Individët me paga të larta, përveçse paguan taksat e pagave në pagesat e tyre mujore, u paguan tatimeve gjatë vitit 2021 për deklarimet e vitit 2020 edhe 1 miliard lekë (8 mln euro) të tjera në formën e TAP, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Të ardhurat nga tatimi i deklaratave personale në vitin 2021 shënuan rritje vjetore me 98%. Kjo rritje erdhi prej përfshirjes se të dy punësuarve në një deklarim të vetëm për efekt tatimi.
Më 2021 për herë të parë kishin detyrimin e deklarimit të të ardhurave të 2020-s edhe të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që hynë në fuqi në janar 2020 dhe u zbatuan për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020-s. Këto ndryshime parashikojnë që paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.
Kjo solli automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).
Tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve është rreth 460 milionë lekë, ose rreth 3.7 milionë euro.
Individët rezidentë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet (brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë), në shumën e përgjithshme mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.
Gjithashtu individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.
TAP mbi DIVA llogaritet si diferencë ndërmjet totalit të të ardhurave bruto, me shpenzimet e zbritshme dhe të ardhurat nga punësimi, e cila përbën të ardhurën e tatueshme të individit, që tatohet me shkallën tatimore prej 15%.
Nëse nga plotësimi i deklaratës vjetore rezulton se individi tatimpagues duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar”, të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave, dorëzon në bankë formularin “Urdhërpagesë e tatimit mbi të ardhurat individuale”. Pagesa e tatimit kryhet jo më vonë se data 30 prill.
Deklarata vjetore e të ardhurave, mund të plotësohet edhe nga çdo individ, i cili megjithëse nuk e ka detyrimin ligjor për këtë, për arsye se dëshiron të përfitojë, nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj, kur ky individ plotëson kushtet e përfitimit nga zbritja e shpenzimeve. Në këtë rast, shuma e të ardhurave bruto vjetore, nga të gjitha burimet duhet të jetë, jo më e madhe se 1 050 000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit).
Që nga viti 2021 individët, të cilët kanë realizuar të ardhura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe janë subjekt i deklarimit të Deklaratës individuale Vjetore të të ardhurave DIVA-2020, se këto të ardhura bruto dhe tatimin e paguar për to. Këto të ardhura duhet t’i raportojnë me saktësi në seksionin përkatës në këtë deklaratë, brenda datës 30 Qershor 2021.
Në kuadër të Shkëmbimit Automatik të informacionit, në baza reciproke, me administratat tatimore homologe të vendeve të tjera, Administrata Tatimore Shqiptare do të marrë dhe kryqëzojë të dhënat mbi llogaritë financiare të shtetasve shqiptarë (jorezidentë) në këto shtete. /Monitor/













