Nga Fareed Zakaria
Imagjinoni për një moment, se si duket bota për njerëzit që jetojnë sot në Kinë, le të themi për një çift mesatar. Vendi i tyre, shtëpia e njërit prej qytetërimeve më të mëdha dhe më të lashta në botë, prej kohësh një lidere në shkencë dhe teknologji, ishte kryesisht e izoluar nga vala e madhe e përparimit ushtarak dhe teknologjik që filloi në Perëndim në shekullin XVI-të.
Ajo ishte e vonuar për arritjet e fuqishme ekonomike,të cilat nisën me revolucionin industrial në shekullin XVII-të. Ajo u dominua nga fuqitë e huaja gjatë shekullit XIX-të. Dhe gjatëshekullit të kaluar – kur ishin gjallë prindërit dhe gjyshërit e këtij çifti kinez – Kina vuajti pasojat e një dinastie Qing në rënie, luftërave civile, një pushtimi brutal nga Japonia, një beteje të gjatë civile midis forcave të Çang Kai Shek dhe Mao Ce Dunit.
Mao e fitoi atë luftë, por më pas e zhyti vendin në 30 vjet eksperimente shumë mizore, revolucionare, nga Hopi i Madh Përpara tek Revolucioni Kulturor, të cilat dështuan. Nga fundi i viteve 1970, Kina ishte një vend i rraskapitur, i varfër, i izoluar, me një regjim revolucionar që kishte humbur çdo lloj peshe globale.
Prindërit e këtij çifti kinez ishin ndër njerëzit më të varfër në botë, me shumë pak mundësi për jetën. Më pas u ngjit në pushtet Ten Hsiaopin, lideri i Partisë Komuniste që udhëhoqi Kinën nga fundi i viteve 1970 deri në vitet 1990.
Ishin politikat e tij, ato që e hapën Kinën ndaj tregjeve dhe botës. Ato kanë sjellë jo vetëm paqe dhe stabilitet, por edhe atë që ekonomisti amerikan Xhefri Saks e ka quajtur “historia më e suksesshme e zhvillimit në historinë botërore”.
Për 4 dekada, ekonomia e Kinës u rrit me thuajse 10 për qind në vit. Dhe PBB-ja për frymë u rrit më shumë se sa 25-fish. Me këtë progres ekonomik, ndodhi edhe krijimi i një shoqërie të re kineze, më të hapur, më ambicioze dhe më të sigurt për vendin e saj në botë.
Është e natyrshme që qytetarët në Kinë të jenë shumë krenarë dhe të kënaqur,aq sa kjo ndjenjë mund të shndërrohet ndonjëherë në një vetëbesim të tepruar dhe arrogancë.
Dhe kur dëgjojnë kritika për vendin e tyre nga vendet e Perëndimit, ata mund të pyesin veten nëse të huajt janë të pakënaqur me një Kinë që ka ecur me kaq shpejtësi lart në krye të listës së vendeve më të pasura, dhe nëse Amerika në veçanti, dëshiron që ta mbajë Kinën poshtë vetes.
Kjo që ata ngrenë është në fakt një pyetje e drejtë. Për superfuqinë ekzistuese, ka qenë gjithmonë e vështirë që të gjejë hapësirë për një superfuqi në rritje. Por sigurisht që kjo është bërë shumë më e vështirë nga Revolucioni i Tretë i Kinës:ndryshimet që janë ndërmarrë nga udhëheqësi i saj aktual, presidenti Xi Jinping.
Xi e ka çuar Kinën drejt një represioni më të madh, duke i lënë një hapësirë më të vogël tregjeve të lira,teksa ka një këmbëngulje më të fortë mbi ideologjinë komuniste në çdo sferë të jetës. Ai ka ndjekur një politikë më agresive edhe jashtë vendit.
Arkitekti i hapjes së Kinës, Ten Hsiaopin, foli dikur mbi nevojën që Kina ta fshehë forcën që ka dhe të presë kohën e saj. Por kjo nuk ishte një këshillë për të pritur disa dekada. Ten e kuptoi se Kina ishte aq e madhe, dhe kufizohej me kaq shumë vende me të cilat kishte shumëmosmarrëveshje kufitare, saqë duhej të siguronte botën se nuk do të bëhej shkas për konflikte.
Uinston Çërçill tha dikur se Rusia ishte një “gjëagjëzë e mbështjellë në një mister brenda një enigme”. Nga ana tjetër, Kina është një kornukopi -pra një territori i madh, i mbushur plot me kontradikta. Thuaj çdo gjë për Kinën, dhe mund ta gjesh atje, së bashku me të kundërtën e saj.
A do të jetë në gjendje Xi që ta kontrollojë këtë vend të stërmadh dhe ta detyrojë atë të veprojë sipas linjave që ai dëshiron? Deri më tani ai ia ka dalë mbanë. Por duke e bërë këtë, po ia bën jetën më pak të hapur çiftit kinez që përmenda në fillim,dhe vendi i tyre është më pak i admiruar në botë. Xi e ka ndryshuar Kinën, por në një mënyrë që e bën shumë më të rrezikshme ngritjen e saj në skenën botërore. / “CNN” – Bota.al