Përrallë nga e ardhmja…

Prej vitesh, debati publik i forcave politike mbi çështjet ekonomike në Shqipëri është lehtësisht i parashikueshëm. Të gjitha palët premtojnë rritje ekonomike, rritje pagash dhe investimesh, rritje punësimi, subvencione të zgjeruara për sektorë kyç të ekonomisë, por edhe shkurtime taksash e konsolidim fiskal.

Po ashtu, i parashikueshëm është edhe burimi i kësaj “mrekullie” fiskale, sa herë që premtimet kundërshtohen nga pamundësia e shifrave. Ulja e korrupsionit dhe menaxhimi më i mirë i fondeve publike janë kthyer prej vitesh në ilaçin magjik që do të lejonte plotësimin e premtimeve, si kurrë më parë.

Edhe në këtë vit zgjedhor, premtime të tilla nuk munguan. Palët premtuan ulje taksash, si kurrë më parë, por edhe një sërë investimesh publike. Në ndryshim nga vitet e kaluara, ama, premtimet spektakolare po vijojnë edhe pas zgjedhjeve. Programi qeverisës, i publikuar nga mazhoranca në javën e kaluar, përmban një sërë premtimesh që duken më shumë si pjesë e një takimi elektoral, sesa një program realist qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Këto premtime duken edhe më jorealiste, kur shohim zhvillimet ekonomike gjatë 8 viteve të shkuara, nën të njëjtën mazhorancë. Rritja ekonomike në këtë periudhë, mesatarisht 2.6% në vit, mund të përshkruhet si anemike, në rastin më të mirë. Mungesa e rritjes më pas është reflektuar në të gjithë treguesit e tjerë të rëndësishëm ekonomikë të vendit.

Ndërkohë, siç shpjegohet në shkrimin në faqet e brendshme të Revistës, plotësimi i premtimeve të programit qeverisës do të kërkonte një rritje mesatare prej mbi 9% në vit. Një rritje të tillë gjatë katër viteve, Shqipëria nuk e ka përjetuar kurrë më parë! Në mungesë të një burimi të ri rritjeje, një modeli të ri qeverisës, apo rimëkëmbjes së partnerëve tregtarë, si Greqia e Italia, është thuajse e pamundur të besohet se kjo shifër do të mund të arrihet.

Rritja e bashkëpunimit tregtar me vendet e tjera të Ballkanit duket si një nga të paktat burime të reja, mbi të cilat po bazohen premtimet. Por sërish, përvoja e tetë viteve të fundit tregon se këto premtime mbeten më shumë në letër, sesa në realitet.

Takimet e shumta publike, me qëllim krijimin e një tregu të përbashkët me Kosovën, duket se nuk kanë sjellë ende asnjë përfitim të vërtetë dhe barrierat e ndryshme tregtare vazhdojnë të qëndrojnë, në mos po rriten. Vështirë të mendohet se marrëdhënia me vendet e tjera të rajonit mund të jetë edhe më e mirë.

Në fakt, premtimet jorealiste të këtij viti duhet të ishin shtysa e fundit për krijimin e një debati të vërtetë, racional dhe të bazuar mbi shifrat konkrete, mbi ekonominë shqiptare. E vërteta e hidhur është se Shqipëria po mbyll një dekadë të djegur në lidhje me zhvillimin ekonomik të saj. Optimizmi i viteve 2000, kur rritja ekonomike mesatare ishte mbi 7%, i ka lënë vendin një periudhe të zymtë.

LEXO EDHE  Parashikimi i motit/ Ja si do të jetë koha nesër

Kriza financiare e vitit 2008, goditja e rëndë e partnerëve tregtarë, largimi i investitorëve të huaj nga i gjithë rajoni, vërtet nuk sollën një goditje të madhe të menjëhershme ekonomike. 13 vite më vonë, shohim se si kriza ka shkaktuar një ulje graduale, por të vazhdueshme në të gjithë treguesit ekonomikë. Zhvillimi i munguar së fundmi po sjell goditjen e radhës: emigrimin e shtresës së mesme dhe profesionale të vendit, duke shkaktuar një dëm më afatgjatë sesa largimi i fuqisë punëtore të pakualifikuar.

Shifrat nuk lënë vend aspak për entuziazëm të tepruar. Ato duhet të jenë pikënisja e një diskutimi serioz, mbi arsyet e ngadalësimit ekonomik që po përjeton vendi prej një dekade, si dhe mbi burimet e alternativat e rritjes në të ardhmen. Shqipëria vazhdon të konsiderohet sot një vend me probleme të theksuara të korrupsionit, në pasigurinë e investimeve dhe nivel të ulët zhvillimi institucional.

Thuajse çdo rekomandim i institucioneve ndërkombëtare përfundon me fjalët kyçe të “reformave strukturore” – të cilat nënkuptojnë përmirësimin e rregullave dhe institucioneve vendore që mbikëqyrin jetën ekonomike të vendit. Mungesa dhe largimi i kapitalit njerëzor po ashtu lidhet me pasigurinë e shtuar me të cilën përballen individët e kualifikuar.

Por, në programin e ri qeverisës, këto tema thuajse nuk preken fare. Lufta ndaj korrupsionit, zhvillimi i tregjeve të lira e konkurruese, rritja e sigurisë së pronës dhe investimeve, janë tema që nuk shfaqen në fokusin e programit. Vendin e tyre e zënë premtimet e tetë viteve të shkuara: investime publike madhore, si motor i zhvillimit dhe rritje pagash si rezultat i tyre. Fatkeqësisht, ky është një model i sprovuar në Shqipëri.

Investimet publike janë të rëndësishme, por ato janë rezultat i zhvillimit, jo burimi kryesor i tij. Tetë vite duhet të kishin qenë të mjaftueshme për të kuptuar se mungesa e sigurisë me të cilën përballen qytetarët dhe investitorët privatë nuk zgjidhet me premtime për investime spektakolare, por me përmirësimin e ligjeve, rregullave dhe institucioneve të vendit.

“Çmenduria është përsëritja e të njëjtit veprim me shpresën se do prodhojë rezultate të ndryshme” – thoshte dikur Albert Einstein. Ekonomia shqiptare, me sa duket, do të kthehet në provën e radhës së shprehjes së tij. /Monitor/