Zhvillimet e paimagjinueshme që provokoi në PD dhe në Shqipëri shpallja non gratta e Sali Berishës nga SHBA do të vinin në një provë të panjohur më parë edhe Kryeministrin Edi Rama. Cili do të ishte pozicioni i tij? Çfarë qëndrimesh do të mbante? A do të pajtohej të eklipsohej nga përplasjet Berisha-Basha, që po zinin gjithë hapësirën e komunikimit publik e mediatik në vend? A do të rrinte duke fërkuar duart e duke qëmtuar nëpër libra nga oxhaku thënie dhe aludime të largëta sa për t’u gjendur edhe Kola në punë, siç thonë në Shkodër? Apo do t’ia dilte të rishpikte veten dhe të ruante protagonizmin karakteristik në rrethanat e reja, pa rënë në masë me vlimin brenda llojit në kampin demokrat? Kjo ishte e mundshme. Kjo pritej prej tij. Qeverisja ka gjithmonë mundësi të pashtershme të jetë një pol më vete i vëmendjes dhe i interesit të publikut të gjerë. Edhe kur plas keq në kampin kundërshtar.
Siç e kemi parë të gjithë, zhvillimet në opozitë nga 9 shtatori e këndej e margjinalizuan Kryeministrin, e lanë pothuajse pa tekst, me disa belbëzime e batuta të kërkuara. Dhe kjo ndodhi jo se qeverisja, siç e pohuam më lart, nuk ka me çfarë ta kandisë interesin e njerëzve. Një betejë konkrete me ndëshkime konkrete kundër korrupsionit masiv në të gjitha degët e ekzekutivit do ta kishte ndarë minimumi në dysh interesin e mediave dhe publikut. Arsyeja pse Rama doli nga radarët e vëmendjes ishte një tjetër: U provua sërish se puna e tij kryesore në rrafshin e komunikimit ka qenë të kapet me opozitën. Tani që opozita po shqyhej mes vedi falë lëvizjes hakmarrëse të Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës, Rama mbeti papunë, u kap i papërgatitur.
Në qëndrimet e tij opake ndaj konfliktit në PD, ka ndikuar sipas opinionit tim edhe konkurrenca e akuzave të ndërsjella mes Berishës e Bashës se cili prej tyre është peng i Ramës, kush është me Ramën, me cilën është Rama. Hedhjen e kundërshtarit të ri në prehrin e armikut, një metodë standarde lufte e shkollës staliniste, e nisi Berisha. Basha u kundërpërgjigj me metaforën e Trekëndëshit të Bermundës, që e konsideron Berishën njërën prej brinjëve, ku dy të tjerat janë Rama dhe Meta, të cilët në zgjatjen e tranzicionit shqiptar i bashkon prishja e zgjedhjeve, pandëshkueshmëria dhe korrupsioni i lartë në sistem.
Rama është Kryeministër, ka peshë në balancën e ngjarjeve, por nuk është kaq i madh sa duan ta bëjnë. Nga pikëpamja e interesit të tij politik partiak, Rama është dakord me gjithë kundërshtarët e tij kur ata mbajnë gjallë luftën mes tyre. Nuk është me asnjërin kur ata nuk luftojnë shoku-shokun. Është kundër secilit që e lufton me fakte konkrete dhe me argumente bindëse aty ku i dhemb më shumë. Që janë pikësëpari aferat e mëdha korruptive, ku ai nuk mund të jetë dorëjashtë edhe për shkak të mënyrës autoritare si qeveri. Janë edhe hilerat që është munduar t’u shkasë SHBAve për drejtësinë e re.
Në përgjithësi, ndërsa mund t’i pëlqejë të jetë në qendër të konspiracionit se kë ka për zemër dhe si janë vendosur të tjerët në orbitën e tij, duhet thënë se përgjatë kohës Rama është kujdesur të shmangë qëndrime e deklarata që do të ushqenin pohimet e Berishës se Basha e ka shitur shpirtin te Rama dhe anasjelltas, ato të Bashës se Berisha mbështetet nga Rama sepse i lidh një hall i përbashkët. Me këtë rast, Rama ka kafshuar gjuhën dhe ka djegur një qëndrim të qartë publik për një çështje që nuk ka të bëjë me mendimin ndryshe në një parti tjetër, siç është shpallja non grata nga SHBA e një politikani të lartë në Shqipëri, por është tejpartiake si e tillë, është çështje publike dhe shtetërore. Sidoqoftë, mirë ka bërë nëse ka menduar se do të ngrinte më shumë pluhur po të fliste. Dhe nuk se ka lënë ndonjë boshllëk.
Konspiracioni dhe arsyetimi se kush është me Ramën dhe me kë është Rama do ta vazhdojnë “garën” në mexhlisin demokrat e me gjerë. Gjithkush le të gjykojë siç di vetë. E vërteta e qartë politike në rrafshin e pasojave që i ka sjellë Ramës konflikti Berisha- Basha është se atij i është prishur fabula. Nuk e përdor më Berishën si gogol për t’i bërë dëm PD-së dhe Bashës. Siç ka bërë gjithmonë dhe sidomos në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kur gjëmonte lart e poshtë nëpër Shqipëri dhe bombardonte veshët e sytë e njerëzve me spote e billboard-e se vota për Luzim Bashën e për PD-në është votë për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Berisha dhe berishizmi janë një humbje e madhe për gjithë strategjinë e tij të qeverisjes propagandistike me moton “Puna diçka, propaganda gjithçka”, së cilës i është bashkangjitur si rregull trembja e elektoratit me gogolin “Berisha” që i ka funksionuar, ia ka parë hairin.
Po të ngrihej në vetëdijen e një politikani dhe shtetari vizionar, Rama do t’ia gjente anën të mbante shënim këtë humbje dhe të shikonte përpara. Por, me sa po shihet, ai paska zgjedhur ta lozë si kartë politike mbajtjen gjallë dhe nxitjen e përçarjes brenda opozitës, duke u zhbalancuar e marrë anë në favor të Foltores së Berishës. Nuk kishte dalë në debate dhe nuk ishte pyetur prej kohësh nga gazetarët në një format si ai i emisionit “Open” të enjten e kaluar. Për këtë arsye nuk dihej mirë çfarë mendonte realisht për zhvillimet dhe situatën e re në PD pas tetë janarit. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarit Robert Rakipllari, por edhe të të tjerëve në atë emision, Rama përshtati qëndrimet e “Foltores” dhe vendimet e Kuvendit-miting të Berishës në stadium, duke konsideruar se Basha mban vulën e PD-së, por nuk ka legjitimitet. Ashtu si Grupi i Rithemelimit, për të deligjitimuar Kuvendin e PD-së në 18 dhjetor, Kryeministri u mor me numërimin me firo të karrigeve në sallën dhe mjediset e tjera të Pallatit të Kongreseve, a thua se nuk janë zhvilluar në ato mjedise Kuvende të të njëjtit format nga e njëjta parti. Dhe si për t’i venë kapakun kësaj “plagjiature”, ka bërë tashmë të vetën, besoj në shkelje të së drejtës së autorit, edhe mbiemrin pezhorativ “brava”, që Berisha i ka vënë Bashës.
Nuk ka pritur njeri në PD, me sa di unë, që Rama të dalë nga baraslargësia në qëndrimet e tij ndaj konfliktit në atë parti. Edhe pse baraslargësia kur në mes është një vendim i Departamentit të Shtetit për shpalljen non grata, është indirekt një qëndrim antiamerikan. Ashtu le të qëndronte deri në fund. I baraslarguar. Por të enjten mori anë. Nëse do të përdornim retorikën antishtet të Berishës dhe berishistëve që e atashojnë en bllok Policinë e Shtetit si Polici të Ramës dhe gjykatat e vendit si Gjykata të Ramës, do të thoshim se me marrjen anë, Kryeministri po u jep mesazh SPAKut dhe gjyqtarëve që, siç dihet, kanë nëpër duar padi dhe çështje të PD-së dhe Grupit të Rithemelimit.
Nuk është se duhet vënë kuja për këtë. Unë së paku besoj se drejtësia është në rrugën e vështirë të integritetit dhe pavarësisë. Duke marrë anë në këtë mënyrë, Rama thjesht provon atë që pak a shumë e dimë përmes arsyetimit dhe analizës politike. Një qeveri kaq e korruptuar priret vetvetiu, për të mos thënë e ka më detyrim përcaktim të bëjë gjithçka për “normalizimin” si një gjë e zakonshme të instrumentit non grata që po përdor SHBA për të goditur korrupsionin në sferat e larta në Shqipëri, për të mos thënë zhvlerësimin e këtij instrumenti në atë shkallë sa një ditë të bukur zotërinjtë e nominuar dhe besnikët e tyre të fillojnë të tallën “non grata, hahaha”.
Shqiptarët, pavarësisht tymnajave lloj-lloj, po kthjellohen çdo ditë e më shumë se çfarë po ndodh realisht në vendin e tyre. A janë këto ngjarje histori të rëndomta “ti ma bërë kështu, unë po ta kthej ashtu”, apo kanë një domethënie me të thellë e një kontekst gjeopolitik më të gjerë, përcaktues për mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Atyre u mbetet ta ndajnë nga t’ia mbajnë. Demokracia e jep këtë mundësi. Vetëm në demokraci vlen postulati i famshëm se njerëzit kanë drejtuesit që meritojnë.