Komisioni Hetimor parlamentar për atë që PD e konsideron si masakra zgjedhore e 25 prillit, ka miratuar planin e hetimit.
Sipas këtij plani hetimor, brenda 1 muaji, para Komisionit do të japin dëshmitë e tyre nga Kryeministri Edi Rama, te ministri i Brendshëm Bled Çuçi, si dhe disa prej drejtuesve të institucioneve, përfshi edhe SPAK.
Hetimi do të synojë nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, mbrojtjen e integritetit te procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e lirisë së votës, rritjen e besimit të publikut, mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit.
Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe duke respektuar dhe duke mos mbivendosur punës së organeve të drejtësisë.
Sipas planit hetimor, hetimi do të realizohet në drejtim të sqarimit të mënyrës së zbatimit të ligjit, identifikimit të përgjegjësive të organeve apo personave zyrtarë përkatës, në përdorimin e burimeve të administratës publike në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, analizimit të gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen.
Detyrat e Komisionit në përputhje me objektin e veprimtarisë së tij janë:
1) Kontrolli i veprimeve dhe mosveprimeve të organeve publike të përfshira në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave personale, përfshirë, por pa u kufizuar në, Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
2) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket dhënies së shpërblimeve, kompensimeve, bonuseve, përfshirë, por pa u kufizuar në, shpërblimet për dëmet e tërmetit të vitit 2019, dhënien/rritjen e ndihmës ekonomike, pensioneve, bonuset e qirasë, rimbursimet e fermerëve, tollonët e karburantëve;
3) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket fondeve të akorduara për kontratat publike (tendera, koncesione), punët publike (shtrime rrugësh, ndërtim dhe rindërtim veprash publike);
4) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket numrit të legalizimeve të ndërtimeve informale dhe lejeve të ndërtimit, përfshirë, por pa u kufizuar në, veprimtarinë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, kryetarëve të Bashkive dhe Këshillit Kombëtar të Territorit;
5) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket numrit të punësuarve në administratën publike, pagat, shpërblimet dhe bonuset, me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre në zgjedhjet e 25 Prillit.
Sipas planit hetimor, në datën 25 Prill 2021, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në të cilat mori pjesë edhe koalicioni PD-AN, pjesë e të cilit ishte Partia Demokratike. Partia Demokratike ka kontestuar publikisht procesin e këtyre zgjedhjeve të përgjithshme, të shtrirë në kohë përpara ditës së votimit, duke shprehur bindjen se në Shqipëri u zhvillua masakra më e rëndë zgjedhore që nga zgjedhjet e vitit 1991. Pjesë e këtij kontestimi, përveç deklaratave politike sistematike, kanë qenë edhe përdorimi i të gjitha mjeteve juridike në dispozicion, duke përfshirë një numër të lartë ankesash, kallëzimesh penale dhe apelimesh gjyqësore, të shoqëruara nga mijëra fakte dhe dokumente.
Në planin hetimor thuhet se përveç fenomeneve kriminale të shtrira në të gjithë vendin të blerjes së votës përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të hapur me rrjetet kriminale, Partia Demokratike ka konstatuar edhe 9 rrethana konkrete të parregullsive të rënda të procesit zgjedhor, si më poshtë vijon:
(i) Përdorimi i të dhënave personale i 910.000 qytetarëve shqiptarë (patronazhistët) për presion ndaj votuesve dhe asgjësimin e fshehtësisë së votës;
(ii) Pagesa e 125 milionë eurove nga fondet publike përgjatë fushatës zgjedhore për shpërblimin e dëmeve për mijëra familje që u prekën nga tërmeti i vitit 2019, në shkelje të ligjit, me qëllim blerjen e votave familjare nga familjet në nevojë;
(iii) Dhënia e tenderave publikë dhe koncesioneve të mëdha, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe aktet nënligjore të KQZ-së. Shuma rekord prej 505 milionë eurosh u regjistrua në fushën e prokurimit publik në muajt Nëntor-Dhjetor 2020 për një total prej 878 kontratash dhe prokurimesh publike, në krahasim me mesataren vjetore prej 116 milionë për të njëjtën periudhë zgjedhore të mëparshme.
(iv) Shpenzimi i 120 milionë eurove nga bashkitë vendore për punë asfaltimi, fond i disbursuar nga Qeveria në periudhë zgjedhore për pushtetin vendor të kontrolluar nga e njëjta parti;
(v) Rritja e pagave të administratës publike me 63 milionë euro në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
(vi) Punësimi i përkohshëm i 13.000 punonjësve të rinj në administratën publike në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
(vii) Disbursimi i parakohshëm i fondit të ndihmës ekonomike prej 2.5 milionë euro dhe shtesa e paligjshme e 20.000 familjeve në programin e ndihmës ekonomike në periudhë zgjedhore për qëllime elektorale;
(viii) Legalizimi i më shumë se 10.000 ndërtesave informale në shkëmbim të votës familjare, si dhe shfrytëzimi i këtij procesi nga agjencitë qeveritare në funksion të plotë të kandidatëve të Partisë Socialiste;
(ix) Mbyllja e pajustifikuar dhe e parregullt e kufijve shtetërorë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të mos lejuar numrin e lartë të votuesve të diasporës shqiptare dhe të minoritetit grek të vinin të votonin në Shqipëri.
Gjithashtu plani hetimor evidenton se në datën 26 korrik 2021, Misioni i ODHIR-IT publikoi raportin final mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti rikonfirmohet gjetja kryesore, e konstatuar prej tyre edhe në deklaratën paraprake, më 26 prill 2021, sipas të cilës: “Partia qeverisëse përfitoi avantazhe të rëndësishme nga të qenit pushtet, duke përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative. Kjo u amplifikua edhe nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media. Pretendimet për blerje votash nga partitë politike ishin të përhapura gjatë fushatës dhe një numër i lartë hetimesh u hapën në këtë drejtim”.
Kjo gjetje mbështetet në një paraqitje të detajuar të të dhënave në brendësi të raportit, që konfirmojnë gjithashtu parregullsitë e rënda, të evidentuara edhe nga Partia Demokratike, sic janë listuar më lart. Duke iu referuar raportit final të Misionit të ODHIR-it, vihet re se 9 rrethanat e konstatuara nga Partia Demokratike, janë grupuar në dy kategori. Më konkretisht:
(i) Lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale, Misioni i ODHIR në raportin final, në faqen 19, shprehet se: “Gjatë fushatës, përmes një rrjedhjeje informacioni, në domeinin publik doli një databazë me informacione personale dhe detaje kontakti për afërsisht 900,000 qytetarë shqiptarë, që përmbante edhe preferencat e tyre potenciale të votimit. Partitë e opozitës, Presidenti dhe shumë në media kërkuan një hetim nga SPAK në lidhje me keqpërdorimin e pretenduar të të dhënave personale të qytetarëve. Ndarja ose kombinimi i paautorizuar i të dhënave personale të votuesve për qëllimet e supozuara të angazhimit demokratik mund të konsiderohet shkelje e angazhimit për mbrojtjen e të drejtës për jetën private dhe familjare. Kjo mund të dëmtojë besimin e elektoratit, duke përfshirë edhe besimin te fshehtësia e votës së tyre.
(ii) Lidhur me abuzimet për përfitime elektorale të fondeve publike për shpërblimin e dëmeve të tërmetit, për legalizimet dhe rritjen e punësimeve, Misioni i ODHIR në raportin final, në faqet 18-19, shprehet se: “Ministrat vazhduan me angazhime zyrtare gjatë gjithë fushatës. Ata u shfaqën rregullisht në “vizita inspektimesh” të objekteve kyçe, si në qendrat e vaksinimit, me maska në fytyrë ose me bluza që lexonin “Nr. 12” (numri i PS-së në fletën e votimit), gjë që çoi në publicitet të konsiderueshëm dhe që përbëri aktivitet për qëllime fushate. Edhe Kryeministri inauguroi disa projekte madhore infrastrukturore gjatë fushatës. Këto lloj aktivitetesh i dhanë një avantazh të konsiderueshëm PS-së, gjë që ishte përforcuar tashmë edhe më shumë nga dominimi i PS-së në administratën lokale. Përveç kësaj, punësimi në sektorin publik u rrit ndjeshëm në periudhën parazgjedhore, saktësisht në kohën para moratoriumit ndaj autorizimit të punësimeve të reja në administratën publike.
(iii) Media raportoi se pati një rritje të madhe në shpërndarjen e granteve nga bashkitë, miratuar javën para zgjedhjeve sipas programit përkatës të rindërtimit. Për shumë përfitues grantesh ka pasur gjithashtu një rritje të vlerës së shpërblimeve në cash të autorizuara nga bashkia. Disa bashkëbisedues të MkVZ-së së ODIHR-it i perceptuan këto shpërndarje grantesh si shpërdorim të burimeve shtetërore. MkVZ-ja e ODIHR-it mori edhe raportime të tjera, sipas së cilave u bënë përpjekje për të ndikuar në votim përmes sigurimit të stimujve, të tilla si lëshimi i lejeve që vërtetojnë ndërtimet e paligjshme. Këto raporte gjithashtu pretendonin se shumë nëpunës civilë, një grup i prekshëm nga presioni, ishin inkurajuar të votonin për partinë në pushtet.
LISTA E DËSHMITARËVE
Emër, Mbiemër Funksioni
Edi Rama Kryeministër i Shqipërisë
Arben Ahmetaj Ministër i Shtetit për Rindërtimin
Bledar Cuci Ministër i Punëve të Brendshme
Belinda Balluku Ministër i Infrastrukturës/Energjisë
Ogerta Manastirliu Ministër i Shëndetësisë/Mbrojtjes Sociale
Frida Krifca Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë Tiranë
Emiriana Sako Kryetare e Bashkisë Durrës
Arben Kraja Drejtues i SPAK
Olsian Cela Prokuror i Përgjithshëm
Ardi Veliu Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Gledis Nano Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Artan Lame Drejtor i Përgjithshëm i ASHK
Linda Karcanaj Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI
Shkëlqim Hajdari Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoriatit Qëndror
Reida Kashta Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimeve Publike
Sokol Zaimi Drejtor i Rezervave Materiale të Shtetit
Bledar Doracaj Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile
Albana Kociu Drejtor i Departamentit të Administratës Publike
Adrian Cela Administrator i OSHEE Group
Laert Duraj Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare
Besnik Dervishi Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Erinda Ballanca Avokati i Popullit
Armand Shkullaku/Andi Bushati Drejtues të Lapsi.al