Fjalimi i Korreshit dhe realiteti në Lushnjë, Caslli: Për çfarë qesh opozita?

Fjalimi i parë në seancën plenare i deputetit të ri në radhët e PD-së , Sajmir Korreshi përveçse solli një realitet të hidhur që ne e shohim çdo ditë dhe ata që janë në atë qytet e përjetojnë, shkaktojë dhe të qeshura.
E gjithë salla, qoftë deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës, e shoqëruan fjalimin e deputetit Korreshi me të qeshura.

Situata e krijuar me të qeshurat në parlament, solli edhe reagime. Rrjetet sociale risollën fjalimin e Korreshit i përbërë nga fjali të thjeshta, përmes të cilave shprehte vuajtjet e elektoratit që ai përfaqëson.

Qeshej teksa Korreshi tregonte se në spitalin e Lushnjës, miu të kalon mes këmbëve, kjo për të thënë se kushtet atje janë mizerabël. Qeshej gjithashtu kur ai me fjalë popullore tregonte se në frigoriferët e qytetarëve miu thyen kokën nëse futet brenda, e kështu me radhë.
Por për përfaqësuesen e shoqërisë civile, Elona Caslli qeshja në parlament dukej e pakuptimtë, teksa një deputet i thjeshtë tregonte hallet sipas mënyrës së tij.
Caslli përmes një postimi në facebook, i shtron disa pyetje opozitës. Dhe më kryesorja, ajo kërkon të dijë, pse opozita qesh. Nuk e kupton faktin se opozita qesh teksa flitet për hallet e qytetarëve.
Caslli shprehet se do e kuptonte të qeshurën nga mazhoranca, pasi në tetë vite nuk bën asgjë dhe kjo i ka mbetur tashmë të qesh, por nuk e kupton reagimin me të qeshurat e opozitës e cila është në atë sallë për të nxjerrë në pah mjerimin e shqiptarëve që prej tetë vitesh janë kanë mbathur në vende të ndryshme të botës për të gjetur rrugën e jetës.

LEXO EDHE  Uji i “bekuar” nga Rama helmoi Krujën

Postimi

Për çfarë qesh Opozita?!
Dëgjova fjalimin e këtij zotërisë që as emrin nuk ia di. Është deputet i Lushnjës në Partinë Demokratike. Në gjithçka thotë ka vërtetësinë e një njeriu që nuk mundohet hiç as të latojë fjalën dhe as të latojë mendimin se nuk është në parlament anglez, por është në zemër të një parlamenti ku përballë ka Spiropalin, Tigrin, Tërmetin, Antoneta Dhimën, Gjylametin, Ermonela Felajn etj.
Dhe kur një popull po vuan zinë e bukës dhe padrejtësinë deri në kockë; nevojiten veç fjalitë e thjeshta dhe asgjë më shumë.
Tani një pyetje kisha; Opozita pse qesh?!
Pse qesh Opozita teksa ky njeri thotë se del miu në spital?!
Pse qesh Opozita teksa ky njeri thotë se ka familje ku miu mund të hyjë në dollapin e bukës dhe mund të mos gjejë bukë?!
Pse qesh Opozita kur ky deputet përfaqëson veçse Opozitën?!
Pse qesh Opozita?! Çfarë ka për të qeshur?!
Të na shpjegojë Opozita arsyen pse qesh se mbase e kuptojmë dhe qeshim edhe ne.
Post Scriptum- Që të qeshin rilindasit e kuptoj se kanë tetë vite që qeshin me largimin dhe mjerimin e shqiptarëve, por që të zgërdhihet Opozita, këtë nuk e kuptoj hiç.
Elona Caslli