Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, e ka cilësuar si antikushtuestues vendimin e kryetares së Kuvendit për të anuluar mbledhjen e Këshillit të Mandateve në lidhje me mandatin e Alqi Bllakos.
Reagimi ka ardhur pasi Lindita Nikolla anuloi mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të diskutuar heqjen e deputetit Alqi Bllako, pas dorëheqjes së këtij të fundit.
“SPAK ka kërkuar heqjen e mandatit për Bllakon. SPAK ka paraqitur më datë 29 .3.2022 këtë kërkese për dhënien e autorizimit për arrestimin e Bllakos, kjo është kërkesë brenda kornizës dhe vendimi duhet të zbatohet.
Pas kësaj kërkese ka pasur nga Kryetarja e Kuvendit një urdhër për thirrjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores. Në adresat tona jo më larg se 20 minuta më parë vjen një njoftim ku kryetarja e kuvendit, në mënyrë anti-ligjore, ka vendosur anulimin e mbledhjes së këshillit të mandateve dhe rregullores, që ishte caktuar sot.
E cuditshme e padëgjuar, në shkelje të Kushtetutës, Rregullores. Pasi kryetarja e Kuvendit thërret Këshillin e Mandateve është ai që vendos dhënien e autorizimit.
Këshilli i Mandateve ka një kërkesë që është pezull, qëndron në dyert e këtij Kuvendi”, tha Alibeaj.
Ai tha se nuk ishte e habitshme fakti që do anulohej mbledhja e Këshillit, duke iu bërë pengesë drejtësisë, se ngelet pa përgjigje kërkesa e SPAK, është e drejta e tij që të japë dorëheqjen, por kjo nuk ndikon në detyrimin që kanë deputetët për t’u shprehur për kërkesën e SPAK.
“Pesë deputetë të opozitës kanë paraqitur një kërkesë të protokolluar, që ka këtë objekt “kërkesë për thirrjen e Këshillit të mandateve”, tha Alibeaj.