Nga Ilir Kalemaj
Shtatori po vjen me re ngarkuar si moti i vranët këto ditë. Përtej fjalimeve patetike për pritjen dhe mbërritjen e afganëve, një lajm që duket se do të kalojë si shumë e shumë të tjerë, ajo që ngelet të nënvizohet është se pati si rrallëherë një dakordësi politike gati unanime. Përtej dhe faktit që bashkë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut ishim të vetmet vende që shprehëm gadishmëri në Europë. Por nga ana tjetër, pati fare pak, madje aspak transparencë sa do vijnë, sa do rrinë, cila është fatura, apo cilat janë garancitë e sigurisë nga të infiltruar të dyshimtë, përderisa mediat ndërkombëtare kanë bërë të ditur dhe raste të ngjashme në Britaninë e Madhe dhe SHBA së fundmi. Përkundrazi, shifrat prej 300-400 u rritën brenda 24 orëve nga kryeministri në 1 mijë për të shkuar në 2 dhe 3 mijë në varësi të cilës media ndërkombëtare ishte intervista, dhe së fundmi dhe tavani prej 4 mijë në intervistën dhënë CNN.
Kjo situatë ngjan disi me groteskun në zigzaget për dëmshpërblimin e Beketit, nga ajo që nuk ka për të fituar kurrë në arbitrazh deri te nuk ka për të parë kurrë cent me sy ndërkohë që asetet, financat apo disa transaksione të qeverisë shqiptare janë duke u ngrirë në banka të huaja bash për t’ia kaluar po të njëjtit Beket që nuk priti si Godoja i atij Beketit tjetër…, pafundësisht.
Pa u bezdisur aspak nga këto cingërima propagande me të cilat na janë mësuar tashmë veshët, morëm vesh që paskëshim shkëlqyer në ekonomi, shëndetësi, rindërtim, ndonjë calim tek-tuk në arsim dhe turizëm dhe kohëra më të mira po buzëqeshin në tatëpjetë. NË fakt demokracia po t’i referohemi Freedom House i cili tek indeksi i fundit na ri-liston si vend pjesërisht i lirë me vetëm 66 nga 100 pikë apo edhe Indeksit të Demokracisë, që publikohet nga “The Economist Intelligence Unit”, Shqipëria duket se ka rrëshqitje jo vetëm përsa i përket nivelit të pjesmarrjes demokratike por edhe cënueshmërisë së shtetit të së drejtës përmes përhapjes masive të korrupsionit. Sikundër na dëshmon dhe raporti i përvitshëm i Transparency International ku vijojmë të renditemi në vend të 104 nga 108 vende dhe ku në 4-5 vitet e fundit kemi një rrëshqitje me mbi 20 vende.
Vijojmë ndërkohë të kemi të ardhura për frymë prej vetëm 5323 dollarësh, më pak edhe se Maqedonia e Veriut që i ka 6022, Bosnia-Herzegovina me rreth 6200 dollarë, Serbia me 7400 dollarë apo Mali i Zi që i ka plot 8900 dollarë. Lëmë pas vetëm Kosovën në rajon duke mirëkuptuar gjithë sfidat që ka Kosova si shtet i ri me problemet e shumëfishta të shtet-ndërtimit, proceseve bllokuese nga ana e Serbisë dhe sponsorave të saj ndërkombëtarë apo probleme të mbartura nga ish-Jugosllavia.
Vijojmë gjithashtu të jemi në listën gri të pastrimit të parave të Moneyval, ku sipas raportit të vitit 2021 “Shqipëria nuk ka përmisuar ndjeshëm masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të tërrorizmit”. Vazhdojmë te jemi problematikë edhe në raportin e Doing Business të Bankës Botërore ku renditemi në vend të 82 dhe probleme infrastrukturore apo legjislative ende na pamundësojnë të jemi ndër vendet më konkurruese madje dhe në standarte rajonale. Raporti thekson në veçanti disa elementë ku jemi edhe më keq se në të tjerë të tillë si elektriciteti i pandërprerë për bizneset, lejet e ndërtimit (që jepen në mënyrë preferenciale dhe kundrejt rryshfetit), pagesat e taksave etj.
Përtej suksese imagjinare, vet-lëvdatave dhe rrahjes së shpatullave, në pritje të konstituimit të mandatit të qeverisë Rama 3, e mira do ishte të kthehej vëmendja nga puna, nga standartet meritokratike, nga përmbajtja dhe produkti konkret dhe të kishim më pak bombardim ditë-natë propagandistik nga ai i cili të debilos dhe mpin arsyen më elementare. Është e patolerueshme që sektori shtetëror dhe administrata publike të fryhen në mënyrë të vazhdueshme përmes kalkulimeve elektoralë, që projektet e shtrenjta infrastrukturore të gllabërojnë rreth 70 përqind të buxhetit të shtetit, shumica me partneritetet pirat-plaçkitëse që sjelloin vetëm xhepa të fryrë pushtet-mbajtësish dhe pak vlerë të shtuar në ekonominë qarkulluese. Gjithashtu është e rëndësishme që opozita të bëjë opozitën, jo vetëm sezonale por kritike, racionale, frontale.