Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka qenë sot në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 për të folur për krizën e paralajmëruar energjetike, por jo vetëm.
Tabaku i cilësoi paketat e qeverisë si gjysmake teksa tha se kriza në Shqipëri është artificiale e diktuar nga vendimet e qeverisë të korruptuara.
Ajo shpjegoi më tej se çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri ishte 7.2 l/kilovat orë, shkoi 9.4. 650 mijë konsumatorë, familje, biznese iu rrit çmimi i energjisë me 25%.
“Ky është fakt, e provon kushdo tek fatura. Kjo solli dhe një rritje çmimesh zinxhir në ekonomi, ku Rama ua rriti qytetarëve. Së dyti, çmimi i naftës në 2013 shitej me 108 euro për fuçi, sot shitet me 78 euro për fuçi. Ajo që ndodhi kur erdhi Rama është taksa e rritur qarkullimit që e ka çuar në 65% të të gjithë çmimit. Ndërkohë që çmimi i bursës ulet, fluktuon. Të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi edhe kur u rrit çmimi i karburantit, po përsëri një rritje zinxhir çmimesh në ekonomi. Këto dy shembuj të rritjes zinxhir të çmimeve në ekonomi, janë për të thënë që shqiptarët e kanë kaluar këtë krizë së brendshmi, përpara se ta kishte gjithë bota, vetëm si rezultat i vendimeve politike”, deklaroi Tabaku.
PJESË NGA INTERVISTA
Një situatë krize në të gjithë globin, pse jemi në këtë situatë në të cilën përfshihet dhe Shqipëria?
Sigurisht që është një situatë e vështirë dhe askush nuk e mohon që është një situatë e vështirë. Situata ndryshon me minuta, ndryshon me orë duke pasur parasysh dhe ofertën në treg. Ishte normale sepse pas pandemisë ku e gjithë bota ishte e mbyllur, ekonomia do ishte e mbyllur, do kishte një hapje të ekonomisë, por edhe një rritje të kërkesës për energji. Këtu nuk i referohem vetëm kërkesës për energji elektrike, është karburanti dhe janë të gjitha produktet e tjera. Problemi këtu në Shqipëri sigurisht nuk lidhet me faktorët e jashtëm, aq shumë sa me të brendshmit. Sigurisht që është e vështirë si do parashikosh në këto raste se si do të shkojë bursa, çmimet në treg, por ne kemi faktorët tanë të brendshëm, të cilët janë duke na penalizuar për momentin. Që rritja e çmimit është duke reflektuar në Shqipëri përpara se të ndodhë në vende të tjera në Evropë, por njëkohësisht dhe në vende të tjera të rajonit. Situata është e tillë që kriza energjetike, duke përfshirë dhe karburantin, ka pasur një rritje zinxhir të çmimeve, por nuk pritet që rritja e çmimit në një bursë në Londër, në Tokio ose në Hungari aty ku blihet energjia elektrike të reflektohet të nesërmen në Shqipëri.
Ka një perceptim nga shumëkush që kjo krizë nuk është reale për Shqipërinë?
Në fakt nuk është reale për Shqipërinë. Për Shqipërinë është një krizë keqmenaxhimit, një krizë korrupsioni ashtu siç e ka treguar media me shumë guxim. Është një krizë korrupsioni sepse në blerjen e energjisë elektrike dhe shitjen e energjisë elektrike, Shqipëria është e favorizuar krahasuar me vendet e tjera, duke pasur parasysh burimet hidrore që ne kemi.
Ka ndodhur që në periudhë zgjedhore duke mos e pasur mendjen tek ajo që po ndodhte me tregun e brendshëm është shitur një sasi shumë e madhe energjie. Ndërkohë që flasim tregu energjetik shqiptar i ka plotësuar nevojat, ka qenë një vit i mirë për prodhimin e energjisë. Ndërkohë që qeveria shqiptare vendosi të shesë me një çmim të ulët dhe është duke blerë tani me një çmim 10 herë më të lartë. Edhe në mënyrë korruptive, edhe më të lartë se bursa, duke përdorur ndërmjetës. Ndërkohë që detyra prioritare e qeverisë shqiptare duhet të ishte sigurimi i energjisë për tregun e brendshëm. Prandaj themi që është një krizë artificiale dhe është një krizë e cila është krijuar si rezultat i vendimeve që janë marrë tani për blerjen e energjisë, por sigurisht dhe kostove dhe problemeve 8-vjeçare që ka akumuluar sektori.
Një sezon pa drita? Ju si i shikoni ato që prezantoi kryeministri Rama?
Mua më pëlqen që të mendoj që kryeministri do të dalë si heroi që shpëton shqiptarët. Është në diskutimin e tij, por dhe të gjithë ministrave fakti që kemi një krizë dhe ky do të shpëtojë Shqipërinë, ky do të shpëtojë gjithë Ballkanin, ky e zgjidhi pandeminë në të gjithë botën, po zgjidh mosmarrëveshjet e të gjithë vendeve të rajonit, ky është shpëtimtari. Ndërkohë që situata nuk është e tillë. Paketa që u prezantua dje dhe kjo që pasoi po sot treguan diçka, që nuk ishte një krizë që nuk kishte lidhje me faktorë të jashtëm, por ishte një krizë e brendshme. Paketa e djeshme, 5 ose 6 pikat e paktës së djeshme lidheshin vetëm me mbështetjen financiare të sektorit që do të thotë që sektori energjetik ndodhet në një situatë problematike. Ndodhet në një situatë më të keqen, për sa i përket menaxhimit të energjisë së brendshme. Operatori është 60 mln euro humbje dhe dhënia e stimujve financiarë këtij sektori tregon që problemi është tek sektori, tek OSHEE dhe mënyra se si është menaxhuar. Të mos harrojmë që 7 vite më parë u rrit çmimi i energjisë elektrike dhe tha që çmimi do të rritet për të përmirësuar operatorin, por edhe furnizimin me energji elektrike. 38 mijë shqiptarë përfunduan në burg dhe si përfundim kompania energjetike ka po të njëjtin nivel humbje, pra është pothuajse 20% humbje në rrjet. Unë i shikoj të dyja paketat, të djeshme dhe të sotmen si gjysmake dhe i shikoj si masa korrigjuese të situatës. Besoj se njësoj si me pandeminë dhe tërmetin jemi duke vuajtur krizat e 8 viteve të shkuara, krizat që ka ekonomia, por njëkohësisht dhe varfërinë e thelluar.
Sa ishte çmimi i naftës në 2013 dhe krahasoheni me 2021?
Nuk është etaloni i së vërtetës Edi Rama. Gënjen sot për nesër, e kanë provuar shqiptarët. Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri ishte 7.2 l/kilovat orë, shkoi 9.4. 650 mijë konsumatorë, familje, biznese iu rrit çmimi i energjisë me 25%. Ky është fakt, e provon kushdo tek fatura. Kjo solli dhe një rritje çmimesh zinxhir në ekonomi, ku Rama ua rriti qytetarëve. Së dyti, çmimi i naftës në 2013 shitej me 108 euro për fuçi, sot shitet me 78 euro për fuçi. Ajo që ndodhi kur erdhi Rama është taksa e rritur qarkullimit që e ka çuar në 65% të të gjithë çmimit. Ndërkohë që çmimi i bursës ulet, fluktuon. Të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi edhe kur u rrit çmimi i karburantit, po përsëri një rritje zinxhir çmimesh në ekonomi.
Këto dy shembuj të rritjes zinxhir të çmimeve në ekonomi, janë për të thënë që shqiptarët e kanë kaluar këtë krizë së brendshmi, përpara se ta kishte gjithë bota, vetëm si rezultat i vendimeve politike. Unë ndonjëherë e mendoja si mungesë vizioni e qeverisë që nuk e dinin se ku po shkonin, por mendoj se mund ta kenë dhe një strategji.