‘Narcosi’ shqiptar ‘pushton’ Belgjikën/ Koka të prera, çanta Dior, ora Rolex dhe tonelata kok*inë. 64 të arrestuar (Foto)

Një mega-operacion policor në Belgjikë ka bërë bujë jo vetëm në këtë vend. Më shumë se 1100 forca policore u angazhuan për të goditur mafian shqiptare.

Sipas portalit më të madh belg, HLN, 64 persona janë arrestuar pasi akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte kokainë në sasi të mëdha. Të arrestuarit janë kryesisht shqiptarë, por ka mes tyre edhe kolumbianë. Në total janë sekuestruar gjashtë laboratorë kokaine në vend.

Ky është ndër operacionet më të mëdha në vend, i quajtur Sky për shkak se erdhi i gjithi pas dekriptimit të mesazheve nga një aplikacion telefonik me këtë emër.

Operacioni nisi dje që në orët e para të mëngjesit. Policë të veshur me antiplumb dhe shpesh me makina anonime mësynë mbi 100 banesa në Bruksel.

Përveç arrestimeve, mësohet janë sekuestruar dhjetëra armë zjarri dhe 57 makina luksoze. Në konferencën e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme u tha se janë gjetur edhe gjashtë laboratorë të kokainës, plus tonelata me produkte. Prokuroria bëri me dije se është sekuestruar një sasi e madhe me monedha ari, një makineri për numërimin e parave, rreth 1 milion euro në cash dhe të paktën 300 metër kub duhan kontrabandë. Organizata kriminale ishte kaq e fuqishme sa janë kapur edhe pajisje të specializuara si dronë dhe motorë për zhytës.

LEXO EDHE  I përmbysin makinën për t'i vjedhur dr*gën, arrestohet i riu shqiptar dhe një spanjoll

Prokurori federal, Federic Van Leeuë u shpreh i shokuar pas këtij operacioni. “Ne gjithmonë kemi menduar se narcos-it ishin në Amerikën Latine, por ata qenkan gjithashtu këtu,” tha ai.

Grupi mendohet se ka trafikuar tonelata me kokainë nga Afrika e Jugut për në Bruksel duke përdorur avionë privatë dhe kontenierë anijesh.

Narcos-it shqiptarë lëviznin me makina luksoze, me çanta Louis Vuitton dhe Dior, ndërsa mbanin ora Rolex dhe Bulgari, tha një prokuror.

Por shkalla e luksit e kësaj bande nuk krahasohet me atë që kanë parë dhe dëgjuar prokurorët kur kanë zbardhur përgjimet e interceptuara të mafias. “Janë pamje të tmerrshme,” tha një prokuror për HLN.

Mafia shqiptare ishte e lidhur qartësisht me Kolumbinë, jo vetëm për kokainën, por edhe për dhunën e tmerrshme. Hetimi ka zbuluar të dhëna tronditëse për prerje kokash, gjymtime dhe copëtime trupash.