Kokainë, heroinë, armë e municione, Policia e Durrësit arreston 2 persona/ Emrat

Policia e Durrësit arrestoi dy persona për vepra të ndryshme penale.

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Dejvid Karaboja, pasi ju gjetën 40 porcione me heroinë dhe 11 porcione me kokainë.

Gjithashtu u arrestua shtetasi Denis Kapidani, pasi gjatë kontrollit në subjektin e tij ju gjetën disa sende të kundraligjshme, si makineta për lojra fati, lëndë narkotike cannabis etje.

Njoftimi i policise:

Sekuestrohen lëndë narkotike heroinë, kokainë dhe cannabis sativa, makineta për lojëra fati, municion luftarak, armë të ftohta, vepra arti me vlera historike dhe një sasi vlere monetare.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin D. K., 29 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës e kanë ndaluar atë në lagjen nr. 7, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në çantën e dorës iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe një shumë parash, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

LEXO EDHE  Akuzohet se ndihmoi bosin turk të kriptomonedhave, arrestohet biznesmeni shqiptar

Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit, është ushtruar kontroll në një ambient në lagjen nr.15, Durrës, në pronësi të shtetasit D. K., 37 vjeç.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, disa vepra arti me vlera historike, grirëse hashashi, krehër arme dhe municion luftarak, armë të ftohta (thikë dhe shpatë), uniforma policie me simbolet e Policisë së Shtetit, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe 14 makineta për lojëra fati.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, “Organizmi i lotarive të palejuara”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, shtetasi D. K., 37 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.