Pas votimeve, Gjermania përballet me negociata të gjata për një qeveri koalicioni

Shakaja që qarkullonte në Berlin para se gjermanët të votonin të dielën ishte se kancelares Angela Merkel, do t’i duhej të shtynte tërheqjen nga politika dhe se në fund të fundit do të ishte përsëri ajo që do të jepte fjalimin tradicional të Vitit të Ri në janar.

Dhe kjo duket e mundshme. Gjermania po përballet me muaj të gjatë negociatash rreth formimit të një qeverie koalicioni pas një rezultati zgjedhjesh parlamentare që zhgënjeu të gjitha partitë, por më shumë se të gjithë konservatorët e zonjës Merkel. Kristian-Demokratët (CDU), së bashku me Bashkimin Kristian-Social të Bavarisë, patën rezultatin e tyre më të keq ndonjëherë në zgjedhjet e përgjithshme federale dhe mbetën pas Social-Demokratëve të majtë (SPD).

Por edhe për SPD-në rezultati nuk përputhet plotësisht me pritshmërinë. Shpresat e socialdemokratëve të drejtuar nga Olaf Scholz ishin shtuar nga rritja e mbështetjes së tyre në sondazhet e javëve të fundit, sipas së cilave ata kryesonin me rreth 6% ndaj rivalëve të tyre të qendrës së djathtë, të cilët kanë qenë në pushtet për 16 vitet e fundit.

Sipas rezultateve të përkohshme të zgjedhjeve, epërsia u ul në 1.6%, një hendek i mjaftueshëm për të shpallur një fitore morale, por jo i mjaftueshëm për të dominuar në negociatat pas zgjedhjeve mbi formimin e një koalicioni qeverisës. Në të gjithë vendin, SPD fitoi 25.8% të votave, ndërsa CDU dhe CSU siguruan së bashku 24.1%, nga 32.9% në zgjedhjet e fundit për Bundestagun në vitin 2017.

Zoti Scholz, ministri i financave në largim, tha të dielën, ndërsa rezultatet filluan të dalin, se partisë së tij i ishte dhënë “një mandat shumë i qartë për të siguruar që ne të krijojmë një qeveri të mirë, pragmatike për Gjermaninë.”

Por Armin Laschet, kandidati i bllokut CDU të kancelares Merkel, kundërshtoi të hënën idenë se zgjedhjet u dhanë një mandat të qartë Social Demokratëve ose ndonjë partie tjetër.

“Mund të themi se asnjë parti, përfshirë e jona, nuk mund ta lexojë rezultatin si një mandat për të qeverisur”, tha ai.

Paqartësi

Por zgjedhjet e lënë Gjermaninë në një situatë të paqartë politike, ku partitë janë të vendosura për një luftë të zgjatur të ashpër që shumica e analistëve nuk presin të marrë zgjidhje deri vitin e ardhshëm, çka do të thotë po aq gjatë për të mësuar se cili do të jetë pasardhësi i zonjës Merkel në postin e kancelares.

Zoti Laschet, guvernatori i shtetit të North Rhein-Westfalen, sinjalizoi të dielën se do të bëjë luftë të ashpër për ta pasuar zonjën Merkeli si kancelare. Ndërsa e quajti të dhimbshme humbjen e votave nga partia e tij, ai u tha mbështetësive të dekurajuar se “ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të formuar një qeveri”, duke shtuar se “Gjermanisë tani i duhet një koalicion për të ardhmen që modernizon vendin tonë.”

Megjithatë në një konferencë për shtyp të hënën, ai dukej shumë më pak i sigurt sesa të dielën për një gjë të tillë.

Zonja Merkel do të mbetet si kancelare në detyrë derisa Laschet ose Scholz, të mund të mbledhin një shumicë parlamentare. Kjo do të jetë një përpjekje sfiduese ku duket se dy parti do të jenë të pamjaftueshme.

Personat brenda CDU-së dhe SPD-së thonë se nuk ka gjasa që Laschet dhe Scholz të formojnë një koalicion qeverisës së bashku, i cili gjithsesi do të kishte nevojë për një grup ligjvënësish nga palët e treta për të pasur një shumicë të bindshme në Bundestag. Vetë Laschet tha të dielën një aleancë e tillë nuk është e mundur. “Ne kemi nevojë për një fillim të ri të vërtetë,” u tha ai mbështetësve.

LEXO EDHE  Cicërima që trazoi BE-në: Ç’shkroi kryeministri dhe si u reagua ndaj tij

Kështu, CDU dhe SPD po përballen me përpjekjen për të krijuar një koalicion qeverisës tre-partiak jo të mbështetur tek ideologjia – i pari i një lloji të tillë prej më shumë se gjysmë shekulli – me të Gjelbrit të prirur nga e majta dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit, FDP.

Duke folur me mbështetësit të hënën në Berlin, zoti Scholz tha se synon ta formojë koalicionin me të Gjelbrit dhe Partinë e Lirë liberale (FDP).

“Duhet të veprojmë shumë shpejt për të formuar një qeveri, ndoshta para Krishtlindjeve nëse është e mundur. Nga ana tjetër duhet ta dini se Gjermania ka pasur gjithmonë qeveri koalicioni dhe ato kanë qenë gjithmonë të qendrueshme”, tha ai.

Mes SPD-së dhe të Gjelbërve ka një përshtatje e natyrshme, pasi të dyja partitë duan të rrisin taksat për të pasurit dhe të ringjallin një taksë pasurie, e cila u hoq në vitin 1997. Por FDP-ja do të përputhej më mirë me CDU-në dhe udhëheqësi i saj Christian Lindner nuk ka gjasa të pajtohet me ndonjë rritje të taksave dhe dëshiron shkurtime të taksave për bizneset.

Ai gjithashtu e ka bërë të qartë se dëshiron që Gjermania të kthehet në kufijtë para-pandemisë përsa u takon shpenzimeve qeveritare, ndërsa të Gjelbrit duan të marrin hua 586 miliardë dollarë për investime publike dhe duan një taksë të ashpër për karbonin.

Volker Wissing, një politikan i lartë i FDP-së, u tha gazetarëve javën e kaluar se “kur bëhet fjalë për rritje taksash, për shembull, ne themi një ‘Jo’ shumë të qartë për propozimet e SPD-së dhe të Gjelbërve”.

Partia e Gjelbër doli e treta me 14.6%, e ndjekur nga FDP me 11.5% dhe Alternativa Populiste e krahut të djathtë për Gjermaninë, AfD, me 10.4%.

Të Gjelbrit kishin shpresuar për një rritje shumë më të madhe, dhe madje në një moment kishin kapur epërsinë gjatë fushatës zgjedhore në sondazhet e opinionit, por përqindja e votave të tyre u rrit me 6% nga zgjedhjet federale të vitit 2017.

Megjithëse FDP pati një rritje modeste 1%, Lindner shihet gjerësisht nga njohësit e politikës si çelësi për formimin e një koalicioni trepartiak dhe tashmë ka treguar se është i gatshëm t’u përmbahet vijave të kuqe të partisë së tij. Në vitin 2017, ai minoi përpjekjet e zonjës Merkel për të formuar një qeveri koalicioni që përjashtonte SPD -në, duke thënë: “është më mirë të mos qeverisësh sesa të qeverisësh keq.”

Dhe 42-vjeçari Lindner të hënën tregoi se ai nuk e sheh partinë e tij- madje as të Gjelbrit – si partnerë të rinj që duhet ta pranojnë atë që u ofrohet nga SPD ose CDU.

“Rreth 75% e gjermanëve nuk votuan për partinë e kancelarit të ardhshëm,” tha Lindner në një debat televiziv paszgjedhor. “Prandaj mund të jetë më mirë që të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë së pari të flasin me njëri -tjetrin për hapat e mëtejshëm,” shtoi ai./ VOA