Nga Ilir Kalemaj
Ky fundviti është i pazakontë. Së pari në Shqipëri. Është prodhuar histori më shumë se ç’mund të konsumohet përgjatë një dekade në fare pak javë. Nga annus horribilis i 1997-ës ku gjithsesi më shumë kishte parapolitikë për shkak të bandave të armatosura dhe destabilitetit të vendit deri tani, nuk kemi një fluks të tillë ngjarjesh brenda një viti të vetëm. Nga zgjedhjet problematike të prillit ku spikatën shtimi marramendës i vendeve të punës në administratë, përdorimi i fondeve të rindërtimit për të shtuar vota, vendosja e të “fortëve” në lista deri te patronazhistët që bënë dhe xhiron e mediave botërore, ishin ogure jo fort të mira për një verë jo të qetë. Që u trazua edhe më tej nga zgjedhjet rrufe në PD, por që gjithsesi krijuan atë qetësinë para stuhisë e cila çoi te situata shpërthyese brenda PD-së nga shtatori deri tani. Një situatë ku termat non-grata, përjashtim nga grupi parlametar, foltore, kuvende kombëtare, referendume ndoqën njëra-tjetrën si në zhgjandër, duke na mësuar me njëlloj anormaliteti të ri.
Në skenën ballkanike, pamë përpjekje për të mbajtur gjallë entuziazmin për Ballkanin e Hapur si një proces kompesimi, përplotësimi, apo sikundër mendojnë shumë skeptikë përfshirë autorin e këtyre radhëve, një show në funksion të politikës së brendshme të tre vendeve që e kanë startuar si proces. Por njëkohshëm pamë edhe përsëritjen e filmit ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dështojnë të hapin negociatat (kësaj here për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë), ku Serbia çel katër kapitujt e radhës duke i’u afruar Malit të Zi si dy ndër vendet pararojë në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt antarësimit në BE dhe ku Kosovës ende nuk i është dhënë liberalizimi i vizave.
Pamë gjithashtu që procesi i peng-marrjes së Republikës së Kosovës nga Serbia vazhdon, ku procesi i negociatave mes dy vendeve ka ngrirë së paku deri në zgjedhjet pranverore të vitit të ardhshëm në Serbi, ku Veriu i Kosovës vijon të destabilizohet nga krimi i organizuar i lidhur me Beogradin, ku parimi i reciprocitetit që Kosova synon të vendosë, bllokohet me kërcënime ushtarake të mbështetura nga Moska, ku Serbia vijon të armatoset me armë ofensive dhe ku projekti i “botës serbe” u artikulua për herë të parë zyrtarisht në verë të këtij viti.
Në një skenë më globale, shohim një SHBA më prezente por edhe një aleancë më të koordinuar Rusi-Kinë, si për stërvitjet e përbashkëta detare dhe tokësore, për investimet në hapësirë, për qasjen uniforme përsa i përket vendeve të treta si Irani, Venezuela, Siria apo Korea e Veriut, për mbështetjen e rakorduar për ambiciet ruse në Ukrainë dhe qasjen agresive kineze ndaj Taivanit etj. Ndërkohë Bashkimi Europian duket ende i zënë me problemet e brendshme, ende duke mos maksimizuar fuqinë e tij normative dhe duke mos sjellë politikën e jashtme të njëzëshme dhe fuqinë ushtarake në nivelin mbi-nacional që kanë politikat ekonomike si tregu i përbashkët apo ato monetare me eurozonën.
Natyrisht përtej shteteve dhe rikthimit të një bote shumë-polare jo klasike, më tepër një bote uni-shumë-polare asimetrike, ku SHBA është ende primus inter partes dhe vazhdon dominimin e saj me shpenzime ushtarake vjetore që shkojnë sa gjithë shtetet e tjera të botës të marra së bashku, me PBB ende larg vendit të dytë-Kinës, me fuqinë e butë ende të pakonkurrueshme, kemi dhe fenomene të tjera që mund të jenë shqetësuese në muajt dhe vitet në vijim. Bllokimi i tregtisë botërore dhe rritja e kostove të transportit si rezultat i vijëmësisë shqetësuese të varianteve të Kovid 19-ës, inflacioni me prirje rritëse që ka rritur ndjeshëm çmimet e konsumit, luftërat e pritshme në horizont ku spikat konflikti Rusi-Ukrainë apo destabilizimi i Bosnje-Herzegovinës, rritja e pabarazisë në nivel botëror, kërcënimet dhe mundësitë që vijnë nga inteligjenca artificiale, rrjedhja e të dhënave, sulmet kibernetike, apo nivelet dhe spekullimet e përdorimit të parasë digjitale dhe kriptovalutave janë ndër lajmet që do e bëjnë vitin që vjen sa të paparashikueshëm aq dhe interesant.