Hapen aplikimet për kreditë e buta në Tiranë/ Procedura, sa para merrni dhe kleçka që qëndron pas

Më 6 Dhjetor, nisin aplikimet për kredi të butë në kryeqytet. Aplikimet zgjasin deri më 10 Janar 2022, ndërkohë që kriteret dhe shuma që përfitohet nuk ndryshojnë në krahasim me vitin e kaluar.

Bashkia njofton se “kriteret bazë për para seleksionimin e kërkesës së paraqitur nga individë/familjet e interesuara për të përfituar nga programi social i strehimit për ‘Subvencionimin e interesave të kredisë’, do të jenë: individë të cilët në, momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç; familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë pronësi një banesë; familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të percaktuar në tabelën e mëposhtme”.

Shuma që mund të merret me kredi të butë

Procedura              

Aplikimi fillestar bëhet në zyrat e njësisë bashkiake ku individi është i regjistruar si banues i kryeqytetit. Aty dorëzon një sërë dokumentash, si vërtetim page, vërtetim banimi, certifikatë familjare, etj.

Më pas, administrata e bashkisë përzgjedh individët fitues të fazës së parë. Aplikuesit kalues të fazës fillestare i nënshtrohen një sistemi pikëzimi që përzgjedhes më pas fituesit finalë.

Në momentin që zgjidhen fitues finalë, qytetarët kanë të drejtë të nisin procedurat në bankë për marrjen e kredisë.

Kleçka

Për shumë, kjo është faza më e vështirë dhe nuk arrijnë ta përfitojnë kredinë e butë pavarësisht se zgjidhen fitues në të dyja fazat nga ana e bashkisë. Nga informacionet e marra nga individë në kushte të tilla, kleçka qëndron te shuma që mund të përfitosh përmes kësaj skeme. Ata shprehen se është e pamjaftueshme për blerjen e një banese.

LEXO EDHE  FOTO/ Prifti grek abuzoi 4 vite me minorenen shqiptare

Po ti referohemi tabelës së publikuar nga Bashkia Tiranë, që dëfton shumën që mund të merret kredi, një familje me 1 apo dy persona, mund të marrë deri në rreth 44 mln lekë (të vjetra) kredi. Një familje me tre persona mund të marrë maksimalisht gati 53 mln. Shuma këto me të cilat që të gjesh një banesë në kryeqytet, qoftë edhe në zonat më periferike, duket mision i pamundur, duke konsideruar çmimet e tregut.

Po sipas tabelës, një familje me katër persona përfiton rreth 62 mln lekë për të blerë një banesë 2+1. Ndërsa një familje me 5-6 persona, përfiton gati 75 mln lekë për blerjen e një banese 3+1. Shuma monetare sërish që nuk mbulojnë vlerën e banesave që në kryeqytet sa vijnë e rriten.

Në këto kushte, individët e zgjedhur të cilët nuk arrijnë të plotësojnë paratë shtesë për blerjen e banesave, nuk arrijnë të marrin kredinë e butë pavarësisht se rezultuan fitues nga ana e bashkisë.

Problematika vijon prej vitesh dhe ende nuk ka një politikë për ti dhënë ndihmë reale në blerjen e banesave personave të pastrehë. Premtimet politike, nga ana tjetër, nuk janë përkthyer në angazhim real.

/BoldNews.al/