Të gjitha bankat, pa përjashtim, sot ofrojnë shërbimin e internet banking, si dhe karta dhe terminale për të kryer dhe për të pranuar pagesa elektronike. Pjesa dërrmuese e pagesave që kalojnë nga sektori bankar ot mund të kryhen në kanale dixhitale.
Sistemi bankar duket të jetë ndër sektorët më të avancuar në ofrimin dhe promovimin e dixhitalizimit të shërbimeve.
Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, u evidentuan përparime të rëndësishme për sa i takon depërtimit të shërbimeve bankare në shoqërinë shqiptare.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë, rreth 66% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Në vitin 2018, kur nisi zbatimin strategjia kombëtare e pagesave me vlerë të vogël, vlerësohej se vetëm 40% e shqiptarëve të rritur e kishin një llogari në bankë.
Vlerësimet tregojnë se gjatë katër viteve të fundit, ky tregues është përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe është një ndër indikatorët që ilustrojnë rolin në rritje të bankave në shoqërinë shqiptare. Bankat kryejnë funksionin e rëndësishëm të ndërmjetësit financiar në shoqëri: ato pranojnë depozita, japin kredi dhe mundësojnë kryerjen e pagesave, duke qenë hallkë e rëndësishme e funksionimit dhe zhvillimit të ekonomisë.
Në ekonominë shqiptare, roli i tyre është edhe më i lartë krahasuar me ekonomi më të zhvilluara, edhe për shkak të mungesës së tregjeve të kapitalit. Një depërtim më i madh i shërbimeve bankare në shoqëri është i rëndësishëm për më shumë përfshirje financiare, por edhe për të ulur informalitetin, për të kultivuar konkurrencë të ndershme mes bizneseve në tregje dhe për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Zhvillimet e shpejta teknologjike janë reflektuar edhe në kanalet e ofrimit të shërbimit nga sektori bankar. Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve të pagesave bankare, ofrohen në distancë, nëpërmjet internet banking, kartave dhe terminaleve automatike për procesimin e pagesave. Madje, edhe një pjesë e shërbimeve të tjera, që nuk lidhen direkt me pagesat, mund të merren në distancë, nëpërmjet aplikacioneve bankare.
Nga ana tjetër, është e vërtetë që kanalet dixhitale që ofron sektori bankar ende nuk shfrytëzohen plotësisht nga klientët, në të gjitha dimensionet dhe potencialet e veta. Kjo është e lidhur me informalitetin ende të lartë, varfërinë dhe edukimin e pamjaftueshëm financiar, sfida të mëdha dhe afatgjata për shoqërinë.
Shërbimet, për të cilat ngelet e domosdoshme prania fizike, janë kryesisht ato të lidhura me nevojën për firmë të klientit, në një kontratë të detyrueshme ligjore, si për shembull kontratat e kredisë, ato të hapjes/mbylljes së llogarive rrjedhëse, etj.
Pamundësia për të ofruar këto shërbime në distancë nuk vjen edhe aq nga mungesa e vullnetit të bankave, por kryesisht për shkak të paqartësive ligjore që ekzistojnë ende lidhur me nënshkrimin në distancë. Si bankat, ashtu edhe institucionet financiare jobanka, në vitet e fundit po lobojnë për të krijuar një kuadër të qartë ligjor dhe teknik, që do të mundësonte nënshkrimin e kontratave në distancë.
Shoqata e Bankave: Nuk jemi të vonuar në dixhitalizim
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se shërbimi që ofrojnë sot bankat shqiptare ka evoluar ndjeshëm në dekadën e fundit, me një orientim të qartë drejt automatizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve.
Sipas tij, ATM-të janë bërë si një mini degë bankare, ku mund të tërheqësh dhe të depozitosh para, të kryesh pagesa dhe të marrësh informacion. Ndërsa e-banking është shërbim që shoqëron mbajtësin e llogarisë kudo që ndodhet, mjaft të ketë një smartphone ose një kompjuter dhe internet.
Sipas tij, vetëm në bankomate (ATM) dhe pikat elektronike të shitjes, bankat kanë investuar mbi 20 milionë euro, përfshirë rinovimin e fondit të ATM-ve dhe zëvendësimin me pajisje që mundësojnë zgjidhje më të avancuara.
Sot, të gjitha bankat, ofrojnë shërbimin e internet banking. Sipas ekspertëve, vetëm për të ngritur një platformë e-banking nevojitet një investim mesatar prej rreth 400 mijë Eurosh, por kjo shumë mund të jetë edhe shumë më e madhe në madhësi të shërbimeve dhe funksionaliteve që ofron.
Më tej, këto platforma kanë kosto periodike mirëmbajtjeje dhe funksionimi që, gjithmonë sipas ekspertëve, janë në intervalin midis 10% dhe 20% të vlerës së investimit çdo vit. Nëse do të bëjmë një llogari mbi vlerat mesatare, atëherë për të 12 bankat tregtare në Shqipëri, vetëm kosto e ngritjes së platformave të e-banking është rreth 5 milionë euro, ndërsa ato shpenzojnë çdo vit 500 mijë deri në 1 milion euro për mirëmbajtjen e tyre.
Të gjitha këto investime kanë mundësuar kanalizimin e pjesës dërrmuese të pagesave në kanale elektronike. Z. Brumbulli vë në dukje se një biznesi të formalizuar nuk i lind nevoja të shkojë në degë banke për të kryer pagesa, me përjashtim të rastit të transfertës ndërkombëtare.
Një individ, ose biznes, nëpërmjet shërbimit online, sot mund të kontrollojë llogaritë, të marrë lëvizjet në llogari, të paguajë pagat e punonjësve, të paguajë sigurimet shoqërore, tatimin mbi të ardhurat, TVSH e taksa të tjera, të transferojë para nga një llogari në një tjetër brenda bankës dhe midis bankave, të bëjë çdo pagesë brenda vendit, në Lekë dhe Euro, maksimumi brenda ditës së nesërme të punës, të konvertojë monedha dhe të paguajë shërbimet e dobishme bazë.
Së fundmi, janë krijuar kushtet që edhe hapja e llogarisë të kryhet online, si dhe aplikimet për kredi të kryhen online. Lidhur me dixhitalizimin e pagesave për shërbimet e institucioneve dhe kompanive publike, ai shprehet se bankat kanë dhënë mbështetje të plotë për pagesat e shërbimeve utilitare, nëpërmjet kanaleve të ndryshme.
“Përfshirja e bankave në reformën e energjisë së qeverisë në vitet 2014 – 2015 zhduku radhët nga sportelet e OSHEE-së për pagimin e faturave. Sot nuk diskutohet më për pagesën e faturës së energjisë, ujit, telefonit. Bankat ishin garancia e realizimit të reformës.
Në vitin 2020, gjatë mbylljes nga Covid-19, bankat përshtatën gjithë mënyrën e punës për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit bankar. U rrit operimi nëpërmjet shërbimeve online, por edhe degët nuk u mbyllën për asnjë orë”, – thotë ai.
Brumbulli nënvizon gjithashtu se, në dy vitet e fundit, janë realizuar të tjera projekte të rëndësishme të lidhura me dixhitalizimin, si regjistri qendror i llogarive bankare, shkëmbimi i informacionit, regjistri i pronarëve përfitues dhe fiskalizimi.
“E pamundur që ato të realizoheshin pa përfshirjen dhe mbështetjen e plotë të bankave! Edhe nëse ka pasaktësi, apo funksionim me defekte, këto janë edhe për shkak se zëri i bankave nuk u dëgjua si duhet nga ata që i zbatuan teknikisht. Nëse do të ishin dëgjuar më mirë bankat, nuk do të kishim problemet që ndeshim sot dhe me shumë sforcime po mundohemi t’i fiksojmë.
Së fundmi, ka dalë në rend të ditës, kryerja e pagesës për shërbimet publike, në mënyrë online. Bankat e mirëpresin si një nismë e re, në kohën e duhur dhe mbështesin pa rezerva çdo lloj bashkëpunimi për ta realizuar sa më shpejt. Por aspak, për shkak se bankat janë me vonesë në dixhitalizim!” – shprehet ai.
Pjesa më e madhe e pagesave për shërbimet publike ende nuk kryhet online, sepse kërkohet të vendoset lidhje midis paguesit, bankës së tij dhe përfituesit të pagesës (që mund të jetë Thesari ose një institucion shtetëror). Kjo kërkon zhvillime teknologjike nga të dyja palët, por z. Brumbulli thotë se bankat e kanë bazën dhe kërkohet integrim dhe zhvillim, sipas karakteristikave të përfituesit.
“Sot, këto shërbime kryhen pranë degëve të bankave. Në rastin që klienti dhe përfituesi janë në të njëjtën bankë, pagesa kryhet në kohë reale. Nëse janë në banka të ndryshme, pagesa ka disa specifika. Tjetra që nuk mund të bëhet, janë transfertat ndërkombëtare, për shkak të specifikave të procesit të realizimit të transfertës, ku merr pjesë edhe një bankë korrespondente”, – thotë ai.
Një çështje tjetër që do të lehtësonte shumë automatizimin dhe dixhitalizimin është mundësia për të kryer nënshkrim ligjor të kontratave dhe dokumenteve të tjera në distancë.
Kjo ngelet një çështje ende e ndërlikuar nga pikëpamja ligjore dhe teknike, megjithatë bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë shtuar përpjekjet vitin e kaluar, për të krijuar mundësitë e nënshkrimit elektronik në distancë. Kjo do të ulte më tej nevojën për praninë fizike të klientëve në degët e bankave.
“Hapësirë tjetër është përdorimi i nënshkrimit elektronik. Nëse realizohet edhe kjo, për të cilën po punohet nga bankat, atëherë as për kontratë kredie, apo për kontratë depozite apo për çdo lloj dokumenti tjetër, nuk të lind nevoja të shkosh në degë.
Edhe pse këto janë të shpeshta si kategori produkti, një individ nuk merr kredi përditë apo hap përditë depozitë. Është një shërbim që ishte me prioritet pak më të ulët në krahasim me shërbimet e tjera më të shpeshta, por edhe për paqartësi të kuadrit ligjor”, – thotë z. Brumbulli.
Numri i degëve të bankave, përsëri në rritje
Zgjerimi i gamës dhe peshës specifike të shërbimeve në distancë e ka bërë më pak të domosdoshëm zgjerimin e rrjeteve të njësisë fizike të bankave dhe kjo është në vija të përgjithshme një tendencë botërore. Në tregun bankar shqiptar, procesi ka qenë i ndërthurur me konsolidimin e sektorit dhe me uljen e numrit të aktorëve në treg.
Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës filluan të bëheshin më të ndjeshme, të shprehura në rritje të kredive me probleme dhe rënie të fitimeve.
Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese. Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare.
Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare ra nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën. Por, cikli i konsolidimit të sektorit bankar ka nisur të japë efekt pozitiv.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2021, numri i degëve arriti në 417, nga 413 në fillim të vitit. Megjithëse rritja nuk ishte shumë e madhe, viti 2021 shënoi një moment kthese, sepse është hera e parë prej vitit 2012 që numri i degëve bankare rritet.
Bankat që kanë dalë nga shitblerjet janë më të shëndetshme dhe më të orientuara për t’u zgjeruar. Pjesë e këtij zgjerimi po bëhet edhe rrjeti i degëve, megjithëse sot dixhitalizimi i shërbimeve bankare e ka bërë më pak të domosdoshëm një prani të gjerë të njësive fizike të shërbimit të bankave.
Shumë shërbime, që një dekadë më parë mund të ofroheshin vetëm në degë, tani mund të merren shumë thjesht në distancë, përmes platformave të internet banking dhe mobile banking.
Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin e dytë më të ulët të degëve bankare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me afërsisht 18.6 degë për 100 mijë banorë në moshë madhore. Megjithatë, në dekadën e fundit, tendenca e depërtimit të degëve bankare ka qenë në rënie edhe në vendet e tjera të Rajonit, në një cikël të ngjashëm me Shqipërinë.