Dragoş Săvulescu, ish-aksioneri i Dinamos, dhe njëkohësisht burri i Angela Martinit është liruar nga qelia e paraburgimit ku edhe mbahej pas arrestimit të tij dy ditë më parë në ishullin e Mykonosit.
Mediat e huaja kanë bërë me dije se biznesmeni nuk mund të largohet nga territori i shtetit grek derisa të gjykohet kërkesa e tij për ekstradim. Afati i fundit është lënë për në shtator dhe deri atëherë do të duhet që të jetë në arrest shtëpie, nën monitorimin e Policisë. Ndërkohë që e ka të ndaluar kategorikisht që të largohet nga Greqia.
Kujtojmë se 46-vjeçari Dragos Savulescu, u arrestua dy ditë më parë në Mykonos. Ndaj tij kishte një urdhër ndërkombëtar arresti pasi është dënuar me 5.5 vjet burg për përvetësimin e parave publike në Rumani. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtorë për përvetësimin e një totali prej 114 milionë eurosh pasuri publike.