Pas skandalit që denoncoi Gazetasi.al, ku rezultoi se moshat e treta në polici po dalin përdorues droge dhe kur këto rezultate janë fiktive, Policia e Shtetit ka ndryshuar taktikë.
Sipas burimeve shumë të sigurta, një urdhër i dytë ka saktësuar mbrëmjen e kaluar se këtij testi do t’i nënshtrohen vetëm grupmoshat nga 21 vjeç, deri në 41 vjeç, pjesë e Policisë së Shtetit dhe jo përtej këtij kufiri.
Ky urdhër verbal i shpërndarë në Drejtoritë e Qarqeve, që është një pikë kthese në kontrollin e drogës, vjen pas dështimit të parë, ku mosha nga50 deri në 63 vjeç, rezultuan pozitivë, ndonëse bindja totale është se ata nuk kanë përdorur ndonjëherë drogë.
“Unë jam 50 vjeçe, – e nis rrëfimin oficerja e policisë për Gazetasi.al , – përfundimisht ishte dërrmuese të të njoftojnë tërthorazi se je pozitive. Kam nisur ilaçet e menopauzës dhe normalja do ishte që të ekzistonte një formular, në të cilin ne të shkruanim a vuajmë nga një simptomë e caktuar, a përdorim ilaçe, qoftë edhe depresioni. Kreva dy analiza, në gjak dhe urinë, ishim pesë veta nga drejtoria jonë dhe pritëm në radhën. Të siguroj që nëse do isha përdoruese, kisha mundësi manipulimi, aty lë kartën e identitetit dhe hyn për të bërë analizën që s’të kontrollon askush. Rezultati dihet. Është dërrmuese, sepse asnjëherë nuk do ta fshij këtë trup që më lanë mbi kurriz në këtë moshë. Jam police”, – deklaron të telefon nën/komisarja, e cila punon në një sektor të policisë, por që lutet të respektohet konfidencialiteti.
“Kjo frikë vjen, sepse policia është shtrënguar. Përfundimisht, sapo të sqarohet kjo gjë, ndonëse nuk do arrij dot ta heq këtë njollë, do ta lë policinë. Ata e dinë se kush është përdorues”, – këmbëngul oficerja, që thotë shkurt: “Nuk kam asnjë mendje t’i kallëzoj, këta që tallen me policinë e kanë një mbrapshti në kokë”.
Por a është ky test veprimi i duhur? Patjetër që po, kundërshton një zyrtar i policisë qendrore. Zyrtari i thotë Gazetasi.al , se informacionet tregojnë që një duzinë policësh konsumojnë hashash dhe kokainë dhe kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Po përse nuk nisin hetimet ndaj tyre bazuar në të dhënat operative? Duke mos dhënë shpjegime se përse nuk ka hetime për këtë skandal që pranohet se në mesin e policisë ka përdorues droge, zyrtari i policisë argumenton për Gazetasi.al, se është vendosur të jetë kjo strategjia, të ndodhë përjashtimi i tyre.
Megjithatë, juristët i thonë Gazetasi.al, se ky rezultat i një kompanie private për të cilën është lidhur marrëveshje në mënyrë të dyshimtë, duke qenë se ajo llogaritet të fusë në xhep gati 1 milion euro nga testi anti-drogë, është i pabazuar juridikisht.
“Pa u marrë aspak me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mungesën e bazës ligjore, ku mbështetet udhëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, vetëm me këtë rezultat të një kompanie private, nuk mund të përjashtohet askush. Më ka kontaktuar një oficer policie, i cili vuan nga diabeti dhe për këtë shkak mbahet nën kontroll me medikamente. Ky oficer ka dalë pozitiv, ndonëse është një polic i respektuar dhe nuk është përdorues droge. Ky rezultat nuk përdoret dot si provë për përjashtim nga policia”, – thotë avokati për paditë civile për Gazetasi.al , i cili ka vendosur të bëjë gati praktikën ligjore.
Hapi tjetër që do hedhë oficeri në fjalë, është kërkesa për t’i kryer analizat pranë mjekësisë ligjore dhe pranë institutit të policisë shkencore.
“Kjo është me pak fjalë, – rrëfehet njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të formulës që u gjet për kontrollin e policisë. – Kemi institucione shtetërore që mund ta bëjnë këtë gjë, kemi hetues që mund t’i zbulojnë këta oficerë që përdorin drogë dhe që mund të jenë të rekrutuar dhe të varur nga grupet kriminale. Ku janë këto struktura? Ky dëm moral që i bëhet çdo polici të ndershëm, është po aq kriminal sa edhe vrasja e një polici në detyrë”, – përmend zyrtari, i cili thotë se ka debatuar përpara se të dilej me një vendim.
Rrëfim
Ka parë shumë shefa. Njëri më i bujshëm se tjetri. Duke përdorur policinë për ‘shoë’, duket se nuk shpëtoi as drejtori i ri i Policisë së Shtetit
“Nanon e njoh dhe më vjen keq që e solli zgjidhjen të tillë. Kur them s’jam përdorues, më kujtohen ata hajdutët që kam arrestuar në jetën time dhe bërtisnin: ‘Nuk e kam bërë unë, s’kam vjedhur’. Këtë po të them tani. Nuk jam përdorues“, – thotë polici, i cili vazhdon në detyrë edhe pse ka dalë pozitiv.
Ai po i afrohet të 60-ave dhe paradoksi sipas tij, qëndron tek paragjykimi. “Të nisësh një pastrim të tillë me paragjykim, është e rëndë: nëse pas kësaj, kur e kanë mësuar të gjithë, a mund të qëndroj më tej në polici? JO. Do jap dorëheqjen, jam burrë, turpi le t’i rëndojë duke nisur nga i pari i policisë dhe më tej secilit aty në drejtorinë qendrore”, – akuzon polici gjatë denoncimit për Gazetasi.al .
Por edhe ai si të tjerët këmbëngul, “jo emrin, le të vijnë të ma thonë pa u fshehur, se di unë ç’do bëj”. Por në të 60-at, edhe ky polic, që dikur ka kaluar vështirësi nga polic objektesh, në disa komisariate nëpër Shqipëri, vlerëson se vështirësia më e madhe ishte kjo.
“Dola përdorues droge, ma kanë thënë në telefon, por ende asnjë copë letër. S’e tregojnë që ua kanë çuar atyre lart, e ata lart, ua kanë thënë këtyre të mive dhe këta fshihen. S’ma kanë thënë në sy”.
Megjithatë nuk ka ende një shifër zyrtare se sa është numri i policëve që kanë dalë përdorues droge në analiza dhe përse nuk u ndoq planifikimi primar, ai i kontrollit të forcave ‘Shqiponja’, që denoncoheshin në komisariatin dixhital, se disa policisë ishin parë duke pirë hashash. “Ata nuk kanë për të dalë jo, do dalim ne që jemi me ilaçe”, – e mbyll polici veteran.
Marrë nga: Gazetasi.al