‘Numri i të prekurve më i lartë se shifrat zyrtare’/ Brataj: Të infektuarit kanë shenja të ‘Deltës’

Numri i të infektuarve në këtë periudhë është më i lartë se sa shifrat zyrtare.  Personat e prekur neglizhojnë shenjat duke i konsideruar si ftohje nga kondicioneri dhe nuk kërkojnë testin për Covid.

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tregon se personat e konfirmuar pozitiv me koronavirus kanë shenjat tipike të variantit “Delta”. Për fat të mirë deri tani nuk ka raste të rënda.

Shenjat kryesore ngatërrohen me ftohjen sidomos tani nga ajri i kondicionuar, me dhimbje fyti dhe sekrecione nga hundët. Por këto janë dhe shenjat tipike të variantit “Delta” që shoqërohen edhe nga temperatura”, u shpreh Brataj për A2.

Brataj parashikon rritje të infektimeve në këtë periudhë, pasi mutacioni indian që mendohet se ka hyrë dhe në vendin tonë, përhapet me shpejtësi.

Është parë që periudha e inkubacionit është shumë e shkurtër. Nga 6 ditë që ishte për variantin anglez ka zbritur në më pak se 4 ditë.

Shpeshtësia e përhapjes është më e madhe. Karakteristike në studimet e fundit është fakti se ka një përqindje të lartë si virus, është mbi 1 mijë herë më i përqendruar se sa varianti i Ëuhanit dhe ai anglez, gjë që e bën më të rrezikshëm sa i përket përhapjes. Kryesisht kap personat e pavaksinuar, por edhe ata që janë vaksinuar nuk janë përjashtuar nga infektimi”, shtoi kreu i Urgjencës.

LEXO EDHE  KFOR-i njofton se ka biseduar me palët për ndërprerje të protestave në veri

Eksperti i Komitetit Teknik thotë se ende nuk është përcaktuar skenari që do të aplikohet vitin e ri shkollor. Brataj sqaron se  para 13 shtatorit do të vlerësohet situata epidemiologjike për të dalë në një vendim.

Do vazhdojmë monitorimin e gjendjes epidemiologjike dhe të pandemisë. Unë mendoj se vera do të jetë e qetë dhe shtatori nuk do të ketë probleme.

Duhet të mendojmë nga shtatori e tutje. Ne do të bashkëjetojmë me virusin. Nuk do të ketë rritje si ato valët që kaluam, por duhet të vaksinohemi”, përfundoi Brataj.

Ekspertët e Shëndetësisë vijojnë thirrjet ndaj qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për të marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid në mënyrë që t’i shpëtojnë komplikacioneve nga Delta virusi.