Në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji List, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe ka shprehur shqetësimin se Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku dhe e akuzoi Aleksandër Vuçiqin se dëshiron bosnjëzimin e Kosovës, për ta bërë shtet jofunksional. Ndër të tjera, ai tha se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpska në Bosnjë po përpiqet të bëhet Bjellorusi dhe Mali i Zi dëshiron ta kthejë në Ukrainë, transmeton Gazeta Express.
Kurti, i pyetur se pse mendon se Vuçiqi dëshiron ta provokojë një konflikt ndërkombëtar dhe nëse e sheh atë si faktor për destabilizimin e Ballkanit, tha se Kosova nuk është problemi, por se Kosova ka problem dhe se problemi i Kosovës është Serbia.
‘Nuk ka pluralizëm në Serbi. Ju keni një parti. Ajo parti është edhe shtet. Dhe ai shtet është kishë. Ajo kishë është parti. Nuk ka pluralizëm atje, po e luajnë demokracinë me zgjedhje. Së fundmi, Serbia i ka rritur shumë shpenzimet e saj ushtarake. Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Nuk e bën këtë për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë, dhe ky militarizimi i Serbisë është shumë shqetësues për ne. Përshtypja ime është se Serbia i ngjan gjithnjë e më shumë Gjermanisë mes dy luftërave botërore pas përfundimit të Republikës së Vajmarit. Në dekadën e parë të këtij shekulli, ne kishim një version serb të Republikës së Vajmarit në Serbi, i cili filloi me vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, përfundoi me ish-presidentin Boris Tadiq dhe që atëherë kemi një periudhë ku Serbia i ngjan Gjermanisë mes dy luftërave botërore, por pas përfundimit të Republikës së Vajmarit, militarizimi është gjithashtu shtysa kryesore shtetërore dhe institucionale’, tha Kurti.
Njohja reciproke është thelbi i marrëveshje
Ai deklaroi se Kosova ka vullnet dhe interes për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por varet nëse Serbia është e gatshme dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë varet shumë më tepër nga gatishmëria e Serbisë për ta ndryshuar qasjen e saj dhe vetveten.
‘Ne po zhvillojmë bisedime për dialogun e ardhshëm me Serbinë, për kapitullin e ardhshëm të dialogut. Ka mungesë progresi dhe nuk ka filluar me ne, ka munguar progresi shumë më herët, por kemi theksuar se një pjesë e madhe mungon për shkak të qasjeve të gabuara. Kështu u nënshkruan marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të cilat as Gjykata Kushtetuese nuk mundi t’i gëlltiste. Në këtë kuptim, duhet një kapitull i ri, duhet një qasje e re dhe për ne duhet të jetë parimore, ku qytetarët janë fitues me njohjen reciproke në qendër. Kohëve të fundit ka pasur një zhvendosje tektonike për mirë, sepse në dekadën e fundit konsiderohej se Kosova po bënte lëshime për të marrë përfundimisht njohjen nga Serbia’, tha Kurti, transmeton Express.
Ai theksoi se njohja reciproke është thelbi i marrëveshjes dhe se këtë e thonë të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës.
‘Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohje reciproke, por nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke në fokus. Pra, jo në fund, në aspektin kohor, por në fokus, në aspektin e hapësirës që duhet ta mbulojë ajo marrëveshje. Një temë me të cilën jemi të gatshëm të angazhohemi menjëherë për ta zgjidhur sa më shpejt është ajo për të pagjeturit, pasi familjeve u intereson se a do t’i gjejnë më të dashurit e tyre’, tha Kurti.
Nuk ka shkëmbim territoresh
I pyetur nëse do të pajtohej me shkëmbimin e territoreve, Kurti u përgjigj negativisht dhe tha se dëshiron që dialogu të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbim territoresh.
‘Është në natyrën e autokratëve të mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishin pronë e tyre. Nuk jemi në kohën e mesjetës, me monarkë që territoret e shtetit i konsiderojnë si vend të babait ose të një monarku dhe popullin si familje të atij që sundon. Ne jemi një republikë demokratike dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tryezë. Kjo është edhe arsyeja pse i fitova zgjedhjet, sepse populli i Kosovës nuk e dëshiron diçka të tillë. Nuk mendoj se as serbët e duan këtë. Këtë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Tani që kur jam unë në pushtet, ai nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale, por dëshiron ‘bosnjëzimin’ e Kosovës në formën e një entiteti autonom serb brenda republikës sonë, për të na bërë një shtet jofunksional dhe të dështuar. Dhe kjo nuk do të ndodhë’, thotë Kurti.
Asociacioni, aspirata hegjemoniste e Serbisë
I pyetur se pse qeveria e Kosovës e kundërshton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, Kurti tha se ajo që Serbia po përpiqet t’ia imponojë shtetësisë dhe rendit kushtetues të Kosovës nuk është dëshira apo vullneti i Kosovës. Këtë, Kurti e quan shprehje të aspiratave hegjemoniste të Serbisë.
Ai thotë se asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar që Asociacioni nuk është formuar.
‘Beogradi ka qenë gjithmonë i zemëruar. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë u bashkuan në asociacionin e tyre. Më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë. Ata kishin një kushtetutë më 28 shkurt 1992 dhe më në fund morën njohjen ndërkombëtare më 14 dhjetor 1995 në Dejton. Ai dëshiron të përsërisë Bosnjën në Kosovë’, tha Kurti.
Ai ka shtuar se Beogradi është ai që dëshiron ta ketë ‘një shtet në shtet’ dhe ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, as me çështjet e brendshme të Kosovës, por me statusin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
‘Dialogu nuk bëhet për ta vënë në dyshim shtetësinë e Kosovës, por për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Dhe për normalizimin e marrëdhënieve, besoj se Serbia duhet të ndryshojë shumë më tepër’, tha Kurti.
Për veprimet në veri
I pyetur se si i sheh kritikat e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ndaj aksionit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Kurti tha se aksioni nuk ishte i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti apo komuniteti që jeton në Kosovë.
‘U është drejtuar kriminelëve të cilët janë identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike, ata ndahen sipas veprave kriminale. Përkatësia etnike nuk i bën ata as objektiva dhe as imunë. Asgjë nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj krimit dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Vendosja e rendit dhe ligjit është në interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim’, tha kryeministri i Kosovës.
I pyetur nëse i frikësohej shpërthimit të luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas aksionit policor, ai tha se ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, së bashku me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Boçan Kharçenko, janë paraqitur në Jarinjë dhe se e kanë vizituar një grup të forcave ushtarake serbe.
‘Tensionet sigurisht që janë rritur ndjeshëm, por jo për shkakun tonë. Ata donin të na trembnin, të na kërcënonin, por ne nuk u dorëzuam dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi një masë reciprociteti në targa. Pra, ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por nuk mund të kërkojë që të mos e njohim veten. Ne duam që të mos ketë barriera fare, por përderisa Serbia insiston në to, ne duhet të përgjigjemi sipas ligjit’, tha Kurti.
‘Ballkani i hapur’ dhe rajoni
I pyetur se pse Kosova e refuzon kategorikisht konceptin e ‘Ballkanit të Hapur’, të cilin e mbrojnë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Kurti pyeti se si mund të bëhet Ballkani i Hapur kur Serbia mbyllet për Kosovën.
‘Nuk na e pranon pasaportën, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat apo vulat e Kosovës. Mund ta kemi Ballkanin të hapur pasi Serbia të hapet ndaj Kosovës. ‘Ballkani i Hapur’ është më shumë si Ballkani i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe i hapur ndaj korrupsionit, kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Duhet të jemi me Bashkimin Evropian dhe jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës’, tha Kurti.
I pyetur se si e vlerëson situatën e përgjithshme në rajon dhe nëse i frikësohet një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se situata në Ballkanin Perëndimor është një situatë në miniaturë e rrethanave të Federatës Ruse.
‘Gjithnjë e më shumë po tregohet se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpska në Bosnjë po përpiqet të bëhet Bjellorusi dhe ata duan ta kthejnë Malin e Zi në Ukrainë. Pra, thelbi është se Serbia nuk i pranon si shtete reale vendet që nuk janë në Bashkimin Evropian, dmth Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut, ndaj Serbia i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për t’i dobësuar’, tha Kurti.
Duke iu përgjigjur pyetjes për akuzat e Beogradit se dëshiron ta krijojë ‘Shqipërinë e Madhe’, Kurti deklaroi se për të flitet shumë në Beograd dhe Kosovën, por asgjë për përgjegjësinë e tyre për t’i provokuar tri luftëra në Ballkan, për ta pranuar fajin për gjenocidin në Bosnjë dhe në Kosovë.
‘Ne nuk kemi nisur asnjë luftë në Ballkan në emër të ‘Shqipërisë së Madhe’, përkundrazi jemi pushtuar dhe shtypur vetëm se jemi shqiptarë. Do të ishte mirë që Serbia ta shihte veten në pasqyrë, e jo t’i shikonte fqinjët me dylbi të ushtrisë’, deklaroi Kurti.
Për rritjen e numrit të ushtarëve kroatë në Kosovë
Me rastin e vizitës së fundit të kryeministrit kroat Andrej Plenoviq në Prishtinë, Kurti tha se është konfirmuar afërsia e dy popujve, Kroacisë dhe Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe për këtë arsye Kroacia është shembull dhe model i shkëlqyer për Kosovën.
‘E mirëpresim rritjen e numrit të forcave të armatosura kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Një përkushtim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëseardhur, veçanërisht kur vjen nga një vend me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera’, tha Kurti.
Ai tha se kanë biseduar për zhvillimin e situatës në rajon dhe ka theksuar se si Kroacia ashtu edhe Kosova janë të përkushtuara për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.
‘Ne vlerësuam se rritja e tensionit nga Serbia është pasojë e mungesës së demokracisë dhe mospërballjes me të kaluarën tonë. Këto dy defekte të brendshme eksportohen në rajon si efekte destabilizuese’, tha Kurti.