Presidenti amerikan Joe Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen, ndërsa ai këmbëngul në vendimin e tij për t’u tërhequr nga ky vend, pavarësisht kaosit të shkaktuar.
“Unë nuk mendoj se kjo mund të ishte trajtuar në një mënyrë që pas zhvillimeve atje të mund të rishqyrtohej çështja, por nuk e di se si mund të ndodhte një tërheqje pa patur njëfarë kaosi”, tha Presidenti Biden në një intervistë me gazetarin e kanalit ABC News, George Stephanopoulos. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me skenat e afganëve që ishin ngjitur në një avion amerikan ndërsa ai po nisej nga pista, duke i quajtur ato ngjarje që kishin ndodhur “ditë më parë”.
Presidenti theksoi se ushtria amerikane ka nën kontroll aeroportin dhe po evakuon mijëra njerëz me synim largimin e të gjithë atyre që kanë nevojë të evakuohen, si amerikanë ashtu edhe afganë, deri më 31 gusht.
Kur u pyet nëse trupat amerikane do të qëndronin më gjatë nëse Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë të evakuojnë të gjithë njerëzit në afatin e 31 gushtit, Presidenti Biden tha: “Nëse ndodh kjo, ne do të analizojmë situatën për të mësuar se kush ka mbetur atje. Dhe nëse do të ketë shtetas amerikanë të paevakuuar, ne do të qëndrojmë atje derisa t’i nxjerrim ata nga vendi.”
Mospërfshirja e afganëve të rrezikuar dhe aplikantëve të Vizave Speciale të Imigrimit në përgjigjen e tij ka të ngjarë të shqetësojë mijëra njerëz që ende nuk janë evakuuar dhe aleatët e tyre amerikanë të cilët po përpiqen t’i evakuojnë ata.
Zyrtarët e Pentagonit thanë të enjten se ushtria amerikane ka evakuuar 7,000 njerëz në ditët e fundit, duke e çuar në 12,000 numrin total të personave të evakuuar që nga fundi i korrikut.
Shqetësimet po rriten nga njoftimet se afganët dhe shtetasit amerikanë kanë hasur në probleme për të arritur në aeroport për shkak të pikave të kontrollit të ngritura nga talibanët. Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të komunikojnë me komandantët lokalë talibanë në terren për të lejuar kalimin e njerëzve nëpër këto pika kontrolli.
“Kjo ka të bëjë më shumë me identifikimin dhe vërtetimin e indentitetit, që ne mund ta bëjmë, të atyre njerëzve që duhet të kalojnë nëpër këto pika kontrolli. Dhe ne kemi parë shenja këtë mëngjes se ai proces po funksionon”, tha për gazetarët të enjten zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve në Pentagon të mërkurën se trupat amerikane do të përqëndrohen në mbrojtjen e aeroporteve. Kaosi dhe paniku të hënën bllokuan trafikun ajror atje për orë të tëra dhe çuan në vdekje të shumta.
“Unë aktualisht nuk kam aftësinë për të dalë jashtë (aeroporteve) dhe për të zgjeruar operacionet në Kabul”, tha Sekretari Austin.
Deri në 15,000 amerikanë dhe dhjetëra mijëra afganë të rrezikuar mbeten në Afganistan pasi talibanët morën kontrollin e plotë të vendit fundjavën e kaluar.
Në intervistën, e cila u transmetua të enjten, Presidenti Biden tha se edhe me talebanët në pushtet në Afganistan, ai ende sheh një kërcënim më të madh nga al-Kaida dhe organizatat e lidhura me të në rajone të tjera.
“Ne duhet të përqëndrohemi në zonat ku kërcënimi është më i madh”, tha Presidenti Biden, duke iu referuar “problemeve në rritje” në Afrikë dhe Siri.
Ai gjithashtu mbrojti vendimin e administratës së tij bazuar në raportet e shërbimeve të zbulimit që vinin nga Afganistani, duke thënë se në raportet që ai ka parë thuhej se ishte “më e mundshme që deri në fund të vitit” talibanët të merrnin kontrollin e vendit dhe se kolapsi i qeverisë në një kohë kaq të shkurtër nuk ishte parashikuar.
Komentet e tij i bënë jehonë atyre të Gjeneralit Mark Milley, shef i shtatmadhorisë amerikane, i cili u tha gazetarëve të mërkurën se afati kohor i një kolapsi të qeverisë “u vlerësua gjerësisht dhe shkonte nga disa javë në muaj apo edhe vite pas largimit tonë”.
“Askush nuk kishte parashikuar një kolaps të kësaj ushtrie dhe kësaj qeverie në 11 ditë”, shtoi ai.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, tha se komuniteti amerikan i zbulimit “identifikoi vazhdimisht rrezikun e një kolapsi të shpejtë të qeverisë afgane”.
“Ne gjithashtu u bëmë më pesimistë për mbijetesën e qeverisë pas intensifikimit të luftimeve. Megjithatë, qeveria afgane u rrëzua edhe më shpejt nga sa kishim parashikuar”, tha zyrtari.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar azhurnimet e sigurisë, sigurisë diplomatike dhe inteligjencës në Afganistan të enjten. Ekipi i tij diskutoi statusin e operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai dhe përpjekjet për të evakuuar qytetarët amerikanë, personelin e ambasadës, aplikantët për Viza të Posaçme Imigrimi dhe familjet e tyre, si dhe afganët e pambrojtur sa më shpejt që të jetë e mundur.
/VOA/