Isa Jata/ Kontrata fiktive dhe “harresë 20 milionë lekë”, si e konfirmoi Vetingu prokurorin e Plepave

Në foto: Prokurori Isa Jata, pas vendimit të KPK

Nga Boldnews.al

Trupa e Vetingut duhet të ketë qenë me “hënë të mirë”, kur në 15 Korrik të këtij viti konfirmoi në detyrë prokurorin e Tiranës, Isa Jata.

Treshja e përbërë nga Genta Bungo (Tafa) kryesuese, Alma Faskaj relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, konstatuan kontrata fiktive të kryera nga prokurori Jata, si edhe një harresë prej 20 milionë lekësh.

Por sërish, ata e konfirmuan në detyrë Jatën, ndërkohë që të njëjtët komisionerë dhe kolegët e tyre janë treguar shumë të rreptë me të tjerë subjekte për shkelje më të vogla.

Isa Jata ka përfunduar studimet e larta për Gjeologji në vitin 1988 dhe, pas një kursi të përshpejtuar të zhvilluar në zonën e “Plepave” të Durrësit, në vitin 1994, u bë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Në foto: Dokumenti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që konfirmon se Isa Jata ka ndjekur “kursin e përshpejtuar” në vitin 1994 për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë

Jata ka punuar për shumë vite në Prokurorinë e Përgjithshme, së bashku me një prej anëtareve të trupës që kreu rivlerësimin e tij, komisioneren Alma Faskaj. Së fundmi, ai ushtron funksionin si prokuror në Tiranë.

Referuar të dhënave zyrtare, Jata zotëron dy pasuri të paluajtshme- një apartament në zonën e ish-Bllokut, blerë me kredi nga Enti i Banesave në vitin 1995, si edhë një apartament në plazhin e Golemit, për të cilin deklaron se ka paguar 30 mijë euro, gjysmën e të cilës me kredi në një bankë të nivelit të dytë.

Për apartamentin në plazh, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se subjekti Isa Jata kishte kryer kontrata fiktive.

Megjithatë, në vendimin përfundimtar, kjo situatë u tolerua, ashtu siç u konsiderua pa problem edhe fakti që pagesa e plotë është kryer në Dhjetor 2010, ndërkohë që në kontratën e nënshkruar 6 muaj më parë, thuhej se ishte paguar tërësisht shuma e parave.

“KPK” mbylli sytë para shkeljeve

Kontratat fiktive

Në vitin 2010, Isa Jata deklaron se ka blerë një apartament në plazhin e Golemit, për shumën 30 mijë euro.

Këtë apartament ai e ka blerë nga shtetasi A.D. Ndërkohë, ky i fundit e kishte marrë me kontratë porosie nga kompania ndërtuese.

Prokurori Jata deklaron para KPK-së se, duke qenë se apartamenti, ashtu si e gjithë ndërtesa, nuk ishte e hipotekuar, ai ka nënshkruar kontratë me kompaninë sipërmarrëse për këtë apartament.

Por, në fakt, paratë ia ka dhënë shtetasit A.D, i cili nuk e kishte fituar pronësinë e apartamentit, për mungesë të Hipotekimit.

Për t’u nënshkruar kjo kontratë, paraprakisht është shfuqizuar formalisht kontrata e sipërmarrjes mes shtetasit A.D dhe kompanisë ndërtuese.

Të dyja këto kontrata, siç e pranon edhe vetë prokurori, janë fiktive. Ato janë nënshkruar vetëm për faktin se A.D nuk ishte “pronar me letra” për shkak të mungesës së Hipotekës, por ai ishte pronari real, pasi e kishte paguar shumën e plotë tek ndërtuesi.

Në foto: KPK konstatoi fiktivitetin e kontratave të prokurorit Isa Jata

Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i mendimit se seria e kontratave fiktive nuk përbën problem. Madje, për trupën e Vetingut këto veprime janë të ligjshme, duke i shoqëruar me termin “mjet ligjor i zgjedhur nga subjekti”.

Mjeti ligjor i zgjedhur nga subjekti, pra tërësia e akteve të nënshkruara prej tij, me qëllim rregullimin e situatës juridike, nuk parashtrojnë problematika, të cilat të çojnë në një deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të subjektit për këtë pasuri”, thuhet në vendimin e zbardhur të Komisionit të Vetingut.

Në foto: KPK i konsideron “mjet ligjor” kontratat fiktive

Shprehjet pa formë, të përdorura shpesh nga trupat e Vetingut, si “cënim i besimit të publikut”, “shkelja e etikës së magjistratit”, e të tjera të ngjashme, nuk duket se kanë zënë vend në rastin e prokurorit Isa Jata, i cili është përfshirë në kontrata fiktive në seri.

Burimi financiar i dyshimtë

Fiktiviteti me kontratat nuk është i vetmi problem i Isa Jatës në blerjen e apartamentit në plazhin e Golemit.

Prokurori deklaron se si burim financiar për blerjen e këtij apartamenti kanë shërbyer kursime familjare në vlerë 15 mijë euro, si edhe një kredi bankare, po në vlerë 15 mijë euro.

Bazuar në kontratën e sipërmarrjes të nënshkruar midis shoqërisë ndërtuese dhe prokurorit, parashikohet se mënyra e pagesës do të jetë: kësti i parë 5,000 euro brenda datës 15.6.2010; dhe këstet e tjera me marrëveshje midis palëve.

Sipas të dhënave të konstatuara gjatë Vetingut, prokurori Jata ka realizuar likujdimin e plotë të detyrimit në Dhjetor të vitit 2010.

Ndërkohë, sipas deklaratës noteriale të datës 11.5.2010, deklarohet se subjekti i ka paguar vlerën 30,000 euro shtetasit A.D., pra ka kryer likuidimin total.

Dhe kjo deklaratë është hartuar para se Isa Jata të merrte kredinë dhe shumë muaj para se të kryhej likujdimi i plotë i detyrimit për apartamentin.

Pra, kontratat e prokurorit Jata, edhe në këtë, janë fiktive. Por, sërish KPK është treguar shumë tolerante me prokurorin Isa Jata.

“Trupi gjykues, me qëllim përcaktimin në mënyrë të saktë të vlerës së shlyer, si dhe kohës së shlyerjes së kësteve, në analizë të përmbajtjes së akteve noteriale të nënshkruara nga subjekti i rivlerësimit, të deklarimeve të dhëna prej tij në deklaratat e pasurisë ndër vite, si dhe qëndrimet koherente gjatë procesit të rivlerësimit, çmon se koha dhe vlerat e shlyera nga subjekti përputhen me deklarimet e bëra prej tij gjatë procesit të rivlerësimit dhe, konkretisht, shuma 5,000 euro është likuiduar në datën e nënshkrimit të akteve noteriale, shuma 15,000 euro pas marrjes së kredisë në “Credins Bank” dhe deri në fund të vitit 2010 me kursimet vjetore të subjektit dhe bashkëshortes pjesa e mbetur prej 10,000 euro”.

Në foto: Trupa e Vetingut “justifikon” pagesat aposteriori të prokurorit Isa Jata

Pra, KPK vendosi të mos e marrë në konsideratë aktin noterial, ku Isa Jata deklaron se ka paguar 30 mijë euro, ndërkohë që nuk i kishte paguar dhe, siç rezulton nga të gjithë të dhënat zyrtare, as nuk kishte mundësi reale që të kishte atë shumë parash me burime të ligjshme.

LEXO EDHE  4 humbje jete dhe 418 të infektuar në 24 orët e fundit në Shqipëri! Harta

Por, një standart tërësisht të ndryshëm gjendet në vendime të tjera të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me “vlefshmërinë e kontratave”.

Në një rast, një magjistrat tashmë i shkarkuar, kishte deklaruar se kishte paguar çmimin e plotë për apartamentin, ndërkohë që në fakt, pagesa ishte kryer e plotë tri javë më pas, me marrjen e një kredie.

Ai magjistrat e mbështeti qëndrimin e tij me të gjithë dokumentat e nevojshëm. Por, KPK u tregua “strikte”, duke marrë për bazë kontratën, në të cilën ishte shënuar se ishte paguar shuma e plotë.

Në atë vendim të zbardhur më herët gjatë vitit 2021, KPK argumenton:

Nga trupi gjykues vlerësohet se nuk ekziston asnjë shkak ligjor që të vërë në dyshim vërtetësinë e fakteve të përshkruara në kontratën e shitblerjes dhe deklaratën noteriale të nënshkruar mes palëve, të cilat konfirmonin vlerën e paguar të çmimit për blerjen e këtij apartamenti, pasi nuk ka as kundërshtim, sipas ligjit, të tyre, as rregullim të pasojave që ato kanë sjellë”.

Pra, në këtë rast, i shoqëruar me shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, KPK “pranonte vullnetin e palëve”.

Në foto: Në vendimin për një subjekt tjetër, KPK nuk e justifikoi pagesën aposteriori

Ndërsa në rastin e prokurorit Isa Jata, KPK “nuk e pranon vullnetin e palëve” kur thonë që është paguar 30 mijë euro, por pranon argumentat se “janë paguar me këste”.

Në rast se KPK, me rigorozitetin që e karakterizon në raste të tjera, do të ngrinte pikëpyetje mbi “kontratën 30 mijë euro”, atëherë, më së paku prokurori Isa Jata do të duhej të justifikonte 15 mijë euro. Të cilat, siç duket, nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme.

“Harresa” 20 milionë lekë

Prokurori Isa Jata i deklarohet trupës së Vetingut “me sinqeritet dhe përgjegjësi morale” se ka harruar të shënojë dy transaksione financiare, me vlerë totale 20 milionë lekë të vjetra.

Në vitin 2015, ai i ka dhënë shumën 15 milionë lekë kunatit të tij, të cilit i duheshin për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky fakt nuk është shënuar në deklaratën Veting.

Po ashtu, në këtë deklaratë mungon edhe fakti që vëllai i tij, gjithashtu emigrant në Shtetet e Bashkuara, i ka dhënë hua 5 milionë lekë të vjetra, për studimet e vajzës së prokurorit në Gjermani.

Për këto veprime nuk ka asnjë lloj dokumenti provues, përveçse deklarata mes vëllezërve.

Në vitin 2019, kur Isa Jata ishte në proces vetingu, i vëllai i tij vjen në Shqipëri dhe nënshkruan një deklaratë noteriale që shumën prej 5 milionë lekësh (të vjetra) i kishte sjellë në vendin tonë gjatë një vizite në vitin 2015 dhe i kishte lënë tek familjarët e tij. Këto para i duheshin të vëllait, Isa Jatës, dhe i kishte marrë hua.

Pra, gjithçka bazohet në një lloj “muhabeti mes vëllezërve”, ndërkohë që nuk gjendet asnjë gjurmë zyrtare mbi mbërritjen e atyre parave.

KPK, gjithësesi, duket se ka bërë një lloj përpjekje për të treguar se është angazhuar në verifikimin e burimit të kësaj shume.

Në kuadër të procesit, KPK ka konstatuar se familja e vëllait të Isa Jatës kishte mundësi që të krijonte atë shumë që ka marrë hua prokurori.

Duke iu referuar standartit të vendosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa e Vetingut e Isa Jatës argumenton se “subjekti ka detyrim që të provojë ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, e cila është objekt huaje, pa u shtrirë ky detyrim mbi të gjitha pasuritë që kanë personat e tjerë të lidhur që nuk janë subjekte deklarues”.

Në foto: KPK deklaron se ka verifikuar përciptas pasurinë e vëllait të prokurorit Isa Jata, “sipas standartit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”

Duke e thjeshtuar, KPK ka kryer vetëm një analizë të thjeshtë për mundësinë e vëllait të Isa Jatës, duke bërë diferencën ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve jetime në SHBA, pa kërkuar të dhëna nëse shtetasi M.J. ka përdorur shumë parash për blerje shtëpie, qira, automjete, detyrime shkollore, e të tjerë.

Por, përtej përpjekjeve të KPK-së për të nxjerrë sa më mirë prokurorin Isa Jata, Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka një tjetër standart.

Në një vendim të zbardhur së fundmi, për një magjistrat që jetonte në shtëpinë e blerë nga vëllai, emigrant në një vend europian, KPA arsyeton:

Rrethanat faktike të pretenduara nga subjekti i rivlerësimit lidhur me kontributin financiar të vëllait të tij në drejtim të financimit të blerjes së pasurisë që shërben si banesë e subjektit të rivlerësimit, mbeten jobindëse se kanë ndodhur, pas një analize logjike e të arsyeshme të rastit konkret, dhe u konsideruan me këtë status prej Kolegjit në vlerësimin tërësor të çështjes”.

Në foto: Pjesë nga vendimi i KPA për një subjekt të shkarkuar, i cili është shumë më ndryshe nga standarti i përdorur në rastin e cituar nga KPK për Isa Jatën

Dhe, për të arritur në këtë konkluzion, KPA rezulton se, megjithëse nuk e ka pasur tagrin ligjor, ka kryer verifikime për kredi dhe shpenzime të tjera që ka pasur në shtetin rezident jashtë Shqipërisë vëllai i subjektit të shkarkuar.

Procesi i Vetingut në Shqipëri, megjithëse i shumë-trumpetuar, ka problematika të shumta dhe standarte të shumëfishta, të cilat i japin hov dyshimeve se KPK dhe KPA punojnë me “lista të bardha” e “lista të zeza”.

Rasti i Isa Jatës dëshmon se emri i tij, për arsye tërësisht të paqarta, ishte pjesë e “listës së bardhë”.

Në këtë këndvështrim e ka parë edhe Komisioneri Publik, i cili vlerësoi të mos ankimonte vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Tiranës.

Lexo edhe:

Vendimet e blera të gjykatës nuk do të ndalin betejën kundër aferës kriminale të inceneratorëve

Oktapodi i inceneratorëve dhe njeriu me dy emra