Mbronte drogën e kushëririt të Tërmet Peçit, vetëdorëzohet ish-kryepolici i Tepelenës (Video)

Gani Abazi, ish-shefi i Komisariatit të Tepelenës, është vetëdorëzuar në Polici, pasi ai është dënuar me 8 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, si pjesë e një grupi të strukturar kriminal me aktivitet kultivimin e lëndëve narkotike.

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht për arrestimin e Abazit “në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim”.

Por, një video e siguruar nga “Boldnews.al” tregon qartë se Gani Abazi është vetëdorëzuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Pamjet tregojnë se ai ka qenë nën shoqërinë e avokatit të tij dhe është drejtuar qetësisht pranë stacionit policor në Tepelenë.

Gani Abazi është arrestuar fillimisht në vitin 2017, pas një hetimi të kryer nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas hetimi ndaj tij u zhvillua në gjendje të lirë.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi atë përfundimisht me 8 vjet burgim, por deri më tani vendimi nuk ishte ekzekutuar.

Ish-Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi zyrtarisht në Shkurt 2017 se kishte finalizuar një hetim për kultivim narkotikësh në zonën e Tepelenës, ku ishin përfshirë edhe disa zyrtarë policorë.

Në atë operacion u arrestuan Haki Hasabegaj, i cili mbante pozicionin e shefit të Rendit në Policinë e Vlorës, Gani Abazi, i cili kishte qenë shef komisariati në Tepelenë dhe në momentin e arrestimit ishte shef i Specialistëve të Zonave në atë qytet, si edhe një prej kultivuesve, Vladimir Lama.

Po ashtu, grupit kriminal i ishin sekuestruar në kohë të ndryshme rreth 2 ton kanabis sattiva.

Hetimi për këtë grup kriminal kishte nisur më herët nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit E. Imeri.

I dyshuar për këtë ngjarje ishte Elton Çiça nga Tepelena. Sipas hetimeve, Çiça dyshonte se Imeri ishte përfshirë në vjedhjen e shtëpisë së tij dhe dhunimin e dy prindërve të moshuar.

LEXO EDHE  A do të kandidojë për kryetar PD-je? Bylykbashi tregon kushtet

Natën e dhunimit të prindërve, Çiça kishte qenë në një lokal të qytetit, së bashku me djalin e tezes së tij, Tërmet Peçi, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës, si edhe disa persona të tjerë.

Ai është njoftuar nga të afërm për ngjarjen dhe, së bashku me Tërmet Peçin, kanë shkuar menjëherë në shtëpi për të parë gjendjen e të moshuarve.

Muaj më pas, në lagjen Kombinat të Tiranës, në mjetin e shtetasit E. Imeri u gjend lëndë shpërthyese e paplasur. Dyshimet rënduan mbi Elton Çiçën, i cili konsideronte Imerin si i përfshirë në ngjarjen e dhunimit të prindërve të tij.

Nga hetimi i këtij rasti, Prokuroria e Tiranës identifikoi elementë të kultivimit të narkotikëve dhe ia kaloi rastin ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga prokurorët e Krimeve të Rënda të asaj kohe, u krijuan dyshime të forta se Çiça, së bashku me persona të tjerë, kishin krijuar një grup për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij hetimi, u arrit të zbulohej se edhe zyrtarët policorë, përfshirë Gani Abazin, kryenin veprime aktive në mbrojtje të parcelave me kanabis, të mbjella nga grupi kriminal.

Disa muaj para finalizimit të këtij operacioni, konkretisht në Maj të vitit 2016, Elton Çiça u ekzekutua në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, gjatë kohës që ishte në shoqërinë e një tjetër personazhi të njohur të kronikës, Redjan Rraja, si edhe të një oficeri të lartë policie.

Për këtë ngjarje të rëndë kriminale është akuzuar Jani Alia, i cili vijon të jetë ende në kërkim policor.