Përveç vrasjeve me pagësë, grabitjet kanë qenë një tjetër aktivitet i Nuredin Dumanit dhe grupit të tij. Në rrëfimin për hetuesit e SPAK ai ka rrëfyer edhe grabitjet e para të tij.
“Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe.
Ilirin e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha më paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit. Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shume prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra.
Pistoletë jugosllave me sa mbaj mend Zastava. Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat.
U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën. Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makine benz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250.
Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe. Në shtëpi kam shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3 të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Eshtë shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumë 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja” – ka rrëfyer Dumani.
Në dosje prokuroria thotë se në këtë vjedhje autorët e përfshirë janë Ilirian Feci (i proceduar veçmas), Gentian Sharra, Talo Çela dhe Nuredin Dumani.
Një tjetër grabitje ka qenë më pas ajo më 31 maj 2013 në fshatin Marikaj të Vorës në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të Gëzim Mamiut.
3 persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur një personi që kishte shkuar si klient 7 000 euro dhe një aparat celular të markës samsung me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9 000 euro, 760 000 lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit.
“Grabitja e rradhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde.
Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin “………….”. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura.
Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë skisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov.
Shkova tek makina e personit një C Class dhe thyeva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro” – thuhet në rrëfimin e Nuredin Dumanit. SPAK thotë se në grabitje morën pjesë Dorjan Shkoza (i vrarë aktualisht), Talo Çela dhe Agim Gjini.
Një tjetër vjedhje është bërë në 20 prill 2017 në Berat për të cilën Dumani ka dhënë dëshminë.
“Në vitin 2017 kam dalë nga burgu dhe tek dera e burgut të Rrogozhinës më pret Talo Cela me një Benz E class ngjyrë vishnjë e vitit 2012. Së bashku me të ishte dhe shtetasi Dorian Shkoza dhe më kanë çuar në shtëpi. Pas disa ditësh më tha Talo për një grabitje ku do te merrnin pjesë shumë persona.
Ishte një shtëpi në një fshat të Beratit dy katëshe nga Poshja e Beratit ose Kosova se mbaj mend fiks. Më ka lajmëruar Talo në telefon me sms duke më thënë “hajde duku”. Kam shkuar tek vendi i quajtur Pilafi duke i marrë një kushëririt tim një Porche Cayen dhe aty kam takuar personat Talon, Eljo Bitrin, Kel Kamamin, Gent Sharren.
Kemi qëndruar 1,5-2 orë dhe më pas kemi shkuar tek kafja e Gent Sharres duke pritur qe të errësohej. Në afërsi të servisit të Gent Sharrës Talo kishte një garazh pronar i së cilës do të vinte me ne të merrte pjesë në vjedhje. Këtë person nuk e kisha parë asnjëherë dhe nuk ia di emrin.
Shkuam e morëm tek garazhdi këtë person dhe në mjetin që do të përdornim në vjedhje kemi hypur unë, Talo Çela dhe Eljo Bitri. Ky ishte një benz C class i vjedhur. Në afërsi të Belshit jemi takuar me Kel Kamanin që ishte së bashku me tre persona të tjerë të cilët nuk i njihja. Keli ishte me një mjet C class edhe ai të vjedhur. Jemi nisur të dy makinat në drejtim të fshatit ku do të kryenim grabitjen. Kemi parë një herë zonën nga larg ku ndodhej shtëpia dhe kemi bërë rrethimin e shtëpisë.
Plani ishte që unë me Kelin do të thyheshim derën të hynim brenda sepse informacioni ishte se në shtëpi kishte shumë njerëz. Kemi vënë re se një prej personave të shtëpisë ndez dritën dhe shkon në banjë. E pamë këtë moment si të përshtatshëm që të hynim në shtëpi. Unë kisha në dorë kallashnikov dhe Keli kishte po kallashnikov.
U mbajtëm me njëri tjetrin dhe të dy njëkohësisht i ramë derës me shkelm. Dera u hap dhe ajo ra në tokë. Neutralizuam burrin që ishte në tualet dhe hynë çunat e tjerë. Unë me Kelin mbajmë burrin dhe gruan dhe të tjerët kontrollonin për lekët. Njëkohësisht pyesja burrin se ku i kishte lekët. Ai thoshte që nuk kam. Pasi kemi qëndruar rreth 20 min duke kontrolluar s’gjetëm gjë lekë vetëm një pistoletë TT.
E morëm pistoletën, telefonat ua thyem për të mos patur kontakt dhe marrim gjithashtu dhe benzin e të zotit të shtëpisë dhe largohemi. Benzi ishte E class ngjyrë gri prodhim i vitit 2004-2005. Për tu larguar marrim rrugën Berat-Lushnjë Fier. Në Fier pa shkuar tek rotondo e fundit hedhim benzin në një kanal.
Tentuam që ta hedhim por ai nuk ra plotësisht. Kthehemi me dy mjetet dhe marrim rrugën për në Elbasan për nga Rrogozhina. Pistoletën e mbajtën nuk e di se kush dhe unë pas disa kohësh kam shkuar në Francë ku më pas rashë në burg, në Bordo” – ka thënë Dumani.
Prokuroria arsyeton se në këtë episod janë përfshirë Nuredin Dumani, Talo Çela, Eljo Bitri, Gentjan Sharra, Mikael Kamani dhe persona të paidentifikuar.