Mediat ruse kanë thënë më 6 janar se trupat e para të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), kanë nisur të operojnë në Kazakistan, ndërkohë që ka shpërthyer një valë e pashembullt e protestave.
CSTO, me bazë në Moskë, përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik.
Agjencia e lajmeve, Ria Novosti, ka thënë më 6 janar se forcat paqeruajtëse kanë hyrë në këtë shtet të Azisë Qendrore.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka raportuar po ashtu për këtë gjë.
Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.
Zëdhënësi i Policisë, Saltanat Azirbek, është cituar të ketë thënë sipas agjencive ruse të lajmeve se vdekjet kanë ndodhur “kur forcat ekstremiste kanë tentuar të sulmojnë ndërtesat administrative, departamentin policor në Almati dhe komisariatin e policisë lokale”.
Televizioni shtetëror ka thënë se 12 zyrtarë policorë kanë vdekur gjatë natës në Almati dhe 353 të tjerë janë plagosur.
Kjo deklaratë është lëshuar ndërkohë që trupat ushtarake kanë nisur të lëvizin nëpër Almati, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Trupat kanë arritur në këmbë dhe pajisje të armatosura, ka thënë agjencia, duke cituar një dëshmitar, i cili ka thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Ende nuk dihet nëse trupat në Almati janë pjesë e forcës së CSTO-s.
Pse shpërthyen protestat?
Vala e protestave ka shpërthyer në rajonin perëndimor, Mangystau katër ditë më parë për shkak të rritjes së papritur të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.
Shumë shpejt, protestat janë përhapur edhe në qytete e qyteza tjera nëpër Kazakistan, duke përfshirë edhe pakënaqësi tjera.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian ka thënë se do të dërgojë pjesëtarë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), për të shuar valën e pashembullt të trazirave në këtë shtet të Azisë Qendrore.
Toqaev fajëson bandat e “trajnuara nga jashtë”
Pashianian, i cili udhëheq aktualisht këtë Organizatë, ka thënë më 5 janar në Facebook, se vendimi për të dërguar forca është marrë si përgjigje ndaj kërkesës së presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev.
Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka fajësuar bandat “terroriste” të trajnuara nga jashtë për dhunën e raportuar.
Ai ka shkarkuar Qeverinë më 5 janar dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi mijëra protestues kundër udhëheqësisë janë përleshur me policinë dhe kanë hyrë në ndërtesa qeveritare.
Protestuesit e zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur shkopinj gome dhe mburoja, kanë nisur zjarr në zyrën e kryetarit të qytetit Almati më 5 janar.
Në këtë qytet, protestuesit kanë marrë edhe kontrollin e aeroportit dhe për pasojë janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.
Ministria e Brendshme ka pretenduar se tetë policë dhe trupa të gardës kombëtare janë vrarë, dhe 317 persona janë plagosur gjatë trazirave në këtë shtet, por pa ofruar hollësi.
Incizimet që janë publikuar nëpër rrjetet sociale kanë shfaqur disa trupa të protestuesve nëpër rrugë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë si e pavarur vërtetësinë e materialeve.
Bllokohet Interneti
Policia është përfshirë në trazira me protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome si tentim për të shpërndarë turmën, mirëpo këtë gjë nuk e ka arritur.
Vëzhguesit e komunikimeve kanë raportuar për “shkallë kombëtare” të bllokimit të Internetit, derisa gazetarët e Radios Evropa e Lirë, kanë thënë se shërbimet e Internetit dhe ato telefonike janë përkeqësuar ndjeshëm.
Si shenjë për të distancuar veten nga e kaluara, Toqaev e ka larguar paraardhësin e tij, 81-vjeçarin, Nursultan Nazarbaev, nga pozita e fuqishme e kreut të këshillit për siguri kombëtare.
Nazarbaev pati rikthyer një pjesë të autoritetit prej kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit më 2019, pas tri dekadave në pushtet.
Disa protestues kanë drejtuar gishtin te ai për shumicën e problemeve në këtë shtet, derisa protestueset në qytetin Taldiqorhan, kryeqytetin e rajonit Almati, kanë rrëzuar statujën e Nazarbaevit më 5 janar.
Për dhunë është raportuar edhe në qytetin verior, Aqtobe, ku policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët kanë tentuar të hyjnë në qeverinë rajonale me forcë.
Sipas udhëheqësit të Departamentit të Shëndetësisë në rajonin Aktobe, Rustem Isaev, 10 persona janë marrë nga sheshi i qytetit me ambulancë.
Në mesin e të plagosurve ka policë, tre prej të cilëve janë në spital, ka raportuar Shërbimi Kazak i Radios Evropa e Lirë.
Njëri prej protestuesve është plagosur seriozisht në kokë dhe është dërguar për kujdes intensiv.
Isaev e ka përshkruar të rëndë gjendjen e tij shëndetësore.
Përveç tij, edhe shumë protestues tjerë kanë thënë se janë qëlluar me plumba gome.
Protestat janë mbajtur edhe në qytetet tjera si Aqtau, Zhanaozen dhe Oral, ku dhjetëra persona është raportuar se janë ndalur.
SHBA po shikon nga afër krizën
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke shikuar nga afër situatën në Kazakistan, dhe këtij shteti i është referuar si “partner i vlefshëm”.
Price ka thënë se SHBA-ja dënon dhunën dhe dëmtimin e pronës.
Ai u ka bërë thirrje të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje paqësore.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin “thirrjet për qetësi” dhe ka thënë se protestuesit duhet të kenë mundësi “të shprehen në mënyrë paqësore”.
Vendet fqinje të Kazakistanit, Kirgizia dhe Uzbekistani, kanë thënë se janë duke shikuar nga afër dhe me ankth këtë situatë. /Europa e Lire/