Presidenti rus, Vladimir Putin, po kërkon që për gazin natyror të paguhet me rubla. Gjermania ka nisur që të flasë për racionimin e gazit në rast të ndërprerjes së furnizimeve me gaz.
Çmimet për karburante, që përdoren për ngrohje të shtëpive, për prodhimin e energjisë elektrike dhe për të furnizuar industritë, janë rritur tej mase.
Ka shumë diskutime lidhur me furnizimet me gaz natyror në Evropë, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.
Çfarë po propozon Putini?
Putini ka thënë se importuesit e gazit rus tani duhet të paguajnë me rubla. Liderët evropianë kanë thënë se nuk e pranojnë këtë kërkesë, pasi kontratat për furnizim me gaz rus thonë se për këtë produkt duhet të paguhet me euro ose dollar dhe se njëra palë nuk mundet që në mënyrë arbitrare të ndryshojë formën e pagesës.
Çështjet e hapura lidhur me ndryshimin e monedhës, me të cilën bëhen pagesat, mund të ndikojnë në tregjet energjetike, duke rritur paqartësitë nëse furnizimet me gaz natyror në Evropë mund të ndërpriten dhe të shkaktojnë një goditje të rëndë për ekonominë.
Por, Rusia po ashtu varet nga nafta dhe shitjet financojnë qeverinë ruse, në kohën kur sanksionet kanë goditur sistemin e saj financiar.
Oferta e Kremlinit mund të shihet si një zbrazëtirë ligjore. Importuesit, thjesht, mund të hapin një llogari në dollar apo euro në një bankë të caktuar dhe një tjetër llogari bankare në rubla.
Importuesi do të paguante për furnizimet me gaz me euro ose dollar dhe direkt banka do të këmbente paratë në rubla.
Megjithatë, të premten më 1 prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ndryshimi nuk do të ndodhë menjëherë:
“Pagesat mbi furnizimet që janë në progres tani nuk duhet të bëhen sot, por dikur në fund të prillit, ose ndoshta në fillim të majit”.
Liderët evropianë e kanë refuzuar kërkesën e Rusisë dhe e kanë cilësuar si shantazh. Ata kanë thënë se do të vazhdojnë të paguajnë për gaz me euro dhe dollar.
Zyrtarët gjermanë thanë se nuk do të flasin për ndikimin e dekretit të Putinit, por vetëm janë shprehur se janë duke e analizuar atë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë, Beate Baron, theksoi se Gazprombankës së Rusisë i është kërkuar dhjetë ditë që ta shpjegojë procedurën, “dhe natyrisht, ne më pas do ta analizojmë atë me kujdes”.
Ndërkaq, një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian për energjinë tha në Twitter se Bashkimi Evropian është duke u koordinuar për të “krijuar një qasje të përbashkët”.













