SPAK, një “Tigër prej letre”. 1 vit burg për aferën 28 mln euro. “Amniston” Dakon dhe bosët e kokainës

Nga Boldnews.al

Nëse ka një ditë kur SPAK-u tregoi se është një “tigër prej letre”, kjo e Premte e fillimit të Dhjetorit 2021 i plotëson më së miri të gjitha kriteret.

Dita e fundit e kësaj jave ka qenë intensive për prokurorët specialë, po aq sa dëshmitare se si njësia më e specializuar kundër krimit elitar nuk ka fuqinë, por as vullnetin për të bërë në mos më shumë, të paktën sa strukturat paraardhëse hetimore apo ato aktualet të juridiksionit të përgjithshëm.

Le t’i shohim me radhë zhvillimet e kësaj të Premte;

1. Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar dënimin me nga 1 vit e gjysëm burgim për 9 të pandehur, ish-zyrtarë të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, për abuzim me tenderin 28 milionë euro për uniformat e Policisë së Shtetit.

Ish-drejtoresha Edlira Naqellari dhe ish-vartësit akuzohen për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera” dhe gjykimi ndaj tyre u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndaj ata përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit nëse shpallen fajtorë.

Pra, skandali më i madh financiar, i identifikuar gjatë viteve të fundit, përfundoi në kërkesën për dënimin e disa zyrtarëve të rangut të ulët, ndërkohë që SPAK nuk guxoi të shtrinte hetimet e saj tek ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndrecaj dhe shefi i tij i madh i asaj kohe, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Në foto: (Nga e majta në të djathtë). Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndrecaj, ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari

Me këtë hetim dhe kërkesat për dënim, SPAK-u tregoi se nuk e ka marrë ende seriozisht luftën kundër korrupsionit qeveritar, duke katandisur skandalin “28 milionë euro” në kërkesën për dënimin e disa “cironkave”, pavarësisht se mentorja e tyre, ambasadorja amerikane Yuri Kim, mund ta “shesë” si “dënim i peshqëve të mëdhenj”.

2. Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dënuar me nga 10 dhe 8 vite burgim Altin Mystehakën dhe Ardian Begën, të akuzuar për “trafik narkotikësh”.

Ata u arrestuan si pritës të 137 kilogram kokainë që mbërriti në Portin e Durrësit, në vijim të një operacioni të nisur nga autoritetet e huaja, të cilat zëvendësuan lëndën narkotike me pluhur orizi në Portin e Pireut, në Gusht 2019.

Për një tjetër të dyshuar, Gentian Malindi, procesi është pezulluar, pasi ai është në arrati.

LEXO EDHE  Berisha: Shpallja non-grata, një meme

Hetimi i SPAK-ut nuk arriti të identifikonte porositësit e lëndës narkotike, vlera e së cilës përllogaritet në disa milionë euro.

Megjithëse kishte indikacionet e nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë, prokurorët e SPAK-ut u mjaftuan vetëm me hetimin dhe dënimin e “cironkave”, pritësit e lëndës narkotike, të cilët në rastin më të mirë përfitojnë pak mijëra euro.

Në foto: Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, duke prezantuar rezultatet e operacionit, ku u zbuluan 137 kg kokainë në Portin e Durrësit, Gusht 2019

Ekspertët e sigurisë e kanë të qartë që një ngarkesë e tillë, me vlerë miliona euro, është organizim nga grupe të rëndësishme kriminale. Por, SPAK-u e ka hapin hetimor deri tek shoferët.

3. Gjykata Speciale ka dënuar me 10 vjet burg këtë të premte Astrit Avdylit dhe me dënime më të ulta disa bashkëpunëtorë të tij, të arrestuar në operacionin kundër trafikut të narkotikëve, të emërtuar “Volvo-4”.

Në foto: Astrit Avdyli, në pamjen e vetme të siguruar nga media

Në përgjimet e këtij hetimi, opinioni publik u njoh me përgjime, ku zyrtarë të rëndësishëm të Partisë Socialiste, përfshirë ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, bënin “Pazar” me këta eksponentë të krimit të organizuar në Shijak për blerje votash në favor të maxhorancës së Edi Ramës.

SPAK, ashtu si edhe Prokuroria e drejtuar nga Donika Prela më parë, as nuk guxoi të merret me Dakon e të ngjashëm të tij.

4. Gjykata Speciale i riktheu sot për hetim Prokurorisë Speciale dosjen e kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i akuzuar për “falsifikim të formularit të dekriminalizimit”.

Në foto: Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj

Ky rast, më së paku është një dështim i prokurorëve specialë, të cilët nuk arrijnë të bindin gjykatën, pavarësisht se bëhet fjalë vetëm për një verifikim të vetëm, atë të dënimit të Qerimit të Mallakastrës në Greqi.

5. Nëse ka një rast, të cilat institucionet e drejtësisë mund ta konsiderojnë si sukses të tyre këtë të Premte është konfirmimi nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i dënimit me 14 vite burg të Emiljano Shullazit dhe dënimeve të disa bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Në foto: Emiljano Shullazi (i dyti majtas) dhe bashkëpunëtorët e tij, në një seancë gjyqësore

Procesi ndaj Shullazit ka nisur vite më parë, pas arrestimit të tij në vitin 2016. Vendimi i shkallës së parë ndaj tij është dhënë në Nëntor 2018.