Vasili: Kushtetuesja, çfarë turpi dhe çfarë kapjeje nga Qeveria

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, përmes një postimi në rrjetet sociale, akuzon Gjykatën Kushtetuese se është kthyer në një zbardhëse të asaj që kërkon Qeveria.

Vasili ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 30 qershorin, ndërsa shprehet se kjo Gjykatë është e kapur nga Edi Rama.

“Lexoni se sa trashë është marrë ky Vendim, duke e shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një zyrë të Qeverisë, që thjesht zbardh vendimet e kësaj të fundit. Mjerim i madh vërtet”, shkruan Vasili.

Postimi nga Petrit Vasili

Gjykata Kushtetuese katandiset në zbardhesë të asaj, që kërkon qeveria!

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për Zgjedhjet Lokale të 30 qershorit 2019 degradoi në mënyrë të turpshme thjesht dhe vetëm në një zbardhesë të kërkesës së Qeverisë.

Lexoni se sa trashë është marrë ky Vendim, duke e shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një zyrë të Qeverisë, që thjesht zbardh vendimet e kësaj të fundit. Mjerim i madh vërtet.

Ja kërkesa e Qeverisë, që citohet edhe në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese si më poshtë:

◼” 20. Subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, në mënyrë të përmbledhur, ka prapësuar si vijon:
20.1. Gjykata nuk ka juridiksion për të shqyrtuar asnjë lloj pretendimi për mënyrën e mbajtjes dhe/ose zhvillimit të zgjedhjeve vendore”.

Ja dhe Vendimi Perfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, që ngjan si dy pika uji pikërisht me atë, që ka kërkuar Qeveria:

◼ “73. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues”.

Gjykata Kushtuese për këtë çështje kaq të qartë zgjodhi haptas qeverinë dhe ju kundërvu hapur ODIHR, Bundestagut Gjerman, SHBA, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE.

Të gjithë këta janë shprehur shumë qartë, prerë dhe pa ekuivok se është detyrë vetëm e Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë dhe vendose për këtë problem kaq të rëndë kushtetues të votimeve moniste dhe të paligjshme e të padekretuara nga Presidenti.

🔴 Ja çfarë thoshte ODIHR në raportin përfundimtar për votimet moniste të 30 qershorit të vitit 2019:

“Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerrë nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”

LEXO EDHE  Gjekmarkaj: Basha nuk ikën nga zyra e PD edhe po humbi me 6 mars

“Vetëm Gjykata Kushtetuese është e autorizuar të gjykojë mbi kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit të Republikës”

“Pasiguria u rrit më tej nga mosmarrëveshja midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesit zgjedhor”.

🔴 Ja çfarë thoshte Bundestagu Gjerman në 26 shtator 2019 në Rezoluten në mbështetje të hapjes se negociatave si një nga kushtet ishte vendimi për lokalet pika 7:

“7 – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019; në rast se zgjedhjet duhet të përsëriten, atëherë ato duhet të mbahen mbi bazën e ligjit të ri zgjedhor”.

🔴 Ja çfarë deklaronte në emër të SHBA Zëvendësndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ne 28 qershor 2019 për zgjedhjet lokale:

“Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë”.

🔴 Ja çfarë thoshte Parlament Europian në Rezoluten e 19 qershorit te vitit 2020 duke përcaktuar si kusht te 12 ne mes 15 kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë:

“12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019”.

🔴 Ja çfarë thoshte Këshilli i Ministrave të BE në 24 mars 2020 duke përcaktuar si kusht për hapjen e negociatave se:

“Gjykata Kushtetuese duhet të ketë marrë vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019”.

Por Gjykata Kushtetuese rilindase vendosi të mos degjoje “budallenjtë” e ODIHR, të Bundestagut, të SHBA, të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE, por vendosi të dëgjojë të “zgjuarit” e Qeverisë e të zbardhë fjale për fjalë atë, që deshën ata.

Çfarë turpi! Çfarë nënshtrimi! Çfare kapje!