Basha flet për shkarkimin e Nokës: Njerëz që janë pasuruar me afera korruptive më akuzojnë mua

Lulzim Basha, foto nga PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi këtë të Martë shkarkimin e Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të komisionit parlamentar të sigurisë.

“Zotit Noka i kam komunikuar shkarkimin nga detyra si zëvendëskryetar i komisionit të sigurisë, nuk e kam përjashtuar, por e kam kam paralajmëruar, sepse s’mundet që PD që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve – Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në gjithë format dhe mënyrat”, tha Basha në një prononcim për gazetarët jashtë selisë së PD, pas një takimi me ministren britanike për Europën.

Ai theksoi se “s’mund të mbetemi peng i axhendave personale që kërkojnë ta kthejnë Partinë Demokratike në bunkerë për interesat e veta personale të kujtdoqofshin këto, prandaj shtrembërime të tilla nuk do të toreohen”.

“Sajesat dhe shpifjet i shërbejnë Ramës, bëhen për të demoralizuar demokratët, ndërkohë që e gjithë beteja jonë është që të mos shkelim mbi sakrificat e demokratëve dhe interesat e askujt. As interesat e mia, por dhe askujt tjetër. Kjo është arsyeja pse kam marrë një vendim në 9 Shtator në përputhje të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Partisë Demokratike. Për të shmangur çdo mundësi tollovitje dhe mundësi përçarje që i shërben Edi Ramës, të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij”, shtoi Basha.

Kryetari i PD foli edhe për zëra kritikë ndaj tij, që sipas Bashës janë pasuruar në mënyrë korruptive kur PD ishte në pushtet.

A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike? Pa diskutim që po, një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një tjetër nuk ja kemi dalë dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncesionet e inceneratorëve. Njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama dhe janë shtaznhuar nga Edi Rama për ti shërbyer Edi Ramës, apo promovuar nga Edi Rama.  Që këto para të vëna me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne, ti përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme. Ndaj një gjë ta keni të qartë, PD është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim”, tha Basha.

LEXO EDHE  Ambasada Franceze dhuron pajisje operacionale për Policinë e Shtetit

“Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se mund ta kthejnë Partinë Demokratike në një bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë euro-atlantik, apo që do të thyejë vendosmërinë time për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisë sonë. Siç e thashë një pjesë i kemi pastruar atëherë, por një pjesë ka mbetur dhe demokratët e dinë fare mirë kush janë e kush janë e çfarë pazaresh kanë bërë e bëjnë edhe sot me Edi Ramën. Kush mendon se do thyejë vendosmërinë time në këtë drejtim e ka shumë gabim. S’do lejoj asgjë dhe askënd ti bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve. Gjithçka që e kam bërë dhe po e bëjmë është në interesin më të mirë të demokratëve për të nderuar sakrificën e tyre, sepse po u them edhe njëherë: Nuk ka shpresë tjetër për ndryshim për Shqipërinë dhe Shqiptarët përveç Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë”, përfundoi Basha.