Vendimi i gjykatës për Mediun, reagon avokati i ish-ministrit: Vendim antikushtetues

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka reaguar përmes avokatit të tij mbrojtës Ardian Visha lidhur me vendimin e Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë rihetimit të tij për çështjen Gërdeci.

Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Mediut, Visha thotë se vendimi i deklaruar në media nga gjyqtarja e Apelit të Posaçëm përben një akt jo kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventes Europiane Për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit.

Sipas Vishës, ai vendim përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji.

“Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës Lartë. Veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njëjta çështje(kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019”, thuhet në deklaratën për media të avokatit.

Më tej, avokati i Mediut shton se ky vendim i Apelit të Posaçëm cënon hapur parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë.

LEXO EDHE  Aksident në Elbasan, plagoset një person

Avokati paralajmëron se pasi ai dhe klienti i tij të njohen me  “arsyetimin” e këtij akti të paligjshëm do të reagojnë me transparencë e me të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme.

Gjykata e posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shpreh sot në favor të gjykimit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec.

“Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, shpjegon Gjykata e Posaçme e Apelit në njoftimin për vendimin e saj.

Shpërthimi në Gërdec, pak kilometra ne Jug të Tiranës, në vitin 2008, shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Lexo edhe:

Gërdeci/ Apeli i Gjykatës së Posaçme kthen për rihetim dosjen ndaj Fatmir Mediut