“A ka frikë nga përjashtimi se do të shkojë në Kuvendin e Berishës?”, Kreu i PD-së në Vlorë zbulon debatet

Kryetari i Partisë Demokratike Dega Vlorë Genc Deromema, flet për takimin e kryetarëve të degëve me Lulzim Bashën, mbajtur një ditë më parë në selinë blu.

Në një intervistë me gazetaren e Fax News Afrovita Hysaj, Deromema flet për përplasjen e tij me kryetarin Basha dhe kërcënimin për të shkarkuar ata që janë kundër Bashës.

Deromema thotë se në mbledhje është folur me tone të larta, por ai, bashkë me disa kryetar të tjerë degësh i qëndrojnë vendimit të delegatëve për të mbajtur kuvendin e datës 11.

Sa i takon frikës mbi një përjashtim të mundshëm nga partia, Deromema tha se nëse kjo do të sillte forcimin e PD, ai do të ishte i pari që do të pranonte të sakrifikohej.

“Dje kryetarët e degëve të PD u thirrën nga kryetari Basha pa rend dite, ku u diskutua në lidhje me Kuvendin e thirrur nga PD në datën 18 Dhjetor. Një vendim i marrë nga delegatët e PD prevalon mbi çdo vendim të strukturave të tjera të PD-së.

Për fat të keq kryetarët e degëve të PD-së nuk është se janë pyetur ndonjëherë për vendimet që janë marrë, kemi qenë gjithë kohës këshillues dhe zbatues të vendimeve të marra nga zoti Basha. Gjatë mbledhjes pati diskutime, të zjarrta , brenda etikës, dhe duke respektuar të gjithë njëri tjetrin.

LEXO EDHE  Intensifikohen bisedat, Kurti për herë të dytë në telefon me Escobarin brenda dy jave

Ka pasur zëra kundër këtij vendimi të kryesisë së PD-së, në datën 15 të këtij muaji, një nga këta zera kam qenë dhe unë, në rolin e drejtuesit të degës së PD-së në Vlorë.

Nuk u prit mirë vendimi im i hapur personal, që është i thjeshtë, do i bashkohem delegatëve me të drejtë vote në Vlorë, që do të jenë të pranishëm në Kuvendin e thirrur në datën 11 Dhjetor. Ka pasur edhe kolegë të tjerë, janë më shumë se 10 kolegë që kanë kundërshtuar Kuvendin e thirrur në datën 18 nga zoti Basha.

Nga delegatët e PD-së për qarkun e Vlorës në masën 75% kanë firmosur për Kuvendin e datës 11 Dhjetor.

Zoti Basha na ka përmendur nenin 27 të statutit, që i jepet e drejta të marrë masa ndaj atyre personave që kundërshtojnë vendimin e tij. Nuk më jep ndonjë ndjesi të veçantë, në gjykimin tim nuk është kërcënim, nuk jam në dijeni të ndonjë kërcënimi që iu ka bërë kolegëve të tjerë.

E kam thënë edhe dje, nëse përjashtimi im do të sillte një shëndoshje të partisë, apo do të sillte një të mirë le të përjashtohem. Sot nuk e kemi luksin që të merremi me përjashtime. Nëse e gjykon se kjo është e drejtë le ta bëjnë”, u shpreh Deromema.