Pjesa më e madhe e sektorëve të ekonomisë shqiptare e ka të pamundur të mbrojë punonjësit nga rritja e çmimeve, duke rritur pagat. Bujqësia dhe industria ushqimore po marrin në konsideratë skenarët e falimentit nga rritja e kostove të lëndëve të para. Sektori i turizmit po bën rritje të detyruara për disa pozicione specifike nga mungesa e punonjësve. Rritje reale 12-15% do të ketë vetëm sektori fason, i cili po rrit fitimet nga kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare. Ekspertët sugjerojnë si mjet efikas për të zbutur pasojat e krizës në shtresat vulnerabël paketat e ndihmës së menjëhershme që mund të aplikohen si nga qeveria, edhe bizneset.
Çmimet për rreth 30 artikuj të shportës janë rritur me gati 20% nga janari në mars, sipas referencave të INSTAT dhe tregjeve me pakicë, por pagat nuk do të përdoren si mjet për të mbrojtur shtresat në nevojë, as nga qeveria dhe as nga pjesa më e madhe e sektorit privat.
Ekonomia shqiptare, edhe në kohë normale, ka probleme të tilla strukturore që prodhojnë punë me vlerë të ulët. Pandemia Covid-19 dhe tani lufta në Ukrainë e kanë përkeqësuar produktivitetin.
Kostot e lëndëve të para janë rritur në atë masë sa shumë fabrika po hartojnë skenarët e falimentit. Industrialistët thanë se, e kanë të pamundur të aplikojnë rritje të pagave në kushtet kur kostot e prodhimit janë rritur dhe transferimi i tyre në çmime nuk po bëhet tërësisht. Një pjesë e bizneseve po punojnë me humbje, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Në kushtet kur për biznesin e madh ka rritje të çmimit të energjisë, lëndët e para të gjitha janë rritur, nuk flitet për normë fitimi dhe qëndrimin në vend, madje do ta merrnim si pozitiv.
Edhe sektori i bujqësisë nuk do të mund t’i rrisë pagat këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare në bujqësi janë të angazhuar rreth 42% e totalit të të punësuarve. Fermat në zonat prodhuese të Fierit dhe Beratit pohuan se punonjësit po ushtrojnë presion për rritjen e pagesës ditore në 1800-2000 lekë në ditë nga 1500 lekë aktualisht, mirëpo rritja është e pamundur pasi shumica e serrave dolën me humbje nga viti i kaluar.
Vlerat e larta të inputeve, nga njëra anë, dhe çmimeve e ulëta të prodhimeve, nga ana tjetër, e kanë vështirësuar klimën e biznesit në bujqësi. Sektori i turizmit dhe fasonit pritet të zbatojnë rritje page me ritme dyshifrore, për shkak të zgjerimit të aktivitetit në këta sektorë. Sektori i turizmit po zgjerohet vit pas viti, nga kërkesa e të huajve për të pushuar në vendin tonë.
Numri i strukturave hoteliere po rritet nga viti në vit dhe kjo po rrit konkurrencën në një kohë që gjetja e punonjësve është bërë e vështirë. Ariol Haxhillari, menaxher i përgjithshëm i FAFA Group, tha se për këtë vit është aplikuar një rritje me 20% e pagave me qëllim mbajtjen e stafit kryesor në punë.
Krizat kanë ndikuar pozitivisht vetëm sektorin fason. Lufta në Ukrainë pritet të sjellë ndikime pozitive për sektorin. Shumë klientë europianë, që kishin njësitë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në Ukrainë, do të zhvendosen në vende të tjera, mundësisht në Europë.
Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve Shqiptarë, tha se këto ditë janë shtuar kërkesat për të prodhuar në Shqipëri nga klientë që më parë kanë prodhuar në Ukrainë.
Edhe para luftës, sektori fason nuk ishte duke përballuar kërkesën për punë, që erdhi nga diversifikimi i prodhimit prej pandemisë Covid-19. Shumë vende europiane zhvendosën një pjesë të prodhimit nga Kina në Europë. Rritja e pagave për punonjësit në të gjithë industrinë pritet të jetë nga 12-15%, por ndoshta në nivele edhe më të larta, në varësi të fabrikave.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se mjeti efikas për të zbutur pasojat e krizës në shtresat vulnerabël, si për qeverinë edhe sektorin privat, janë paketat e ndihmës së shpejtë dhe të menjëhershme. Në rastin konkret, duhen aplikuar paketat e kompensimit.
P.sh., qeveria, taksat që mbledh më tepër nga rritja e çmimeve, duhet t’i përdorë për rritjen e kompensimeve për shtresat në nevojë. Ndërsa bizneset duhet të japin bonuse për punonjësit dhe kompensime monetare të menjëhershme, vetëm një herë etj./Monitor