Detyrimet e prapambetura arritën 547 mln euro në fund të Shtatorit

Ministria e Financave raportoi se në fund të muajit shtator 2021 detyrimet e prapambetura (faturat e pashlyera në kohë ndaj kontraktorëve private për punë dhe shërbime) arritën në 19,5 miliardë lekë (159 milionë euro).

Të dhënat zyrtare (shih tabelën bashkëngjitur) tregojnë se për gjatë një muaji stoku i detyrimeve është zgjeruar me 18 për qind, duke arritur në fund të shtatorit në 19.5 miliardë lekë nga 16.5 miliardë lekë që ishte në fund të muajit gusht.

E gjithë rritja e detyrimeve të prapambetura erdhi nga akumulimet e faturave ndaj punëve të pashlyera në infrastrukturë. Në fund të shtatorit detyrimet në këtë zë arritën në 10.3 miliatrdë lekë ose 84 milionë euro me zgjerim 43 për qind në krahasim me muajin gusht ku numëroheshin 7.2 miliardë lekë detyrime. Ndërsa detyrimet në zërin “të tjera” që përfshijnë borxhe për mallra e shërbime të enteve të tjera arritën në vlerën 9,2 miliardë lekë, pothuajse e pandryshuar në raport me muajin gusht.

547 mln euro megjithë detyrimet e gjykatave ta huaja

Shuma e detyrimeve të prapambetura që nuk reflektohen në borxhin publik por që janë fatura që qeveria shqiptare duhet ti paguajë arrin në 547 milionë euro, duke përfshirë edhe vendimet e gjykatave të huaja.

LEXO EDHE  SHÇBA arreston komisarin e “Fast Albania”, ja për çfarë akuzohet

Kontrolli i Lartë i shtetit në analizën për zbatimin e buxhetit 2020 të cilën e ka depozituar edhe në Kuvendin e Shqipërisë evidentoi se fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje, në vlerën 388,479,560 euro, janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje, në vlerën 10,651,257 euro, janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH.

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.


/Monitor.al/