarë ndodh?! Unë jam oficeri i policisë gjyqsore që kam referuar të dhëna ndaj dy shtetasve, atyre dy personave për trafikim të lëndëve narkotike. Dhe kjo prokurori, merr të mirëqena dekalrimet e personave pa më marrë mua një deklarim. Pa bërë një verifikim të dokumentacionit apo të fakteve dhe rrethanave nëpër institucioneve zyrtare. Siç janë komisariati i policisë Kavajë, sekretariati i policisë Kavajë, sekretaria e Prokurorisë, nëse unë kam vepruar procedurialisht, apo nga ana policore me këta shtetas. Merren të mirëqena ato deklarime dhe më merr mua në hetim, pa më marrë asnjë deklarim. Ku është parë kjo? Cili është standardi këtu?
Nuk ka asnjë deklarim?
Po, nuk ka asnjë të tillë. Se po të kishte nuk do isha as unë këtu dhe as në këtë bisedë. Pavarësisht se ka shumë rrethana të tjera që ata e dinë se çfarë kanë bërë në mënyrë tendencioze. Por unë isha oficeri i policisë gjyqësore që kisha referuar ndaj tyre dhe prokurorët kishin detyrimin ligjor minimal, që duhej të më merrnin deklarimet. Po të shohësh dosjen time, ata ose e paskan bërë gati grepin për të më kapur mua, ose kanë bërë kurthin shyqyr që erdhi ky dhe foli, tani ta kapim këtë. Se po të ishte i njëjti standard, do të ndodhte ndryshe.
Po ju keni verpuar jo vetëm?
Ka dhe çudira të tjera aty. Nuk jam i vetmi unë që veproj, apo vendos në komisariat. Unë jam hallka e fundit. Ka një zinxhir komandues. Veprimet e mia kalojnë në filtra eprorësh. Pa rënduar asnjërin nga ata oficerë. Kam pasur një epror timin, që quhej Dritan Muça dhe një shef komisariati. Këto ishin varësia ime.
Eprorët ishin në dijeni..?
Unë po them rezultatet. Kam gjashtë vjet që jam shkëputur nga detyra. Le të marrin rezultatet e punës sime në gjashtë muaj dhe t’i krahasojnë me gjashtë vite pas meje. Nëse kanë bërë në gjashtë vjet, sa kam bërë unë në gjashtë muaj, atëherë kanë të drejtë ata.
Pra, deklarimet tuaja nuk janë marrë?
Ju thashë dhe një herë. Këta më morën në hetim, pa më marrë deklarim, vendosën masë sigurimi pa më marrë deklarim, mbyllën hetimin pa më marrë deklarim. Dhe pasi mbyllën hetimin, më njohën me akuzën, morën një deklarim sa për sy e faqe dhe nuk donin të më jepnin një kopje të deklarimit të bërë.
Kishit kërkuar gjatë hetimit?
Gjatë hetimit kam dërguar promemorje për kryerje verpimesh nga ana e prokurorëve, por nuk më kanë kthyer përgjigje. Sepse ata kanë detyrimin të gjejnë provat dhe faktet. Kanë barrën e proves. Këtë gjë nuk e kanë bërë asnjëherë në rastin tim.
E njëjta gjë edhe në gjykatë?
Po sigurisht. Kemi pesë muaj që jemi në gjyq dhe nuk po arrijmë të japim deklarimin. Sepse shtyhen seancat pa fund. Herë mungon gjyqtari dhe herë prokurori, herë avokatët dhe kështu na mbajnë pezull.
Ku ju lidh me episodet e kësaj dosje të madhe prokuroria, me fakte dhe prova në këtë procedim, apo episode të tjera?
Momentet e para kur jam njohur me vendimin e masës së sigurimit, thjesht jam njohur me deklarimet e mia, që u kisha marrë shtetasve që janë në hetim dhe asgjë tjetër. Asnjë provë. Dhe e njëta gjë po ndodh aktualisht. Nga tetori 2019 deri në qershor 2021, kur kanë vendosur të më marrin në hetim, nuk ka pasur ndonjë të dhënë që rëndonte pozitën time proceduriale. Përse vepruan në atë moment, përse nuk vepruan më herët?!
Ju i dini përgjigjet e përseve?
Po, natyrisht që unë i di. Vendos masë sigurie nuk ka asnjë provë, s’e kuptoj çfarë pushteti marrin në këtë mënyrë prokurorët . Shoh edhe gjyqtarët që rrinë të trembur para prokurorëve. I kanë bërë gjyqtarët si noterë.
Certifikojnë kërkesat e tyre ?
Çfarë thotë prokurori vendos gjyqtari . Këtu shoh njënashmëri, tendencë dhe paaftësi. Sjell kërkesën për gjykim dhe më ke marrë të pandehur, po cilat janë provat dhe faktet? Nuk ka.
Si reagojnë prokurorët?
Asgjë., Kur dorëzohet dosja për gjykim dorëzohet me prova dhe me fakte, nuk ka asgjë tjetër shtesë. Lexon akuzën dhe nuk sjell provë për ta mbështetur dhe mbrojtur pretendimin e tij.
Përse nuk kërkoni rihetim?
Kam kërkuar me promemorje dhe nuk më kthyen përgjigje. Tani pres gjatë seancave të paraqes kërkesat paraprake nëpërmjet avokatit, të ngremë pretendimet tona për mosveprimet e prokurorëve dhe veprimeve të njëanshme.
Mendoni se mund të kërkojë gjykata të rihetohet?
Do ishte e duhura, por kjo ndodh në një shtet demokratik, jo tek ne. Unë do e kërkoj, do të kërkoj të drejtën time deri në Strasburg. Sepse më kanë rënë në qafë mua dhe familjarëve të mi, më kanë rënë në qafë për punën që kam bërë, jo për atë që nuk kam bërë.
Është bërë një hetim i thelluar?
Jo. Hetimi është i njëanshëm dhe tendencioz. Sepse ata nuk kanë marrë aktet që unë kam përpiluar, por kanë marrë informacione të rreme të përpiluara nga dhëndri i prokurorit me çetën e tij në Kavajë. Kanë përdorur akte proceduriale të ndaluara në bazë te nenit 151/4 të Kodit të Procedurës Penale. Me një fjalë janë akte, që një prokurori ka vendosur mosfillimin dhe ti më pas, merr dhe i përdor në gjykatë, për të më rënduar mua situatën proceduriale.
Ju në punën tuaj keni pasur shumë çështje, si të trafikut të drogës, të shërbimit të kontrollit të brendshëm, investimet e paligjshme në bregdet, kjo punë ka prodhuar elementë trysnie dhe presioni?
Në mesin e muajit mars, të vitit 2020, më emëruan në detyrë specialist i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Durrës, ku mbuloja Komisariatin e Kavajës dhe stacionin e Spillesë. Kishim të dhëna. Na kishin ardhur të dhëna operative edhe nga shërbime të tjera ligjzbatuese se oficerë policie të komisariatit të Kavajës dhe në drejtori të tjera, ishin implikuar në veprimtari korruptive në drejtim të mitmarrjes. Sepse kishin lejuar ndërtime të paligjshme në zonën bregdetare të Golemit apo të Spillesë, kundrejt marrjes së përfitmieve materiale, për vete dhe për të tjerë.
Çfarë veprimesh bëtë?
Kemi përgatitur material. Isha i ckatuar nga drejtuesi im në atë kohë, për të përgatitur material dhe për ta referuar në Krimet e Rënda. E përgatis materialin dhe siç ndodh, vë në dijeni eprorët tanë, deri tek ministri i Brendshëm.
Deri te minsitri?
Po, deri te ministri. Dhe pasi janë njohur siç më është thënë mua se, materialet nuk do të shkojnë në SPAK, por në Prokurorinë e Shkallës së parë në Kavajë. Duke ditur rrethanat, lidhjet, rrethet e vogla, bashkëpunimin prokurori polici, mendova se do ta dështonin.
Mendoni se kallzimi ishte tagër për SPAK?
Natyrisht për Prokurorinë Speciale, sepse ishte shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe njerëzit e përfshirë ishin tagër i kësaj prokurorie. Por ata e rekomanduan ndryshe dhe ashtu vepruam. Tre ditë pasi u referua në Kavajë, ka pasur një reaksion të madh ndaj meje dhe familjarëve të mi.
Në çfarë mënyre në ç’drejtim?
Jam kanosur me burg. Fëmijët e mi i kanë cilësuar trafikantë droge, babain dhe vëllanë i kanë quajtur autor vrasjeje. Të afërm të shefit të komisariati Kavajë më kanë sjellë lajmës, se mos u merr me Sali Skurën, sepse do të shkosh në burg dhe ja ku jam. Paskan pasur të drejtë ata.
Përveç kansojes me burg, tjetër kërcënim?
Kam pasur edhe kanosje nga persona me veprimtari të theksuar kriminale, ndërtues, me mesazhe zanore, të cilat ua kam bërë me dije eprorëve, ku jam kërcënuar me jetë, lidhur me detyrën. Pasi jam shitur nga oficerët e policisë së komisariatit Kavajë.
Shitur?
Sepse unë marr informacion, marr dijeni se në Golem është duke u ndërtuar dhe i them shefit të komisariatit, Zotëri të lutem ke ndërtim të paligjshëm, ke dijeni?! Më përgjigjet që nuk ka dijeni dhe do të dërgojë forcat në terren. Pas një ore, mua më vjen mesazhi i kërcënimit në telefon. Nga e mori vësh kanosësi se unë isha referuesi kallzimit? Pasi unë kisha folur me shefin e komisariatit!
Krasniqi, reagimi juaj vjen pas katër viteve përballje, me trafikun, sipërmarrje të paligjshme, polici të inkriminuar, hetime të nisura, përse kaq vonë vendosët të reagonit?
Në momentin që janë ekzekutuar masat e sigurimit të dosjes së njohur 339 që atëherë kam pritur reaksionin dhe reagimin e personave të përfshirë në të. Ka ndodhur në tetor të vitit 2018. Që në atë kohë kam pritur të ndodhte kjo që ka ndodhur tani. Sepse shikoja reagimet. Në kupolën e Policisë së Shtetit, për fatin tonë të keq si komb, ka ende falanga të Sigurimit të Shtetit. Ka falanga që dirigjojnë Policinë e Shtetit dhe janë ata themelet që drejtojnë, duam apo nuk duam ne ta pranojmë.
E prisnit menjëherë nisjen e procedimit të dosjes 339..?
Në atë moment, në krye të Komisariatit të Kavajës erdhi një ish-sigurims dhe filluan kulisat, kurthet, intrigat. Bënin skema dhe një muaj pas ekzekutimit të masave të sigurimit të dosjes 339-të, më vjen në zyrë dhe më thotë se më vjen keq, por të kanë transferuar me detyrë në Shkodër në Vaun e Dejës. Më tha shefi i komisariatit. Motivacion nuk ka, thjesht për kërkesa pune.
Përse atëherë?
Problemi është se ky di shumë dhe nuk na duhet nëpër këmbë. E bukur është lidhur me këtë. Ish-prokurorin e çështjes në atë kohë e vë në dijeni për problemin. I drejtohem me memo drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kërkoj takim, dërgoj memo edhe ministrit të Brendshëm të asaj kohë. Takoj drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit në zyrën e tij dhe kemi debatuar jemi konfrontuar me fjalë.
Me titullarin e Policisë?
Po me Ardi Veliun. Dhe pa pikë turpi, një nga drejtuesit më të paaftë të policisë së shtetit, Veliu, më thotë se ti nuk ke lidhje fare me procedimin 339, ti nuk ke lidhje fare. Sepse i kisha shkruar. Kujt i bëtë nder që më transferuat? Zotëri i thashë, më tregoni kujt po i bëni nder me largimin tim? Sepse dikujt po i bëni nder dhe nëse më ndodh diçka do të mbani përgjegjësi penale ti dhe ata që më kanë transferuar mua. Ndërkohë kisha takuar dhe drejtorin e burimeve njerëzore Nikollë Hysën. I them si më transferove, unë isha ekspert kriminalist, si më dërgove të hetimi? ‘Përse ekspert kriminalist ishe ti?’- më përgjigjet.
Nuk dinin fare çfarë ishit, drejtori Veliu tha nuk ke lidhje me 339-ën?
Jo tha nuk ke lidhje fare me 339-tën. Para meje pyeti drejtorin e krimit të organizuar, po ai nuk ka qenë në atë detyrë kur janë bërë hetimet e 339-ës. Ishte dhënë urdhër të më largonin dhe ai ishte i pafuqishëm në atë pjesë. Në vend që të ndryshonin vendim, më thanë vazhdo disa kohë atje se të rregullojmë ne. Takova prokurorin e Krimeve të Rënda. Ai ishte shumë dashamirës. U lidh me zëvëndësdrejtorin dhe drejtorin e hetimit.Bëmë dhe një memo por nuk çante dot. Derisa foli zoti Vangjeli në “Opinion”, nuk di ku e kishte marrë atë informacion, filluan të më shkruajnë strukturat. Që mos kem frikë, se nuk të rrezikohet jeta.
Nga vinin këto sulme?
Të thashë pak më herët. Segmente të Policisë së Shtetit në shërbim të krimit të organizuar. Për fatin e keq, ashtu siç kisha të dhënat e mia edhe nga SHÇBA, do ikja. Se do të jepnin 100 mijë euro që të ikja domsodoshmërisht nga Kavaja.
Do paguanin për t’ju larguar?
Do paguanin se duhej të largohesha, të më largonin nga Kavaja.
100 mijë euro për t’ju hequr?
Po, 100 mijë euro,
Ku do i paguanin?
Atë e dinë ata që e bënë. Krahas kërcënimit me burg dhe me jetë, kishte dhe variante të tilla. I kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm të SHÇBA, në atë kohë në zyrën e tij, me mirëkuptim të jap dorëheqjen, sepse nuk kam ndërmend më të lëviz të mbetem konvikteve nëpër Shqipëri. Plotësova kërkesën me shkrim dhe u largova.
Krasniqi kjo është një pjesë e rrëfimit tuaj të pambaruar, do vijoni me kallzimin e plotë?
Do vijoj ta bëjë deri në fund këtë derisa e drejta ime të vihet në vend. Është cenuar e drejta ime, e fëmijëve të mi. Kush është prind më kupton, dhe kjo është shumë e rëndë. Sepse ta bësh fëmijën me njollë që 15 vjeç atij i prishet jeta. Me informacione policore si në vititn 1947. Ata kanë vlerë sot, është sigurimi që drejton. Këta shkojnë nga autorët te prova dhe jo nga prova të autorët. Këta gjejnë një autor, pastaj ia gjejnë provat, ia mbledhin.
Kallzimi juaj do të vijojë?
Kallzimi do të vijojë sepse kam shumë për të folur dhe do i marr hap pas hapi. Dua të theksoj dhe tendencën ndaj meje, se si kanë vepruar me tendencë prokurorët ndaj meje.
Ku dhe si e kanë shprehur tendencën, me veprime apo mosveprime?
Më kanë lënë kohë të merrem me letra. I vetmi përfitim që mora nga policia, ishte diabeti, sëmundja. Nuk më lënë as të vizitohem. Kam bërë pesë kërkesa me shkrim prokurorit për ekzaminim. Sepse jam me diabet. Jam me tension. Janë me kartela dhe regjistra mjekësh. Dhe me 7 maj 2021 jam operuar. Bëra ndërhyrje koronare, kam vendosur një stendë, kam dhe një tjetër të bllokuar, e kam me 50 përqind. Tani nuk di se ne cfarë përqindje janë, kam dhe të tjera me bllokime 25 përqind.
Si reagon prokuroria?
Prokuroia e quan normalitet. Për të, këto sëmundje janë asgjë. Me trajtojnë sikur kam bërë nja 18 vrasje. Sikur të jem kriminel, jo një officer policie që kam sakrifikuar nga fillimi gjer në fund.
Dhe u desh ndërhyrja e gjykatës?
Po u desh vednimi i gjykatës dhe me sa di mund të jem rast unik, që duhet të më jepet mundësia të bëj vizite te mjeku nga gjykata, kur është e mjaftueshme një autorizim nga prokuroria.
Edhe kjo në vazhdën e tendencës?
Dua ti rikthehem kësaj, përse u veprua ndaj meje. Krahas 339-ës, janë dhe dosje të tjera. Por unë thjesht kisha bërë detyrën. Nëse nuk do e kisha bërë, mbase nuk do më ndëshkonin. Unë veprova dhe e pësova. Ky është motiv për të punuar sot në Policinë e Shtetit.
Ka masa ekstreme për pamundësinë e mjekimit tuaj?
Eshtë një tendencë e ashpër ndaj meje pasi nuk është vlerësuar në asnjë moment puna ime në Policinë e Shtetit. Prokurorët janë mburrur nga puna e nisur prej meje. Janë sot këtu me hetimet e mia. Dhe nuk duan t’ia dinë fare se gjendja ime shëndetsore është copë-copë. Nga viti i kaluar, kur unë jam marrë në hetim, nga gjendja ime, nga stresi që kam kaluar, kam kaluar me mjekim me insulinë. Janë fakte me dokumente mjekësore. Me epikriza mjeksore. Për prokurorët nuk përbën problem. Profesori që më ka bërë ndërhyrjen për koronaret, më kërkon që të paktën duhet të eci 5 kilometër në ditë, për zemrën, nëse e do jetën më thotë, nëse nuk e do mos lëviz.Prokurorët nuk e marrin të mirëqenë dhe nuk më lejojnë.
Përse, keni rrezikshmëri të lartë shoqërore?
Unë jam shumë i rrezikshëm. Nuk e di me kë më krahasojnë. Mund të jem rast unik në botë, që të kem tre sëmundje kronike të rënda, dhe më lënë në arrest shpie. Kur mjeku kërkon detyrimisht të lëviz. Kam dërguar dokumentat shëndetsore nga disa grupe mjekësh. Dhe ai më thotë në seancë më dukesh mirë, më viziton me sy. Thotë më duket mirë, duke bërë ironi me gjykatën. Nuk më kanë lejuar të bëj kontrollet e zemrës. Kam një vit që jam operuar dhe nuk bëj dot kontroll se nuk më japin leje. Paturpësisht në seancë thonë ne japim leje nuk kemi penguar. Ndërkohë që unë kam dërguar disa herë nëpërmjet avokatit tim, duke kërkuar që të më lejojnë dhe nuk e kanë përfillur kërkesën time. Duke lënë hapur të duket tendenca dhe njëanshmëria. Ndoshta kanë frikë të mos shkelin urdhrin e dhënë ose të marrë nga diksuh tjetër.
Personat që kam referuar për trafik narkotikësh janë dërguar për kompetencë në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ndërsa mua denoncuesin e tyre, më mbajnë te SPAK për shpërdorim detyre. Është urdhër. Nëse jo, të më provojnë të kundërtën.
Ajo që mund t’i kërkoni prokurorisë dhe gjykatës?
Kërkoj vetëm drejtësi. Kërkoj të merren provat me profesionalizëm, pa njëanshmëri, por jo nga këta prokurorë. Nga kushdo tjetër, Thjesht të merren provat që mbahen të fshehura. Provat që nuk janë administruar, nepër sekretari, nëpër kartoteka, që ata qëllimisht nuk i kanë marrë.
Jeni ankuar ndaj punës së deritanishme të prokurorisë?
Ende nuk e kam bërë, sepse jemi duke mbledhur faktet dhe provat, rrethana të tjera, ndonëse kam prova dhe fakte për këtë çeshtje. Pasi kanë vepruar në mënyrë të njëanshme dhe tendencioze ndaj meje. Sepse kushdo prokuror që të ishte, po ta marrë dosjen ta shohë, të shohë provat, thëniet e deklarimet e mia, do vendosë ndryshe. Nuk mund ta imagjinoja që prokurorët e SPAK, të shkonin deri këtu, që të më marrin mua në hetim thjesht për të marrë hak. Zbatojnë urdhërin para ligjit dhe po e lejojnë veten që të përdoren. Por do të vijë koha e pensionit për të gjithë.
Pjesa e parë e rrëfimit, nuk do e ndalni kallëzimin tuaj?
Unë do i shkoj deri në fund dhe do të kërkoj të drejtën time dhe të fëmijëve të mi. Shpresoj që gjykata të tregohet objective. Të vlerësojë me objektivitet provat dhe faktet. Të marrë provat e mia. Sepse akuza ndaj meje ka zero prova…
Vijon….