Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka deklaruar mbrëmjen e sotme se ai do të pranonte të kandidonte për kreun e PD-së vetëm nëse nuk do të kishte përballë ish-Kryeministrin Sali Berisha.
I ftuar në një lidhje live për Fax News, Edi Paloka u shpreh se nëse kandidon Berisha, atëherë ai do të mbeshtesë ish-Kryeministrin, pasi këtë gjë dëshirojnë të gjithë demokratët në këto momente.
“Të them të drejtën jam themelues i PD-së dhe kam 31 vite në atë parti, kam mendim shumë të mirë për veten, por nëse do të hyjë në garë Sali berisha, unë do të mbeshtës Berishën. Në një situatë tjetër do ta mendoja. Në këto kushte nuk do të përplasesha me Sali Berishën“, tha Paloka.
Edi Paloka nuk i kurse akuzat ndaj Lulzim Bashës. Paloka u shpreh se Basha i ka kthyer demokratët në qesharakë me veprimet e tij, duke shtuar se Basha sot këmbëngul për të mbajtur vulën vetëm për arsye personale ose sepse është kthyer në ‘kamikaz’ të Ramës.
Teksa e krahason Bashën me kryeministrin Edi Rama, Edi Paloka u shpreh se i ka kërkuar kryetarit të PD-së të dalë dhe të kërkojë votëbesimin e anëtarësisë dhe në këtë mënyrë do të shmangej përplasja e demokratëve.
Fjala e Edi Palokës
Jemi përpara një situate krejtësisht të papranueshme. Ai që deri dje ishte kryetar nuk njeh Kuvendin dhe as Referendumin. Ndërkohë ka filluar dhe blindohet në Selinë e PD-së duke lënë jashtë edhe deputetët e PD-së dhe jo vetëm anëtarët e thjeshtë. I keni parë dhe deklaratat qesharake që ka bërë. Erdhi puna që pas 31 vitesh të na kthejë në qesharakë përpara opinionit. Për të hyrë në Seli i duhet njerëzve që kanë një jetë në PD, të marrin leje diku te një personazh fantazmorik, që nuk dihet kush është, për të hapur derën. Kjo situatë qesharake dhe dramatike na ka çuar ai që në 8 vite e mbështetëm të gjithë bashkë për ta bërë kryeministër të shqiptarëve. Po jua them, e gjithë partia në thonjëza e Lulzim Bashës është ajo që u mbledh në pallatin e kongreseve në 18 dhjetor. Në atë të ashtëquajturin kuvend kishte njerëz të marrë nga rruga pa asnjë lidhje me PD-në. U sollën dhe u futën dhe socialistë. Anëtarë të shtabit të PS-së Durrës kanë dalë për t’u tallur me funksionarë të PD-së në sallë. Janë fytyra që i njeh gjithë Durrësi si komisionerë të PS-së. Sot nuk ka as 7% të anëtarësisë dhe i kthehet kundër shumicës së partisë. Ai thotë unë kam vulën dhe e ruaj me çdo kusht. Janë të gjitha te kopjuara nga Edi Rama. Na premtoi pas 25 prillit betejë me Edi Ramën por vetëm e kopjoi. E mbani mend si dikur Rama blindonte kryeministrinë ndaj protestuesve, sot Basha blindon selinë.
Nuk mendoj se SHBA-të mbeshtesin një njeri që nuk pranon votën e anëtarësisë. Nuk mund të mbështesin futjen e banditëve dhe mercenarve të paguar brenda Selisë. Ju garantoj se nëse dikush e bën këtë nuk përfaqësin SHBA-të. Vizita e zv/Ambasadorit nuk tregon asgjë. Nëse do kishte një deklaratë mbështetëse për Lulzim Bashën, atëherë kjo për mua nuk do të ishte deklaratë mbështetëse. Me kërkesë të z.Basha u bë një takim me ambasadorët, dhe u shit si mbështetje për Lulzim Bashën. Ambasadoret e bene te qartë që nuk ishte mbështetje dhe i kishin kërkuar Bashës që kërkesa të tilla të mos bëjnë më. Z.Basha prej kohësh mohon fuqine e votes. Ka kopjuar Ramën në çdo gjë. Që nga fillimi i përplasjes i kam kërkuar Bashës të dalë dhe të kërkojë votëbesim. Nëse anëtarësia të jep votëbesimin, atëherë vazhdo na pri dhe ne të ndjekim pas. Së fundmi i bëra përsëri thirrje që të eliminohet kjo përplasje mes demokratëve të thjeshtë. Prano votën e demokratëve. Hy në votime. Dil votohu zotëri, tregoji demokratëve kush je. Sigurisht që do humbë. Mua ma ka pranuar në sy se kjo është arsyeja përse nuk del.
Por të paktën ki dinjitet dhe dil. Basha erdhi në PD pa sakrificë, pa asnjë mund. 3 herë ministër, kryetar bashkie. Dil zotëri, nëse nuk të duan demokratët përse e mban atë karrige. Ai krimineli Sali berisha, që bëri 97-tën apo 21 janarin, ka ndenjur dy orë në zyrën e Bashës kur votohej per kryetar partie. Të dilte Basha e të thoshte, nëse unë do zgjidhem kryetar partie atëherë do të përjashtoj Berishën nga PD. Nëse do të merrte votat e demokratëve, atëherë kishte të drejtë ai. Por si hilacak, si Edi Rama, duke të mbajtur Sali Berisha në krahë derisa u zgjodhe kryetar, pastaj e përjashtoi. Edhe sikur ta mbajë vulën me polici, me gjykatat e Edi Ramës, ai e di që nuk fiton më. Dy arsye përse e mban vulën. Për interesa personale dhe e dyta është kthyer në kamikaz të Ramës. Të them të drejtën jam themelues i PD-së dhe kam 31 vite në atë parti, kam mendim shumë të mirë për veten, por nëse do të hyjë në garë Sali berisha, unë do të mbeshtës Berishën. Në një situatë tjetër do ta mendoja. Në këto kushte nuk do të përplasesha me Sali Berishën.