Një atentat me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në fshatin Gjoçaj të Peqinit i ka marrë jetën një 35-vjeçari.
Shtetasi Albi Bashaliu u qëllua me armë zjarri sapo kishte dalë nga një lokal në fshatin ku u regjistrua krimi i rëndë. Ai është qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
NGJARJA
Bashaliu kishte shkuar në lokalin e fshatit paraditen e djeshme, duke konsumuar kafen e mëngjesit. Sapo ka dalë nga lokali rreth orës 08:39 minuta, është qëlluar me armë zjarri. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.
Krimi i rëndë, sipas burimeve, dyshohet të jetë kryer me një armë me silenciator, pasi banorët e lagjes nuk kanë dëgjuar asnjë krismë. Kjo ka bërë që forcat e rendit të shkonin me vonesë në vendin e krimit, çka u ka dhënë kohë të mjaftueshme autorëve të largohen pa gjurmë.
“Më datë 27.12.2021, rreth orës 08:39, në fshatin Gjoçaj Peqin, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri, në rrugë, shtetasi A. B., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Gjoçaj, Peqin. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me grupin hetimor. Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit/ ëve”, sqaron Policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve.
VIKTIMËN E THIRRËN
Duket se atentati ndaj 35- vjeçarit ka qenë i mirorganizuar. Ndërsa Albi Bashaliu ishte duke konsumuar kafe, ai është thirrur nga një person jashtë lokalit. Pavarësisht se ishte në hasmëri, 35- vjeçari nuk ka kuptuar asgjë dhe ka dalë qetësisht nga lokali i fshatit.
Rreth 150 metra larg lokalit është qëlluar me armë zjarri pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një prej plumbave e ka qëlluar atë në kokë, që ka qenë fatal për Bashaliun.
Paraprakisht dy shohet se dy persona kanë marrë pjesë në krim, të cilët janë larguar më pas nga vendi i ngjarjes me makinën e viktimës, ndërsa automjetit të tyre me xhama të zinj i kanë vënë zjarrin jo shumë larg vendit të krimit, duke u shkrumbuar plotësisht.
Sipas banorëve të fshatit, viktima ishte një person i qetë dhe madje trajtohej me KEMP dhe nuk ruhej.
PISTAT
Viktima nuk ka precedent të mëparshëm penal dhe nuk është përfshirë në ndonjë veprimtari të jashtëligjshme. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes për shkak të një vrasjeje të kryer nga vëllai i tij.
Viktima Albi Bashaliu është vëllai i Leonard Bashalliut, 36 vjeç, i cili në muajin qershor të këtij viti ka ekzekutuar bashkëfshatarin e tij, viktimën Ylber Xhahysa, 44 vjeç, pronar i një rrjeti kabllor të zonës. Deri më tani pista kryesore e Policisë është ajo e hakmarrjes për krimin e kryer nga vëllai i viktimës.
AUTORËT U LANË NË “BALTË”
Në orët e pasdites së shkuar, forca të shumta Policie u vunë në kërkim të 22- vjeçarit Henrik Xhahysa, djali i shtetasit Ylber Xhahysa, i vrarë në qershor të këtij viti nga vëllai i viktimës pas një konflikti që shpërtheu për shkak të një gërvishtjeje.
Në kërkim të tij është vënë në dispozicion edhe një helikopter.
Burimet bënë me dije se autorët e vrasjes dyshohet të jenë braktisur nga bashkëpunëtorët, të cilët pas ekzekutimit dhe djegies së automjetit që përdorën për të ekzekutuar Albi Bashaliun, duhet t’i largonin ato nga vendngjarja.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe më gjerë në përpjekje për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm, të cilët duhet të prisnin autorët e krimit.
Dëshmitari: Autorët, të maskuar dhe me makinë me xhama të zinj
Pronari i lokalit ku ndodhi vrasja e 35-vjeçarit Albi Bashaliu tha se dy persona e prisnin 35-vjeçarin dhe më pas e qëlluan me armë zjarri nga brenda një automjeti me xhama të zinj.
Ai tha se viktima kishte ardhur për të pirë kafe me kushërinjtë e tij në lokal. Sipas pronarit të lokalit, autorët dogjën makinën e tyre dhe u larguan me automjetin e viktimës, tip “Golf”, me ngjyrë të kuqe.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarjen nuk e pamë, unë isha brenda, ngjarja ndodhi në rrugë, një makinë ishte parkuar këtu afër punës sime, me targa tonat, ishin xhamat e zinjtë dhe nuk dukej njeri brenda.
Nuk patë ndonjë lëvizje të dyshimtë?
Jo asgjë, kishte ardhur për të pirë kafen në mëngjes, sa zbriti e qëlluan, ishin veshur me të zeza, me maska COVID, ishin çuna të rinj, një doli me pistoletë, ishin 2 veta. U frikësuam të gjithë, viktima është njeriu im, unë desh dola se viktima është njeriu im, më thanë “futu brenda zotëri”.
Ai që kishte pistoletën, më tha: “Kjo është rrugë kryesore”. Ikën menjëherë? Bënë vrasjen, një e gjuajti dy herë, pastaj e kontrolloi, dhe i quajti dy herë, i mori çelësat dhe mori çelësat e makinës, dhe ndezi makinën e viktimës.
Kur e ndezi, i vuri benzinën makinës së tyre dhe u larguan, ikën qetë e qetë. Si e njihnit Albin? Ishte punëtor, djalë i mirë, ka qenë i sëmurë, m’u dhimbs, s’kam fjalë. Dyshimet? Nuk e di, unë kam qenë në punë.
Dy vrasje për një gërvishtje makine
Një gërvishtje makine rreth pesë vite më parë u bë shkak për dy vrasje në zonën e Peqinit. Albi Bashaliu u vra me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në fshatin Gjocaj, ndërsa krimi dyshohet të jetë kryer për hakmarrje.
Më 8 qershor të këtij viti, vëllai i viktimës së djeshme, Leonard Bashaliu, dyshohet se vrau me armë zjarri 44-vjeçarin Ylber Xhahysa, pronar i një rrjeti kabllor në zonë. I ndjeri u qëllua me katër plumba nga Leonardi, i arrestuar nga Policia si autor i vrasjes në një nga lokalet e të njëjtin fshat.
Si për koincidencë, të dyja vrasjet janë regjistruar rreth orës 08:30 minuta të mëngjesit. Kishte qenë viktima Ylber Xhahysa, i cili i kishte gërvishtur makinën Bashaliut, që u bë shkak edhe për konfliktin e mëngjesit të 8 qershorit dhe që përfundoi me vrasje.
Konflikti ishte fillimisht verbal dhe më pas vazhdoi me karrige dhe sende të forta derisa Bashaliu e qëlloi me të paktën katër plumba pistolete viktimën. Pas ngjarjes, 36-vjeçari Leonard Bashaliu, banues në fshatin Gjocaj, u arrestua nga Policia disa minuta pas ngjarjes, teksa është sekuestruar edhe arma e krimit.
Në dëshminë e tij në Polici, ai ka deklaruar se në gjendje të rënduar psikologjike, konflikti kishte nisur pas një ngjarjeje të hershme, që e ka zanafillën 5 vite më parë, kohë kur autori i dyshuar është konfliktuar me viktimën, pasi ky i fundit i kishte gërvishtur automjetin. Po ashtu, Leonard Bashaliun e shqetësonte fakti që Ylber Xhahysa hiqej si i “forti” i fshatit.
Ai ka thënë se “u zumë kot pasi para 5 vjetësh me ka qëlluar me grusht dhe sot filloi debati me fjalë e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”. I ndjeri, baba i dy fëmijëve, ishte pronar i një kabllori për transmetime televizive në zonë.
/Panorama.al/
Lexo edhe: