Komisioni Hetimor Parlamentar për inceneratorët ka nisur sot nga puna, ndërsa kryetarja e tij, deputetja Jorida Tabaku akuzoi Qeverinë se është vendosur në shërbim të mafias së plehrave.
Tabaku tha se ndërmjet viteve 2014 dhe 2017, Ministria e Mjedisit, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, në dy raste ka publikuar njoftimet e Kontratave për nisjen e procedurës për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, ndërsa në një rast tjetër nuk ka patur asnjë publikim të procedurës konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat në lidhje me ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarqeve Tiranë, Elbasan, Fier.
“Pra këto kontrata koncesionare të dhuruara nga shteti shqiptar kanë qenë pjesë e bashkësisë së madhe të kontratave që qeveria i jepte dhe i jep pa garë. Kjo gamë e madhe kontratash që për Gjykatën Ndërkombëtare të Auditit të BE rezulton të jetë sa 30% e tenderave dhe koncesioneve që jepen në Shqipëri i ka kushtuar dëme të mëdha buxhetit të shetit dhe abuzime me taksat e tatimet e shqiptarëve por edhe jetën e tyre dhe mjedisin ku jetojnë.
Ajo që bie në sy është fakti se të tre operatorët ekonomikë me të cilët Autoriteti Kontraktor ka lidhur kontratat janë operatorë ekonomikë të krijuar rishtazi, me afate themelimi që fillojnë nga pak muaj deri në disa ditë më parë sesa të bëhej dhe lidhja e kontratës. Ndërsa në dy raste, atë të qarkut Tiranë dhe të qarkut Fier, pavarësisht se impiantet nuk kanë filluar ende të prodhojnë energji, koncesionarët kanë përfituar dhe vijojnë të përfitojnë pagesa nga Thesari i Shtetit. Kështu, për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2020, shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. ka përfituar 41 transaksione nga Thesari i Shtetit në vlerën prej 22.5 milionë euro, ndërsa për një periudhë më të shkurtër kohore që fillon nga viti 2018 e deri në vitin 2020, koncesionari i inceneratorit të Tiranës ka përfituar nga Thesari i Shtetit 70 transaksione me vlerë 23,017,534 euro”, tha Tabaku.
Komisioni pritet të thërrasë për të dëshmuar disa nga zyrtarët më të lartë, përfshi Kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, por edhe ish-Kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini dhe kryebashkiakun e tanishëm, Gledian Llatja. Gjithashtu në listë ndodhet edhe Armando Subashi, Kryebashkiaku i Fierit, si dhe Erjon Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Sipas kryetares së Komisionit Hetimor, inceneratorët e Tiranës dhe Fierit në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar të marrin 2.1 mld lekë dhe kjo shumë që do merret nga taksat e shqiptarëve që janë rritur edeh rriten do të jetë mbi 11% e vlerës që qeveria ka akorduar për PPP-të dhe koncesionet për vitin e ardhshëm.
Qëdrimi zyrtar i PD lidhur me Hetimin
A.INCINERATORI I ELBASANIT
Këshilli i Ministrave përmes VKM-së nr. 907, datë 17.12.2014 “Për dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë”, shprehet se “Autoriteti Kontraktues, në bazë të ligjit nr. 125/2013 dt. “Për partneritetin publik privat dhe VKM nr. 575, datë 10.7.2013, ka shpallur procedurën “Për dhënie me negocim për dhënie koncesioni të përzier për ndërtimin koncesion partneritet publik, privat për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të përpunimit të mbetejeve urbane në Qarkun e Elbasanit per prodhimin e energjisë elektrike”.
Së pari, për këtë procedurë, megjithëse Këshilli i Ministrave në VKM nr. 907, datë 17.12.2014 shprehet se “Autoriteti Kontraktues, në bazë të ligjit nr. 125/2013 dt. “Për partneritetin publik privat dhe VKM nr. 575, datë 10.7.2013, ka shpallur procedurën “Për dhënie me negocim për dhënie koncesioni të përzier për ndërtimin koncesion partneritet publik, privat për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të përpunimit të mbetejeve urbane në Qarkun e Elbasanit per prodhimin e energjisë elektrike”, nuk ka patur asnjë shpallje paraprake dhe mungon publikimi i njoftimit të kontratës, veprime të cilat bien ndesh me nenin 9 dhe nenin 22 të ligjit nr. 125/2013, duke cënuar kështu parimin e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit.
Përse vallë do të shmangej shpallja në një buletin publik nga qeveria Rama dhe ministrat e saj?! Arsyet janë sepse qeveria Rama dhe ministrat e saj ishin të interesuar (jo të gjithë ato) për të krijuar një skemë korrupsioni dhe për eksperiment zgjodhën qytetin e Elbasanit. Një qytet, që siç ne e dimë, e kanë nën kontroll në të gjitha mënyrat dhe format që ato dëshirojnë. Pikërisht në atë qytet ato kanë shtrirjen dhe shpalosjen e plotë të trinitetit të tyre ‘Mafia-Oligarki-Parti” që ka zaptuar institucionet shtetërore. Elbasani qe kavja e parë mbi të cilën u eksperimentua pa garë mafia e djegies së plehrave dhe oligarkia e plehrave.
Në drejtim të nenit 22 të ligjit nr. 125/2013, duhet theksuar se ky nen përcakton në mënyrë shterruese llojet e procedurave që autoriteti kontraktor mund të përdorë në dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private. Kështu, “në dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurën e hapur, procedurën e kufizuar ose procedurën me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Ligji nr. 125/2013 nuk parashikon asnjë rast të ngjashëm me atë të prokurimeve publike, siç procedohet me procedurat me negocim pa shpallje, që të mund të përbëjë përjashtim nga detyrimi për publik e për rrjedhojë të tri procedurat për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private i nënshtrohen detyrimit për publikim.
Së dyti, për shkak se kontrata është lidhur një ditë më vonë se shpallja e fituesit, procedura në fjalë ka cënuar barazinë dhe konkurrencën mes operatorëve ekonomikë. Kështu, sipas VKM 907, dt. 17.12.2014, oferta eshte shpallur fituese me date 16.12.2014. Ankimi në procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat rregullohet nga neni 43 i ligjit nr. 125/2013, e cila është një dispozitë referuese dhe që më konkretisht, të referon në ligjin për prokurimin publik. Kështu, sipas këtij të fundit, operatoret kane te drejte qe brenda 7 diteve nga marrja dijeni e aktit, ne rast se kane pretendime per shkelje nga ana e autoritetit kontraktor, te paraqesin ankim. Me marrjen e ankimit, autoriteti pezullon proceduren. Ndërsa neni 26 i ligjit nr. 125/2013 është një dispozitë urdhëruese që ndalon autoritetin kontraktor të lidhë kontratën përpara skadimit të periudhës së pritjes së ankesave.
Përse i kanë shkelur me vetëdije të gjitha rregullat dhe procedurat ligjore? Ngaqë kjo mazhorancë dhe ajo e djeshmja e Ramës 2013-2017 apo dhe më vonë nuk kanë pasur dhe nuk kanë respekt për shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit. Kështu kanë anulluar çdo mënyrë për t’i hequr të drejtën çdo kompaie për të luftuar për të drejtën e saj. ideuan një skenar me një blerës dhe më tej përjashtuan garën. Këtë metodë kanë ndjekur dhe ndjekin sot e kësaj dite, shkatërrojnë tregun prodhojnë monopole ose oligarki dhe më tej fusin aksionet e tyre për të përfituar dhe për tu pasuruar në kurriz të shqiptarëve.
Së treti, subjekti fitues, me të cilin është lidhur kontrata koncesionare, është shoqëria “Albtek Energy” shpk, e regjistruar në QKR më 10.07.2014, pra rreth 4 muaj para lidhjes së kontratës pa pasur asnjë eksperiencë relevante në fushën në të cilën ka përfituar kontratën. Ortakja e shoqërisë, që ka një kapital prej 100.000 lekësh, është njëherazi edhe administratore e shoqërisë.
Pra, kanë ideuar një skemë mafioze ku të detyrojnë një qytet si Elbasani që të paguajë më shtrenjtë përpunimin e mbetjeve sepse duan të bëjnë para me plehrat. Kjo është qeveria Rama, një oligarki plehrash që i jep koncesionin e Elbasanit një kompanie me kapital 100 mijë lekë të themeluar 4 muaj përpara se të fitojë këtë tender që u bë pa garë dhe nuk respektoj asnjë afat ligjor.
Së katërti, procedura konkurruese nuk përmban asnjë sqarim mbi mënyrën e seleksionimit dhe përzgjedhjes së mbetjeve, duke shkelur kështu përparësinë e alternativave për tratimin e mbetjeve dhe gjithashtu, drejtuesi i Njësisë së Qeverisjes Vendore nuk është përfshirë në vendimmarrje dhe as kontrata koncesionare nuk përmban detyrime mbi këtë subjekt, megjithëse këta të fundit janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ.
Së pesti, nuk është kryer vlerësimi i thelluar në mjedis përpara se të miratohet aktiviteti, pra përpara dhënies së lejes përkatëse nga autoriteti përgjegjës, dhe për rrjedhojë procedura konkurruese ka shkelur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 10440, datë 07.07.2011 « Për vlerësimin e ndikimit në mjedis ».
Mazhoranca që sot deklaron se nuk do më qese në qarkullim në vitin 2022, ka ndërmarrë një operacion mafioz në interes të oligarkisë së plehrave pa kryer asnjë lloj gare dhe asnjë lloj studimi mjedisor mbi atë që do të ndodhë në rastin e ndërtimit të inceneratorit.
Sot inceneratori Elbasanit vazhdon të operojë nën kapacitetin e tij. Akoma nuk ka një vlerësim të energjisë që ai e prodhon apo nëse e prodhon.
Do mbahet mend ky incenerator si testimi i parë i kësaj procedure korruptive por edhe sepse Rama i mblodhi me kuç e me maç tek inceneratori vjet duke e shpalosur si një nga mrekullitë e botës moderne.
Nuk mbaron me kaq, pasi e testuan në Elbasan nisën të bëjnë një tjetër provë në Fier. Pikërisht në qytetin dhe bashkinë që e konsiderojnë me krenari bastionin e tyre të votave. Në mënyrë të çuditshme kjo forcë politike aplikon eksperimentet më të pista në kurrizin e votuesve të tyre.
B.INCENERATORI FIERIT
Vetëm dy vite më pas nga fillimi i procedurave konkurruese për koncesionin me objekt “Ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në Qarkun e Elbasanit për prodhimin e energjisë elektrike”, në vitin 2016, Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit njofton shpalljen për incinerimin dhe përpunimin e mbetjeve në Qarkun Fier, dhe vetëm pak ditë më pas, Autoriteti Kontraktor njoftoi dhe fituesin e kësaj procedure konkurrimi, që do të ishte “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” shpk me NUIS L62205045F, i krijuar nga bashkimi i operatoreve ekonomik “JV Integrtated Technology Service shpk & Energy 2 SRL shpk, shoqëri e cila ishte themeluar vetëm disa ditë para se të fitonte garën, më datë 03.10.2016.
Marrin skemën e plehrave në Elbasan dhe e zhvendosin në Fier duke e testuar në një qytet të madh dhe me shumë banorë. Interesant është që të shohim se testimet qeveria i kryen në qytete që dihet se cilësinë e jetës dhe mjedisin nuk e kanë pikën e tyre më të fortë. Fituesi dihet që është i paracaktuar, fiton gjithmonë një kompani, pa garë dhe me sajesa gjatë rrugës.
Duke qenë se vlera e procedurës së tenderimit është mbi kufirin e lartë monetar, përveç publikimit në Buletinin e Njoftimeve Publike, duhet që në përputhje me ligjin nr. 125/2013 dhe aktet e tij nënligjore, publikimi të bëhet edhe në të paktën në një gazetë me shpërndarje në Europë dhe kjo gjë, me qëllim pengimin e konkurrencës dhe për shkak se fituesi ishte i paracaktuar, nuk ka ndodhur.
Gjithsesi qeveria kësaj radhe ka vendosur që tenderin ta publikojë, pra të bëjë një farë respektimi të normave ligjore. Elbasani ishte ndryshe, sa për të mësuar dorën, në Fier bëhemi pak më shumë seriozë në respektimin e shtetit ligjor. Por, edhe këtu qeveria nuk vendos publikimin në ndonjë media ndërkombëtare.
Kontata koncesionare nuk ka të përcaktuar në mënyrë të qartë vendin se ku do të ndërtohet impianti i përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane, dhe për shkak të protestave, ashtu sikurse ka deklaruar dhe Kryeministri në një studio televizive, është ndryshuar tri herë, megjithatë për këtë ndryshim të destinacionit të tokës nuk është publikuar asnjë Vendim i Këshillit të Ministrave apo as është miratuar ndonjë ligj. Në këtë drejtim, ngelet e paqartë zona mbi të cilën është kryer studimi i fizibilitetit, me qëllim që të lejohet ndërtimi i një impianti të tillë.
Për të kuptuar ndryshimin e tokës me tre herë duhet të bëjmë disa llogari me elektoratin dhe mbi të gjitha me kostot e shpronësimit. Në fund të ditës asnjë shqiptar nuk ka dëshiruar dhe nuk dëshiron që komshi të ketë oligarkinë e plehrave, për rrjedhojë negociatat nuk mund të bëheshin si në Elbasan ku triniteti Mafia-Oligarki-Parti janë më të forta se në zonat e tjera të Shqipërisë.
Kontrata koncesionare megjithëse parashikon ngritjen e Njësisë për Zbatimin e Projektit për fazën para projektit me anëtarë nga Ministria përgjegjëse për Energjinë, anëtarë nga koncesionari dhe Qarku Fier, në asnjë moment të vetëm nuk përcakton kriteret që duhet të ketë anëtari i kësaj Njësie për t’u zgjedhur si i tillë, duke lënë mundësi jo vetëm për abuzime, por edhe për fiktivitet.
Një problematikë tjetër përsa i takon këtij impianti është dhe fakti, se megjithëse impianti për vitet nga 2016 deri në 2020 nuk ka prodhuar energji, kompania fituese ka përfituar përgjatë gjithë kohës pagesa nga Thesari i Shtetit, duke përfituar kështu 41 transaksione në vlerën e 22.5 milionë euro.
Kështu kryeministri Rama dhe qeveria e tij vendosin që në Fier të ndërtohet një incenerator për të djegur plehrat e qarkut Fier. Një godinë e madhe që do t’i merrte miliona euro qytetarëve të vendit dhe deri më sot nuk i ofron asgjë. Akoma më keq, një godinë e cila u firmos për t’u ndërtuar por që qeveria nuk i kishte përcaktuar as truallin ku do ndërtohej.
Qeveria vendos të ndërmerret një tjetër investim pa e diskutuar aspak me qytetarët dhe banorët e vendit, thjesht ajo vendo spa u konsultuar. Qytetarët si në çdo vend autoritar dhe diktatorial vendosen përpara faktit të kryer të një qeveria autoritare. Kjo është arsyeja përse qeveria ka ndërruar disa herë me radhë përcaktimin e një toke për këtë incenerator.
Nga ana tjetër nuk ka asnjë arysetim apo analizë të kostove dhe përfitimeve që ka sjellë ose jo inceneratori i Elbasanit, pasi ai nuk ka përfunduar por qëllimi nuk janë mbetjet por plehrat. Që llimi i qeverisë nuk kanë qenë qytetarët por oligarkia e plehrave.
C.INCENERATORI I TIRANËS
Iniciatori dhe propozuesi (me propozim te pakerkuar) i projektit për ndërtimin, operimin e projektit “Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tirane – Z.T.M.T.” është shoqeria me seli në Holandë“Integrated Energy B.V.” shpk. Aksioneret e kompanise jane “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Ëurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a”, ndërsa njoftimi për këtë Kontratë është bërë përmes Buletinit të publikuar nga APP më datë 24 prill 2017. Duke qenë se vlera e Kontratës ishte mbi kufijtë e lartë monetarë, njoftimi duhet të publikohej edhe në të paktën një gazetë me shpërndarje në Europë. Në ndryshim nga procedura konkurruese për inceneratorin e Fierit, procedura konkurruese në fjalë është shpërndarë në gazetën “The Economist”, por shpërndarja është bërë më datë 27 maj 2017, pra një muaj më vonë pasi ishte botuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, duke iu lënë kompanive ndërkombëtarë një afat shumë të shkurtër për përgatitjen e dokumentacionit të kërkuar nëse mbahet në konsideratë fakti që më datë 12.06.2017, Komisioni i Vlerësimit për Procedurën Koncesionare, në orën 11:05, ka bërë mbylljen e pranimit të ofertave.
Kështu, siç e shohim, qeveria pasi ka testuar trinitetin e zi “Mafia-Oligarki-Incenerator” në Elbasan ku Omerta-ja është pjesë e përditshmërisë. Pasi ka rritur fare pak dozën e legjitimitetit por duke thelluar edhe më shumë dozën e korrupsionit dhe paligjshmërisë në Fier, risjellë pas pak kohe në Tiranë oligarkinë e plehrave. Këtu, duke qenë se kryebashkiaku ka një fasadë qytetarie dhe një fasadë shkollimi perëndimor të Sundimit të Ligjit, gjërat sërishmi bëhen të manipuluara por fasada përmisohet.
Mirëpo ky incenerator në fakt do të jetë, deri më tani, qershia mbi tortë pasi do të ndërlidhë në mënyrë spekatkolare fijet e një skandali.
Më datë 31 gusht 2017, Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit ka lidhur kontratën koncesionare me subjektin “Integrated Energy BV SPV” shpk, e cila është një shoqëri e themeluar më datë 30 gusht 2017, pra vetëm një ditë më parë se të lidhej kontrata për ndërtimin e impiantit si dhe pa asnjë eksperiencë relevante në fushën e pastrimit të mbetjeve. Kontrata koncesionare është një kontratë problematike, pasi që në hyrje të saj thuhet shprehimisht se koncensionari do të furnizohet me mbetje nga të gjitha njësitë përbërëse të qarkut Tiranë, konkretisht Bashkia Tiranë, Vorë, Kavajë dhe bashkia Kamëz, duke cënuar kështu autonominë e këtyre të fundit lidhur me çështjen e mbetjeve urbane, pasi nga asnjë korrespondencë, nuk rezulton që këtyre t’ju jetë marrë pëlqimi për të qenë pjesë e kontratës koncesionare. Madje, Kontrata garanton faktin që Autoriteti Kontraktor, pra Ministria e Mjedisit, do të detyrojë Njësitë e Qeverisjes Vendore në fjalë që përveçse të mbulojnë kostot e transportit të mbetjeve, edhe lidhur me uljen e kostove të trajtimit të mbetjeve me anë të teknikave dhe teknologjive të ndryshme.
Shihni pak logjikën e këtij vendimi. Në vitin 2015 Rama bëri gjoja një reformë territoriale që do të decentralizonte pushtetin e tij tek bashkitë, ndërkohë që kësaj radhe Ministria e Mjedisit do të detyronte me fuqinë e autoritarizmit bashkitë e vogla dhe të mëdha që të çojnë plehrat tek oligarkia e plehrave. Kjo do të thotë që qytetarëve do t’u rriteshin tarifat dhe taksat vendore sepse oligarkia e plehrave ka nevojë për më shumë para nga taksat e shqiptarëve.
Kontrata parashikon gjithashtu dhe detyrimin e Njësive të Qeverisjes Vendore që përbëjnë Qarkun e Tiranës për t’i paguar koncesionarit 29 euro për ton mbetje, pa TVSH, çmim i cili, pavarësisht inflacionit nuk do të jetë poshtë kësaj shifre dhe do të jetë objekt rishikimi çdo 12 muaj. Është shqetësues edhe fakti se Autoriteti Kontraktor merr përsipër të mbajë të padëmtuar koncesionarin për çdo humbje direkte ose fitim të munguar të pagueshëm.
Tani, shikoni pak se sa perfekte është skema e mafias së plehrave- oligarkëve të plehrave dhe partisë-shtet. Qeveria pasi i ka dhënë miliona euro nga taksat e shqiptarëve do t’i japë miliona të tjerë nga tarifat e pastrimit që i paguajnë po qytetarët. Madje qeveria angazhohet që të marrë mbi supe edhe barrën e inflacionit dhe angazhimi në të vërtetë është që shqiptarët nga taksat e tyre do ta paguajnë këtë barrë.
Pra, skema korruptive është një loose-loose nga ana e shqiptarëve dhe një fitore-fitore nga ana e qeverisë. Pak rëndësi ka çfarë ndodh në realitet, qeverisëi intereson që komapnia në fjalë dhe njerëzit pas saj të marrin taksat e shqiptarëve përndryshe i pret ndëshkimi i mbushjes së qyteteve me plehra siç ndodhi në Fier, Durrës, Kavajë, Lushnje e kështu me radhë.
Gjithashtu, shqetësim tjetër janë dhe dispozitat që lidhen me zgjidhjen e kontratës koncesionare. Kështu, rastet kur autoriteti kontraktues mund të zgjidhë kontratën përpara mbarimit të afatit 30 vjeçar përgjatë të cilit zgjat kontrata janë shumë të pakta dhe të ngurta, e që shoqërohen me penalitete të mëdha, ndërsa nga ana tjetër, koncensionari mund të braktisë pjesërisht apo plotësisht realizimin e projektit duke u mjaftuar me një lajmërim ose jo dhe pa asnjë penalitet, gjë që sjell jo vetëm që të ndodhemi përballë kushteve kontraktore të padrejta, por edhe dëmtuese për interesat e publikut dhe qytetarëve shqiptarë, megjithëse Kontrata është e hartuar nga ana e Autoritetit Kontraktor.
Kjo do të thotë që qeveria ka ideuar një kontratë që nuk mbron publikun dhe qytetarin por që mbron nënkontraktorin pra oligarkinë e plehrave. Duket se qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer oligarkisë së plehrave dhe jo parave publike dhe shëndetit të financave publike. Ia ka lidhur këmbët çdo qeverie kryeministri Rama që të mos i ikin oligarkisë së inceneratorëve deri sa kjo e fundit të marrë monedhën më të fundit nga taksat e shqiptarëve.
Çfarë bën me këto para?! Siç besoj jeni koshientë, me këto para kjo oligarki e plehrave është futur të blejë dhe të korruptojë mediat që këto të fundit të shkëpusin lajmet dhe të mos flasin për inceneratorët dhe aferën e tyre. Kushdo që ka provuar të flasë për këtë aferë në publik është çensuruar nga këto media, ka humbur vizibilitetin dhe çështja ka kaluar në heshtje.
Incineratori i Tiranës, megjithëse nuk ka filluar ende të prodhojë energji, koncesionari i tij për periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka përfituar nga Thesari i Shtetit 70 transaksione me një vlerë prej 23 milion euro. Ndërsa në drejtim të kostove me të cilat do të përballen taksapaguesit shqiptarë, Kontrolli i Lartë i Shtetit është shprehur se shifrat janë manipuluar nga Qeveria pasi për incineratorin e Tiranës nuk do të paguhen 178 milion euro, por 296 milion euro.
Gjithë këto manipulime për të përfituar miliona euro që të përdoren në fushatë dhe të vetëpasurohen politikanë, shqiptarët të mbushen me plehra dhe më tej nën kërcënime mafioze të detyrohen të paguajnë më shumë para në formën e tatimeve apo taksës së pastrimit.
Rama dhe oligarkia e plehrave kanë punuar dhe punojnë çdo ditë që lajmet dhe informacionet të mos dalin në media por gjithashtu punojnë dhe kanë punuar për të denigruar çdokënd që flet për këtë çështje. Ndaj ky komision është tejet i rëndësishëm. Një komsion që do t’i japë zë të vërtetës së një afere korruptive me pasojë të rënda për shëndetin e financave publike dhe atë të shëndetit të qytetarëve.