Raporti: Milionat e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkan nuk po japin rezultate

Auditorët e Bashkimit Evropian thanë se qindra milionë euro që blloku ka dërguar në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që kishin për qëllim përmirësimin e sundimit të ligjit, thjesht nuk po japin rezultate.

Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, që njihet me akronimin ECA, u publikua më 10 janar. Në të thuhet se shtetet e Ballkanit shpesh vazhdojnë të tregojnë mungesë të angazhimit për të trajtuar çdo gjë, nisur nga korrupsioni e deri te ndërhyrja e shtetit, që do t’iu ndihmonte atyre që të përparonin drejt anëtarësimit në BE. Pasi vetë po përballen me shumë probleme, 27 shtetet e BE-së kanë zvarritur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë, ndikimi i Kinës dhe Rusisë është rritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor qartazi nuk ka qenë e suksesshme që të sjellë ndryshime”, tha Juhan Parts, autor i raportit të ECA-së.

Raporti prej 52 faqesh tregon sesa pak është arritur me ndihmën prej 700 milionë eurosh që BE-ja ka dhënë për rindërtimin e institucioneve në rajon në periudhën 2014-2020. Edhe më shumë është shpenzuar gjatë dy dekadave të fundit, kur shtetet e Ballkanit dolën nga sundimi komunist, lufta dhe konfliktet e brendshme dhe nisën të hedhin bazat e demokracisë perëndimore. Në raport u tha se BE-ja shpesh përdor shumë karota dhe jo mjaftueshëm shkopinj, teksa investimet në projekte të ndryshme kanë dështuar që të kenë ndikim në shoqëri.

BE-ja shumë rrallë e ka shfrytëzuar mundësinë e pezullimit të ndihmës, nëse një shtet përfitues ka dështuar që të respektojë parimet bazë të demokracisë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga ECA.

Edhe pse raporti gjeti “disa zhvillime pozitive, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, aty u tha se “në kontekstin e pamjaftueshmërisë së vullnetit politik (mbështetja e BE-së) ka pasur një ndikim të kufizuar në avancimin e rolit thelbësor të reformave në sundimin e ligjit”. Raporti tha se problemet kryesore në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të lidhura me pavarësinë e gjyqësorit, përqendrimin e pushtetit, ndikimin politik dhe korrupsionin.

Komisioni mirëpret raportin e Gjykatës së Auditorëve i cili e njeh kontributin që ka dhënë mbështetja e BE-së për reformat të cilat kanë çuar deri te disa zhvillime pozitive në sundimin e ligjit”, tha zëdhënësja e KE-së për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero.

Ajo ndërkaq fajësoi “vullnetin e pamjaftueshëm të brendshëm politikë për lëvizjen përpara të reformave që kanë kufizuar ndikimin e kësaj ndihme”. KE-ja tha se me një metodologji të zgjeruar ka forcuar fokusin në temat fondamentale siç janë reformat në sundimi i ligjit, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe administratën publike dhe qeverisjen ekonomike.

LEXO EDHE  Zjarr në një ndërtesë në New York: Një person humb jetën, 12 të plagosur

“Një përparim i rëndësishëm është arritur gjatë viteve të shkuara, por është e qartë se duhet të bëhet më shumë. Ne vazhdojmë të angazhohemi me autoritetet dhe aktorët relevantë në Ballkanin Perëndimor për ta çuar përpara këtë punë. Dhe vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet rregullisht, përfshirë edhe përmes raporteve të rregullta të zgjerimit dhe raporteve në fushën e sundimit të ligjit, duke dhënë edhe rekomandime se çfarë duhet të bëhet”, tha Komisioni Evropian lidhur me raportin e Gjykatës së Auditorëve.

Komisioni Evropian rikujtoi se raportet e fundit të progresit për vendet e procesit të zgjerimit, kanë vlerësuar një përparim të rëndësishëm në disa fusha dhe nga disa partnerë nga rajoni, po ashtu kanë tërhequr vërejtjen se sfidat ndaj sundimit të ligjit vazhdojnë të dominojnë dhe duhet më shumë përpjekje për të krijuar një kulturë për sundimin e ligjit dhe vullnet më të madh politikë për avancimin e reformave kryesore. Komisioni tha se ndihma financiare nga IPA 3 për Ballkanin Perëndimor do të jetë e lidhur me qasjen, që ka fokus sundimin e ligjit në rajon.

“Komisioni do të vazhdojë të jetë i angazhuar me partnerët nga Ballkani Perëndimor për të ndihmuar në avancimin e reformave dhe konsolidimin e sundimit të ligjit në tërë rajonin. Rekomandimet e Gjykatës Evropiane të Auditorëve janë një kontribut i dobishëm në këto përpjekje vitale”, u tha në reagimin e KE-së.

Në fund të këtij reagimi thuhet se Komisioni njeh rolin kyç që ka shoqëria civile dhe mediat në shoqërinë demokratike pluraliste të bazuar në sundimin e ligjit dhe do të vazhdojë t’u ndihmojë atyre në rolin kritik për funksionimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe, nëse ndonjë prej gjashtë shteteve të Ballkanit dëshiron të bëhet anëtar i BE-së duhet të zbatojë mijëra rregulla dhe rregullativa që veçse janë në fuqi në bllokun evropian. Gjatë procesit të aplikimin për anëtarësim, shtetet negociojnë kapituj të veçantë ku përfshihen respektimi i sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, liria e medias dhe pavarësia gjyqësore dhe zbatimi i referomave socio-ekonomike.

Raporti, që përmban shumë kritika, vjen në kohën kur disponimi për zgjerimin e BE-së është zbehur, edhe për shkak se shtetet anëtare janë të mbërthyera nga ankthi pandemik, por edhe për shkak të rritjes së autoritarizmit në disa vende të rajonit. Perspektiva e anëtarësimit ka qenë një forcë shtytëse për reforma në Ballkan që prej shpërbërjes së Jugosllavisë, që nxiti luftëra në fillim të viteve 1990. Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarësuar në bllokun evropian, por BE-ja nuk është zgjeruar që nga viti 2013.

Marrë nga REL