Fshati që duket nuk do kallauz

Nga Ilir Kalemaj

Me dyfish e gjysëm numrin e popullsisë të Shqipërisë, Serbia ndërkohë ka një prodhim të përgjithshëm bruto prej mbi 60 miliardë dollarësh ose 8,748 dollarë për frymë. Krahasuar kjo me afro 17 miliardë dollarësh që vlen në total ekonomia e Shqipërisë dhe 5,373 dollarë për frymë në vit. Diferencat janë edhe më të jashtëzakonshme kur masim nivelin e investimeve të huaja direkte që në Serbi janë mbi 3 miliardë dollarë për 2021 dhe në total 34 miliardë dollarë nga viti 2007 ndërkohë që në rastin e Shqipërisë janë vetëm 933.3 milionë euro për 2020.

Apo nivelin e eksporteve që arritën shifrën e 19.4 miliardëve eurove në 2020 ndërkohë që në rastin shqiptar janë vetëm 2.72 miliardë euro për të njëjtin vit, por duke theksuar njëherazi faktin që janë tre herë më shumë importe te ne që bën që të thellohet defiçiti tregtar. Ndërkohë rroga mesatare në Serbi është 762 euro bruto apo 551 euro neto, ndërsa në Shqipëri 478 euro bruto paga mujore apo vetëm 393 ajo neto, pra pas taksave si pagë mesatare që fut në xhep punonjësi shqiptar.

Ndërkohë dhe Maqedonia e Veriut ka një PBB për frymë prej mbi 6 mijë dollarësh me eksporte mbi 7 miliardë dollarë (viti 2019), ndërkohë që indeksi Doing Business i Bankes Botërore e ka renditur të 17-ën në botë për lehtësinë e të bërit biznes për 2020-ën. Interesant të shihet që Shqipëria nuk është në dhjetëshën e parë të vendeve as për eksportet, as për importet nga Maqedonia e Veriut, çka tregon se përtej propagandës për mini-shengenin ballkanik, marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut por edhe Serbinë janë goxha nën pritshmëri.

Mali i Zi, një vend i vogël kufitar me më pak se 600 mijë banorë ndërkohë ka të ardhura për frymë që shkojnë në rreth 9 mijë dollarë në vit, pra thuajse sa dyfishi i shqiptarëve. Malazezët kanë të ardhura mesatare mujore prej 769 euro bruto apo 512 euro neto, apo rreth 150 përqind më shumë se ato tonat. Edhe në rastin e Malit të Zi, Shqipëria nuk figuron në dhjetëshen e vendeve as në eksporte dhe as në import ndonëse vende kufitare. Gjithashtu lehtësia e të bërit biznes në Malin e Zi (rankuar në vend të 50-të) si dhe niveli i IHD matur për frymë të popullsisë se është një vend me numër popullsie katërfish më të vogël, është ku e ku më mirë se Shqipëria.

LEXO EDHE  Zogaj tregon se çfarë i tha Basha kur i kërkoi që të takonte Berishën dhe t’i kërkonte largimin

Madje dhe në rastin e Bosnje-Herzegovinës, shtet disfunksional në disa drejtime, për shkak të marrëdhënieve të vështira ndër-etnike, rolit intrasigjent të Republika Serbska krijuar qysh prej Marrëveshjes së Dejtonit, mbivendosjes së kompetencave në nivel qëndror dhe lokal, të ardhurat për frymë prej 6700 dollarësh në vit, paga mesatare mujore që shkon 790 euro bruto apo 510 euro neto apo të dhënat referuar investimeve të huaja apo nivelit të eksporteve por edhe përthithjes së fondeve të BE-së janë të gjitha ku e ku më lart se Shqipëria.

Në përmbyllje ngelet të themi se duhet shumë më tepër punë dhe përgjegjësi dhe më pak fasadë dhe demagogji. Fundja, fshati që duket nuk do kallauz. Shqipëria i kishte të gjithë parakushtet qysh në krye të herës mos të katandisej e fundit në klasë, si në nivel ekonomik, në proceset e integrimit europian ashtu dhe në ndërtimin dhe funksionalitetin e institucioneve. Dështuam si zakonisht dhe sot distanca që kemi me mesataren e vendeve të BE-së apo hendeku ekonomik është më i madh se ai që kishim në 1912 apo 1945-ën.

Ndonëse të paprekur nga luftërat në ish-Jugosllavi, ndonëse nuk na duhej të kryenim proceset e dhimbshme të komb-formimit krahas shtet-formimit që kryen një pjesë e madhe e vendeve të ish-Europën Lindore, ndonëse me favorin e të pasurit fqinjë dy vende të BE-së si Italinë dhe Greqinë, Shqipëria vazhdon të jetë e fundit e klasës, madje edhe në një lagje ballkanike që nuk shquhet për standarte të larta.

Këtu nuk ndihmoi as një diasporë dhe emigracion të fuqishëm me lidhje të forta me vendin amë që vazhdon të dërgojë remitanca në nivele qindra milionë euro në vit, për mos të folur për pasuritë turistike, nëntokësore dhe kulturore të vendit. Por mbi të gjitha kanë penguar në mënyrë të vendosur elitat e paafta, të padijshme apo thjesht ngatërrestare që nuk ditën, nuk donin apo nuk mundën ta bënin Shqipërinë zonjë, ashtu sikundër do dëshironin rilindasit. Ata të vërtetët.