Nga Boldnews.al
Çështja e inceneratorëve në Shqipëri po rezulton më e debatueshmja, më e diskutueshmja, më e nxehta, që duket se çdo ditë e javë që kalon konfiguron një skemë të ngjashme me atë të një oktapodi që ka shtrirë tentakulat kudo.
Kompanitë e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier kanë përfituar miliona euro jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga kreditë e buta, që u panë si një skemë financimi në atë që u konsiderua si garancia sovrane gjatë periudhës së pandemisë.
Pas gjithë kësaj qëndron në hije Klodian (Mirel) Mërtiri, por skema duket se ka fije të dukshme e të padukshme, që nuk dihet as deri ku mbërrijnë dhe as sa të thella janë.
Një çështje që, të paktën nga gushti i 2020, thuhet se po hetohet nga SPAK, por edhe sot rreth 16 muaj më pas, sërisht duket se ka mbetur në fazë hetimi, edhe pse janë disa padi të depozituara në Prokurorinë Speciale.
Njeriu i inceneratorëve ka mbajtur një profil të ulët, derisa mediat publikuan aferën e inceneratorëve, kur u shfaq personazhi me dy emra Klodin (Mirel) Mërtiri, më pas dy prej personave të tjerë në lidhje me të, edhe ata me profil të ulët publik, që kompletonin skemën 3-she. Publikisht janë denoncuar lidhje të njeriut mister me ministra e drejtorë, që duket se kanë “peshkuar” për të nxjerrë në sipërfaqe personazhin mister, në shërbim të të cilit duket se janë vendosur jo thjesht emra, por institucione.
Një skemë e ngritur me kujdes, përmes të cilës qarkullohen miliona euro dhe që miliona të tjera presin të vihen në lëvizje bazuar në kontratat koncensionare.
Hulumtimet mediatike dhe denoncimet nxorën në pah lidhjet që shkonin deri në kupolën e Qeverisë, por që duket se shtrihen edhe më tej, duke pasur parasysh faktin se skandali nuk cënoi aspak themelet e kabinetit qeveritar, edhe pse në ndodnjë vend tjetër do të shkaktonte tërmet.
Përtej miliona euro që janë përfituar nga buxheti i shtetit, abuzimeve të denoncuara, kontratave, lidhjeve politike apo miqësore, ndikimeve apo presioneve, inceneratorët për mënyrën se si funksionon e gjithë skema shqiptare, mund të intrigonin edhe Martin Scorcezen, për të realizuar një film të ri të ngjashëm me “Padrinon”.
Në javët e fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision hetimor parlamentar lidhur me çështjen, i cili me shumë gjasë do të bllokohet, ashtu siç kanë mbetur në vendnumëro edhe hetimet e SPAK.
Sinjalin e dhanë 3 banka të nivelit të dytë, që nuk pranuan të depozitojnë në Kuvend dokumentacionin e kërkuar mbi transfertat apo veprimtarinë e “njeriut mister” të Inceneratorëve, edhe pse ligji për Komisionet Hetimore detyron institucionet publike ose private të venë në dispozicion dokumentet që kërkohen. Çuditërisht 3 nga 5 bankat e nivelit të dytë iu bindën një kërkese të Mirel Mërtirit dhe jo ligjit, edhe pse pas refuzimit të përgjigjeve, u paralajmëruan se do të përballen me padi penale.
Gjatë debateve në Komisionin Hetimor, deputeti Belind Këllici tha se “janë bërë 121 transaksione me vlerë 33 milionë e 744 mijë euro për një incenerator që në Tiranë nuk ekziston”. Dhe nëse kjo është e vërtetë, është një këmbanë alarmi mbi guximin apo garancinë, që institucionet bankare nga ku kanë kaluar transfertat refuzojnë të japin informacione.
Bankat u justifikuan me atë që e konsiderojnë “sekret bankar”, që në fakt dukej si një justifikim për të hedhur më shumë dritë mbi çështjen që duket se po trajtohet si një bunker.
Paralelisht me refuzimin nga 3 banka të nivelit të dytë, Komisionit iu refuzua një informacion zyrtar nga sistemi TIMS, lidhur me lëvizjet e Mirel Mërtirit, personat që e shoqëronin në udhëtimet e tij, janë apo jo funksionarë publikë apo politikë, persona në konflikt ose jo interesi, lidhur me vendimmarrjet.
E ndërsa në këtë vend herë pas here shfaqen të dhëna nga sistemi TIMS mbi lëvizje personazhesh të ndryshëm, në rastin e inceneratorëve drejtuesit e Policisë së Shtetit e kanë parë të udhës për të ruajtur “sekretin”.
Me të njëjtën logjikë, nesër para Komisionit Hetimor mund të refuzojnë paraqitjen edhe shumë prej funksionarëve që janë në listën e atyre që konsiderohen si dëshmitarë, ose vetë socialistët si pjesë e Komisionit, mund të bllokojnë çdo procedurë të mëtejshme, dhe gjithçka të shkojë drejt dështimit.
Kjo jo se nuk ka ndodhur më parë apo se hetimi parlamentar mund të rezultojë më efikas sesa ai që ka mbetur në zyrat e SPAK, por se në dritë mund të dalin dokumente apo informacione, që mund të zyrtarizojnë lidhjet e tentakulave të oktapodit.
Hetimi deri më tani ka arritur të mbajë larg vëmmendjes dosjen e inceneratorëve, ndoshta duke shpresuar që kalimi i kohës do t´a ftohë atë që konsiderohet “patatja e nxehtë”, ndërsa avash avash do të harrohet edhe emri i njeriut mister, që u shfaq si hije dhe që sot duket se komandon të gjithë skemën.
Lexo edhe:
Vendimet e blera të gjykatës nuk do të ndalin betejën kundër aferës kriminale të inceneratorëve