Nga Branko Zavalani
Tre muaj deklarata, akuza dhe makineri balte mbi Partinë Demokratike. Kaosi ka shpërthyer. Duket sikur djalli ka dalë nga foleja. Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë. Sulmet dhe balta nuk vijnë nga Edi Rama, as nga Taulant Balla apo Damian tërmeti, nuk janë personazhet e “rilindjes” që po e thyejnë në mes opozitën, janë vetë demokratët që me shkopinj nën rrota ose stërkëmbësha po ja bëjnë vetes së tyre.
Berisha e vërtetoi se ka shumicën në Kuvendin e PD-së sikundër dhe Basha në disa organe qendrore të Partisë siç është Këshilli Kombëtar. Këto vërtetime të pritshme nuk është se zgjidhën gjë për të ardhmen e forcës kryesore të opozitës dhe ndoshta me procedurë kaosi do të vazhdojë edhe për muaj të tjerë.
Palët po gabojnë rëndë në atë që mund të quhet shpresa e vetme për opozitë në vendin me qeverisjen më të korruptuar në Europë. Dy grupimet në Partinë Demokratike dhe mediat pranë tyre po hedhin aq shumë akuza ndaj njëri-tjetrit saqë një moment të krijohet ideja se Fajet për varfërinë, korrupsionin, mungesën e shtetit ligjor, drejtësinë e kapur dhe të sakatuar i kanë palët respektive. Duket sikur engjëlli në këtë vend është vetë djalli Edi Rama dhe “rilindja” e tij e cila në fakt ka 8 vite që po sillet si agjenci funeral duke i marrë shqiptarët ose duke i përcjellë nëpër Europë, ose duke i përcjellë në botën tjetër.
Mediat kryesore të rreshtuara në opozitë me rilindjen nuk kanë më asnjë rresht për tenderat korruptiv, PPP-të apo zullumet e pafundme të qeverisë. Ato po nxirosin dhe po sterrosin anëtarët e opozitës duke i paraqitur fajtorë edhe për shiun që bie. Është absurditet, dritëshkurtësi dhe kapitullim para qeverisë, por edhe para shoqërisë. Pse duhet ti besojmë nesër demokratët si ata të shumicës, por edhe ata të selisë kur kanë kaq shumë akuza për njëri-tjetrin!?
Grupimi nismëtar i Partisë Demokratike me të drejtën që i jep shumica mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe shpalli aty rithemelimin. Por përtej dyshimit për cilësinë e disa figurave periferike pa kontribute domethënëse, por edhe pa një formim ideologjik dhe intelektual, bie në sy që nuk përfshiu aty asnjë nga fraksioni Basha, ose ata të cilët sot janë rreshtuar kundër zotit Berisha. Kjo gjë në vetvete është përjashtuese dhe pa vizion politik për të nesërmen e opozitës.
Nga ana tjetër, grupi që kontrollon organet qendrore të Partisë Demokratike ka humbur lidhjet me votuesit, me militantët me pjesën e poshtme të saj. Kjo është absurde! Kryetar degësh të cilëve anëtarësia u ka ikur me zotin Berisha rreshtohen dhe votojnë kundër tij. Deputet të cilëve u kanë ikur mbështetësit e fushatës, komisionerët rreshtohen gjithashtu pa busull në konfliktualitet. Ndonjë syresh e quan antiamerikane apo i krahason me strukturat paralele serbe njerëzit që u rreshtuan krah tyre vetëm gjashtë muaj më parë kundër një regjimi kleptokratik dhe të korruptuar.
Po nesër a do mund të bëhen më bashkë këto 600 mijë vota që opozita i mori në zgjedhjet e fundit edhe pse nuk ishin të mjaftueshme?! E vështirë në mos e pamundur pasi kjo punë ka marrë për dreq.
A nuk e kuptojnë palët aktorët dhe faktorët në Partinë Demokratike se po shkëputen keqazi nga shoqëria?! A nuk e kuptojnë se po i shërbejnë apatisë?! Ai qytetari i varfër dhe i ndershëm do rrijë të shikojë punët e veta i strukur nga trysnia e pushtetit. Atij do i mbetet shija e keqe e pushtetit se kjo luftë ngjan si një betejë epike mes bandash për të kontrolluar territoret.
Sido që të shkojë kjo punë, kushdo që të jetë fituesi do jetë shumë i dobët para një të majte të lidhur kokë e këmbë me malavitën dhe hijet e së shkuarës kriminale të vendit. Por si mund të ndryshojë kjo gjë sot tani?!
Ndoshta nuk ka më asnjë shans për të ndryshuar, por një mundësi e vogël është që mbështetësit kryesor të palëve të bëjnë një hap pas dhe të mbushen me frymë, të përpiqen ti thërrasin arsyes së tyre e cila mund të bëjë ti thirret dhe arsyes së liderve përkatës. Kjo nuk zgjidhet me militantizëm, njerëz që shkojnë para liderit të tyre dhe çirren si në 91-shin e largët për emrin e shefit të tyre. Jemi në vitin 2021, patetizmi i delegatëve të 11 dhjetorit, por edhe i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike tregon se marrëveshje nuk ka, kaosi ka shpërthyer, djalli ka dalë nga foleja dhe Partia Demokratike e kujtdo që do triumfojë, nuk do e kalojë 30% në zgjedhjet e radhës. Kemi një Parti pa kryetar dhe një kryetar pa parti, lufta me kundërshtarin do jetë e afërt dhe s’do ketë kohë për të lëpirë plagët.
Zoti e shpëtoftë opozitën se ata njerëzit, anëtarët e asaj familje kanë marrë pishtarët dhe po ja vënë flakën cep më cep, deri sa aty të mbetet vetëm hiri. Na ishte një herë!