Nga Boldnews.al
Disa të dhëna të përpunuara nga “Boldnews.al”, dëshmojnë se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), një prej agjencive në varësi të kryeministrit Edi Rama, ka pasur efektivitet të ulët në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nga 140 raporte të “deklasifikuara pjesërisht” nga DSIK, një praktikë që ndiqet kur ekzistojnë informacione për dyshime mbi integritetin e magjistratëve, 26 prej tyre, ose një e pesta, janë rrëzuar nga strukturat e Vetingut, duke konfirmuar në detyrë gjyqtarët e prokurorët.
Po ashtu, për shumicën e subjekteve të rezultuar “me probleme” sipas DSIK, strukturat e Vetingut i kanë shkarkuar, por për probleme me pasurinë, duke rrëzuar më parë gjetjet e agjencisë së drejtuar nga Dritan Tola.
Në një numër minimal rastesh, diçka më shumë se gishtat e duarve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur të bindet nga raportet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, duke vendosur shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për probleme me integritetin personal apo për dyshimet mbi përfshirjen në veprimtari korruptive.
DSIK përpunon të dhënat e mbledhura nga agjencitë ligjzbatuese, përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme dhe të tjera agjenci inteligjente.
Në përgjithësi, informacionet e siguruara nga këto struktura janë të natyrës operative, pra pa prova e fakte ligjore dhe, në jo pak raste, dyshohet se janë pjesë e një hakmarrje me natyrë politike apo për arsye të tjera.
Kjo duket se është arsyeja që shumë prej raporteve të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kanë rezultuar të pavlefshme për strukturat e Vetingut, megjithëse këto të fundit i kanë përdorur shpesh për të krijuar perceptime jo të sakta mbi gjyqtarë e prokurorë të ndryshëm.
“Boldnews.al” ka hartuar një listë të magjistratëve, të cilët, megjithëse kanë pasur raport të ‘deklasifikuar pjesërisht” nga DSIK, sërish në përfundim të procesit të Vetingut janë konfirmuar në detyrë.