Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë këshilla qytetarëve

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka dalë me një apel për qytetarët që kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin telefonata, letra, mesazhe dhe “prezantime” për pagim borxhesh, kredish apo detyrimesh duke u “vrarë” dhe shantazhuar financiarisht.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë këshillon qytetarët të ruajnë mesazhet e marra dhe të bëjnë menjëherë kallëzim penal për rastin që i shqetëson.

“Nëse dyshoni kur ndesheni me fjalët ‘Përmbarim’, ‘Sekuestrim’, ‘Ekzekutim’ njoftoni menjëherë Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ose Ministrinë e Drejtësisë”, apelon dhoma.

Reagimi i plotë

Mijëra shqiptarë kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin telefonata, letra, mesazhe dhe “prezantime” për pagim borxhesh, kredish apo detyrimesh duke u “vrarë” dhe shantazhuar financiarisht.

Institucionet bëjnë sikur nuk e dinë se kush janë mashtruesit dhe të mashtruarit, por edhe kur dinë, e kanë më të lehtë të mbyllin rastin në bodrume arkivash me një përgjigje shabllone, për të hequr përgjegjësinë nga vetja.

Merrni situatën në dorë vetë!

Një këshillë për të gjithë ata që bien në kontakt me telefonatat, mesazhet, prezantimet dhe letrat që përmendin fjalët: borxh, bankë, detyrim, përmbarim dhe kredi:

RUANI MESAZHIN, TELEFONATËN, LETRËN APO FOTOGRAFONI “PREZANTUESIN” ANONIM QË JU SHFAQET SI BORXHMBLEDHËS, NË SHTËPI, NË PUNË, NË SHKOLLË, APO KUDO KU JU KONTAKTON.

Bëni menjëherë kallëzim penal për rastin që ju shqetëson. Të jeni të bindur që përballë lumit të kallëzimeve dhe fakteve konkrete, dembelët e institucioneve tona do të detyrohen të zgjohen. Ndërsa secili prej jush, do të jetë provë dhe faktor konkret në ndalimin e mashtrimit të mëtejshëm publik.

LEXO EDHE  Bashkitë pa kryetarë, Meta letër edhe qeverisë

Ps. “Metropolitan Police” e Londrës u përfshi në një ngjarje të rëndë në shtator, kur Wayne Couzens, ish-oficer policie i “Metropolitan Police”, vrau Sarah Everard në 3 mars 2021.

Si një ndër policitë më të përgjegjshme në botë, “Metropolitan Police” nxori një njoftim publik, duke këshilluar publikun që në rastet e ndalimeve policore, t’iu bëjë oficerëve të policisë këto pyetje: “Përse jeni këtu? Nga vini ju? Ku janë kolegët tuaj? Përse ekzaktësisht po më ndaloni dhe po flisni me mua?

https://www.met.police.uk/…/our-response-to-issues…/…

“Metropolitan Police” e Londrës udhëzon të gjithë londinezët (9 milionë banorë) për t’u siguruar ndaj vërtetësisë së oficerëve të policisë, madje dhe për t`i vënë përpara përgjegjësisë për t`u prezantuar.

Nga institucionet tona ligjzbatuese, nuk presim të punojë dikush për ndërgjegjësimin e tillë të qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve apo mashtruesave që nuk identifikohen kurrë kush janë.

Por të paktën le të ndërgjegjësojmë njëri–tjetrin, për të drejtën që ka gjithsecili prej nesh të komunikojë për të dhëna personale vetëm me njerëz që identifikohen qartë me të dhënat e tyre:

  • fytyrë,
  • emër/mbiemër dhe
  • funksion.

Nëse dyshoni kur ndesheni me fjalët “Përmbarim”, “Sekuestrim, “Ekzekutim” njoftoni menjëherë Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ose Ministrinë e Drejtësisë.

Kontakt: [email protected]