“Lodhet” Venecia. I sugjeron Shqipërisë që të bëj si të dojë me mandatin e Vetingasve

Nga Albi Serani

Shprehja idiomatike angleze, “Let it be”, e shndërruar në kult nga grupi legjendar “Beatles” ka një kuptim aspak fisnik në shqip-“Varja”.

Ky është pak a shumë thelbi i draft-Opinionit të Venecias për zgjatjen e mandatit të anëtarëve të Vetingut, pas një kërkese që iu dërgua nga maxhoranca parlamentare dy muaj më parë.

Në disa pasazhe të zbuluar nga “Zëri i Amerikës” të Mërkurën e kësaj jave (01.12.2021), Komisioni i Venecias shpreh një lloj dakordësie për projektin e Partisë Socialiste në pushtet që të zgjasë mandatin të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në Dhjetor 2024, i cili është një hap përtej afatit kushtetues 5-vjeçar, që përfundon në Qershor të vitit 2022.

Qëndrimi më i fundit i ekspertëve të Venecias bie ndesh me Opinionin që ata vetë kanë dhënë më herët për mandatin e trupave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

“Venecia” ndryshon mendim
Në Mars 2016, i njëjti Komision i Venecias shprehej kategorikisht kundër mandateve të gjata, duke sugjeruar kohëzgjatje në detyrë nga 3-5 vjet për Komisionerët e Vetingut.

Në atë kohë, ekspertët e Venecias sugjeronin që procesi i rivlerësimit, në përfundim të mandatit të strukturave të përkohshme, t’u delegohej institucioneve permanente, si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Kushtetut-bërësit shqiptar, mbështetur në këto propozime, vendosën që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë të ishte 5 vjet dhe më tej, për rastet ende të pashqyrtuara, kompetenca t’u kalohej KLGJ-së dhe KLP-së.

Por, tashmë, pas 5 vitesh, “Venecia” ka modifikuar qëndrimin e saj, duke dëshmuar njëkohësisht edhe një lloj lodhjeje me kërkesat që i mbërrijnë nga politika dhe institucionet shqiptare për të njëjtat gjëra.

Në draft-opinionin, e shpërndarë këtë javë me “burime konfidenciale mediatike”, por që qartazi kanë si origjin maxhorancën socialiste, Komisioni i Venecias e tregon bezdisjen e tij, si edhe i sugjeron palëve në Shqipëri që të vendosin si të duan vetë.

“Komisioni ka theksuar më parë se zgjatja e mandatit të organeve të vettingut duhet të (1) bazohet në arsye objektive, (2) të ketë bazë legjislative dhe (3) të miratohet nga një shumicë e kualifikuar parlamentare. Komisioni është i mendimit se zgjatja e propozuar e mandatit të KPK dhe Komisionerit Publik i plotëson këto kritere”, thuhet në një ndër paragrafët e draft-Opinionit, të parë nga “Zëri i Amerikës”.

Komisioni i Venecias i konsideron të mirëqena tre kushtet, ndërkohë që për të paktin njërin prej tyre nuk ka konfirmim zyrtar. I konsiderojmë me radhë;

– Kriteri i parë, që zgjatja e mandatit të KPK “të bazohet në arsye objektive”, për Komisionin e Venecias është i përmbushur, pasi propozuesja e këtij ndryshimi kushtetues, Klotilda Bushka, ka argumentuar si vonesa në procesin e Vetingut faktin që ndihmësit ligjorë nuk kishin lap-topë për të punuar në shtëpi gjatë periudhës 2-mujorë të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

– Kriteri i dytë, i cili sugjeron që zgjatja e mandatit të ketë një bazë legjislative, gjithashtu është i përmbushur në këndvështrimin e Komisionit të Venecias, për sa kohë ka një shqyrtim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

– Kriteri i tretë, dhe më i rëndësishëm, për të cilin Venecia shprehet se është i plotësuar, është “miratimi i zgjatjes së mandave me një shumicë të kualifikuar parlamentare”.

Ndryshimi kushtetes për zgjatjen e mandatit të trupës së Vetingut kërkon një shumicë të cilësuar prej 2/3 e anëtave të Parlamentit, ose 94 vota deputetësh.

Partia Socialiste në pushtet, propozuese e këtyre ndryshimeve, së bashku me tre aleatë të saj, ka vetëm 78 deputetë, një shifër larg kuorumit të nevojshëm për ndryshime kushtetuese.

“Topi” mbetet sërish në opozitën parlamentare, e cila duhet të vendosë nëse do të bashkojë votat për këto ndryshime kushtetuese.

“Loja” me një portë
Partia Demokratike në minorancë është treguar tejet kritike me procesin e rivlerësimit, duke e konsideruar vendimmarrjen e saj si të diktuar nga qeveria dhe eksponentë të saj të rëndësishëm.

Qëndrimet në vijimësi të opozitës, në fakt janë të ngjashme edhe me opinionin e shprehur nga një numër i konsiderueshëm juristësh të kualifikuar, të cilët kanë ngritur pikëpyetje thelbësore mbi veprimtarinë e trupave të Vetingut.

LEXO EDHE  Qeveria miraton masat e reja anti-COVID

Anëtarë të trupës prej 12 komisionerëve të Vetingut përkëdhelin sedrën e tyre, duke u vetëkonsideruar si “mini-jakobinë”, referuar atyre që i vlerësojnë si vendime të forta për të pastruar sistemin e drejtësisë nga “gjyqtarë e prokurorë të korruptuar”.

Megjithatë, ata u emëruan në pozitën e “kontrollorit” pa kaluar në filtra të rreptë verifikimi, ndërkohë që për një pjesë prej tyre ekzistojnë dyshime të forta publike dhe jo vetëm, për mangësi të theksuara në kriteret e integritetit personal dhe aftësive profesionale.

Shumë vendime të marra nga trupat e Vetingut janë vlerësuar si të marra në aplikim të standarteve të shumëfishta, bazuar në emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë pasur përballë.

Shumë ndjekës të procesit të rivlerësimit bashkohen në një pikë, kur u njohin anëtarëve të Vetingut një aftësi specifike- “shërbimin politik ndaj maxhorancës dhe përmbushjen e orekseve të disa ambasadorëve, të cilët, plotësojnë egon profesionale për t’u treguar shefave të tyre se luftuan korrupsionin në Shqipëri”.

Por, pavarësisht kritikave të shprehura, ndonjëherë edhe ashpër, Partia Demokratike në opozitë nuk ka dhënë një mendim të qartë për sugjerimin më të fundit për zgjatjen e mandateve të anëtarëve të Vetingut.

“Heshtja thotë PO”
Prej më shumë se 3 muajsh, kur maxhoranca zyrtarizoi nismën e saj, Partia Demokratike nuk ka arritur të artikulojë një qëndrim dhe deklarimet publike të zyrtarëve të saj shpesh janë kontradiktore me njëra-tjetrën.

Megjithatë, për ndjekësit e politikës, duket qartë që opozita, me shumë gjasë do të votojë ndryshimet kushtetuese, nisur kjo sidomos nga presioni i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Ambasadorja Yuri Kim, vendi i së cilës ka qenë promotori dhe mbështetësi kryesor i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, i ka bërë thirrje faktorit politik në vend që të miratojnë zgjatjen e mandatit të komisionerëve të Vetingut.

Mesazhi i saj, natyrisht, shkon në adresën e opozitës. Lidershipi aktual i demokratëve, duket se është i paaftë të përballojë kërkesat e mbërritura nga “Rruga e Elbasanit”, edhe kur ato vijnë në kundërshtim me qëndrimin politik të opozitës.

Opozita parlamentare gjendet aktualisht në pikën e saj më të vështirë, pikërisht se kryetari aktual i opozitës përmbushi në Shtator një kërkesë të përsëritur të ambasadores Kim për të përjashtuar nga grupi parlamentar deputetin dhe ish-liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi Departamenti i Shtetit e shpalli “non grata” në Maj të këtij viti.

Në luftën e brendshme politike, të nisur pas këtij vendimi, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka gjetur mbështetjen e ambasadën amerikane, të cilën e kishte humbur për shkak të disa vendimeve politike të mëhershme dhe sidomos stigmatizimit si kundërshtar i Reformës në Drejtësi.

Opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm për vendosjen e Reformës në shinat e parimeve ndërkombëtare.

Por, ajo u tregua e paqartë në artikulimin e ideve të saj dhe kjo amulli u shfrytëzua nga kryeministri Edi Rama për ta etiketuar si “kundërshtare e Reformës”, megjithëse shefi i qeverisë as nuk e ka dashur pavarësinë e gjyqësorit dhe as nuk e ka lejuar realizimin e saj.

Ndaj, tashmë opozita mund të ketë një mundësi të mirë për t’i treguar ambasadores Kim se është mbështetëse e Reformës në Drejtësi, duke votuar zgjatjen e mandatit të Vetingasve, pavarësisht se kjo qasje do të binte ndesh me të gjithë vijën e saj të sjelljes politike ndaj “double-standarteve” të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në këto lëvizje politike të brendshme duket se ka dijeni edhe Komisioni i Venecias, i cili, nuk rezulton të jetë “impenjuar” shumë për të hartuar një draft-Opinion të radhës.

Përsa kohë palët politike në Shqipëri mund të shprehin dakordësinë për ndryshimet kushtetuese dhe se këto të fundit nuk prekin të drejtat dhe liritë themelore, duke qenë brenda “standarteve europiane”, edhe Komisioni i Venecias nuk ka asnjë arsye që të pengojë në vullnetin e partive.

Në fund të fundit, për ekspertët e Venecias, ligjvënësit shqiptarë të bëjnë si të duan.