Tre mesazhet e Gabriel Escobar kundër Berishës

Votë dhe jo dhunë, një paralajmërim për mbështetësit e Berishës dhe një tentativë për ta zvogëluar masivitetin e tyre. Këto qenë tre mesazhet e dërguara nga Uashingtoni pas protestës së 8 janarit. Pasi ka dëgjuar intervistën e Zv/Ndihmës Sekretariit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, Lapsi.al ka drkriptuar tre mesazhet kryesore që ai i dha Zërit të Amerikës.

Sa mbështetës ka Berisha?

Gjatë gjithë intervistës me gazetaren Keida Kostreci, Gabriel Escobar u mundua ta minimizojë mbështetjen që ka Berisha në PD dhe pothuajse asgjesimin politik që ka pësuar Basha. “Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh” tha ai. Por kur gazetarja këmbënguli se Berisha ka shumë mbështetës Escobar u shmang duke thënë: “Po, është e mundur. Por nuk dua të flas për Berishën”. Pra diplomati amerikan u ndodh në rolin e vështirë të atij që duhet të përkrah dikë që e kanë braktisur votuesit e vet. Dhe kjo është hera e parë që një politikë e tillë e SHBA-së zbatohet në Shqipëri. Pavarësisht kësaj Escobar tha: “Unë kam një mardhënie të mirë me Bashën dhe nuk mendoj se ajo që po ndodh në rrugë reflekton fytyrën e PD”.

Jo, atyre që shkojnë pas Berishës

Kishte një frazë që u shpërnnda gjithëandej shumë kohë përpara se intervista e Zv/Ndihmës Sekretariit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar të transmetohej e plotë. Ajo ishte: “jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente”. Duke qenë se mendimi i diplomacisë aktuale amerikane për Berishën është i qartë, kjo frazë duket se u drejtohet më shumë mbështetësve dhe deputetëve që atij i shkojnë nga pas. Pra në një farë mënyre ajo përbën edhe një lloj shantazhi se kush është me Berishën nuk është me SHBA-në.

LEXO EDHE  Histori shqiptare/ Nusja debat me vjehrrin: Ik nga shtëpia ke shumë shpenzime

Votë, jo dhunë

Mesazhi më i fortë i intervistës së Gabriel Escobar ishte se opozita duhet ti zgjidhë krizat e saj në rrugë demokratike. “Mendoj se është për të ardhur keq që dikush do të përdorë dhunën dhe jo kutinë e votimit në një përpjekje për të marrë nën kontroll një parti politike”. Por kjo është pjesa ku diplomatët amerikanë kanë kontradiktën logjike më të madhe. Sepse ata e shantazhuan Bashën që të përjashtonte nga grupi parlamentar një njeri që sado mëkate që të ketë nuk ka pasur asnjë çështje penale të hapur. Ata e detyruan kryetarin e PD-së që të merrte një vendim personal ndaj Berishës, ndërkohë që ai sapo ishte zgjedhur me votën e qytetarëve si deputet. Pra nëse në 9 shtator nuk u veprua demokratikisht me votë kjo u bë si pasojë e presionit amerikan. Ndaj tani ata nuk mund të pretendojnë pas të vjelave që krizat të zgjidhen në mënyrë demokratike.

/Lapsi.al/