“Rekordi” i Jotit të QSUT-së, 4 tendera pa garë dhe konkurencë OES Distrimed, me vlerë totale 3 miliardë lekë

Nga BoldNews.al

Spitali Nënë Tereza na ka mësuar me tenderat e majmë. Nga ata që, ne njerëzit e thjeshtë, mezi i numërojmë. Por, edhe për njerëzit e Thesarit të Shtetit, po bëhet e vështirë, pasi paratë po i kalojnë me “thasë” në vetëm një grusht njerëzish. Deri më tani kemi investiguar, hulumtuar apo lajmëruar për bërjen e dhjetëra tenderave në sektorin e shëndetësisë.

Kemi nunëruar shifrat e majme që ka marrë X apo Y firmë. Me disa milionë euro, madje me vetëm një firmë në garë. Një skemë e mirëfilltë, ku firmat i kanë ndarë me kohë se cila do të fitojë këtë apo atë tender. Ndërkohë, në këto rrështa do të faktojmë sesi një kompani, nga ato që shpiku “trustin” në shëndetësi, ka marrë plot 3 miliardë lekë ne 4 procedura të ndryshme të firmosura nga Enkelejd Joti.

Bëhet fjalë për OES Distrimed, e cila në vitin e pandemisë ka marrë nga shteti mbi 30 milionë euro. Dhe, kësaj herë, me një të rënë të lapsit ka fituar katër tendera njëri pas tjetrit me shumat përkatëse; 128 milionë (të reja), 81 milionë, 31 milionë dhe në fund një “bakshish” 6 milionë. Në total, bashkë me TVSH, shuma shkon në 300 milionë (3 miliardë të vjetra). Goxha shumë, po ti mbledhësh bashkë, por që Joti ka preferuar t’ia japë pjesë-pjesë kësaj kompanie.

Faksimile: Enkelejd Joti e ka shpallur fituese kompanisë OES Distrimed në disa procedura radhazi

Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Enkelejd Joti, drejtor i QSUT-së, e ka shpallur fituese OES Distrimed në procedurën tenderuese “blerje materiale specifike për shërbimin e neurokirurgjisë për 24 muaj”. Vlera e pritshme e kontratave që mund të lidhen gjatë kësaj marrëveshje janë 146.648.213 lekë të reja. Ndërkohë, sipas dokumenteve, OES Distrimed ka qenë e vetme në garë me një ofertë prej 145.158.200 lekë. Ose, shumë afër fondit limit. Nëse për Jotin nuk është shkelje, a ka Autoritet Konkurence? Dhe, nëse kjo kompani i ka këto materiale, përse nuk bëhen me negocim? Apo të hapet edhe një tender ndërkombëtar pa këto specifikimet shabllon që përdor QSUT-ja.

LEXO EDHE  E rëndë/ Banesa përfshihet nga flakët, ndërron jetë vajza 12-vjeçe që ndodhej brenda
Faksimile: OES Distrimed u shpall fituese në një tender të majmë, kësaj here me një garë fiktive

Ndërkohë, në një tjetër procedurë, OES Distrimed u shpall fituese e një tenderi nga QSUT me një garë fiktive. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews, Joti ka firmosur njoftimin e fituesit të tenderit me objekt “materiale sintetike për trajtim vaskular kirurgjikal”, me fond 81.130.867 lekë. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë OES Distrimed me ofertë 79.773.400 lekë, ndërkohë ka qenë fiktivisht edhe Biometric Albania, e cila nuk ka paraqitur asnjë ofertë ekonomike si dhe nuk ka paraqitur dokumentacioni për këtë procedurë prokurimi. Pra, ka qenë fiktivisht!

Faksimile: OES Distrimed ka garuar me veten, pasi kompanitë e tjera kanë s’kanë paraqitur ofertë

Tenderi i tretë i majmë që ka fituar OES Distrimed është për procedurën “Sutura specidike vaskulare”, me vlerë 31.070.260 lekë. Në këtë tender ka marrë pjesë firma fituese që ka ofruar 29.851.900 lekë, shumë afër fondit limit. Ndërkohë, kompanitë “Biometric Albania” dhe “Isometric” nuk kanë paraqitur asnjë ofertë ekonomike, si dhe nuk ka paraqitur dokumentacioni për këtë procedurë prokurimi. Pra, kanë marrë pjesë fiktivisht.

Tenderi i katërt ka qenë me objekt “materiale biologjike për trajtim vaskular kirurgjikal” OES Distrimed ka ofruar 6.450.000 lekë, ndërkohë në këtë procedurë, më me vlerë të ulët, ka pasur një “garë”. “Biometric Albania” ka ofruar 6.675.000 lekë. Pra, vetëm në procedurën më të ulët ka pasur një konkurencë, ndërkohë në të tria procedurat e tjera, firmat kanë marrë pjesë sa për sy e faqe, ndërkohë në një rast OES Distrimed ka garuar e vetme.